A ndikoi Thaçi në avancimin e Lumes në postin e prodekanes?

Politika

A ndikoi Thaçi në avancimin e Lumes në postin e prodekanes?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 12 mars 2018 Në ora: 08:04
Hashim Thaçi me bashkëshorten e tij

Zonja e Parë e Shtetit, Lumnije Thaçi, bashkëshortja e presidentit Hashim Thaçi, nga pozita e profesoreshës së fakultetit, tani ka marrë pozitën e prodekanes. Ajo është zgjedhur si prodekane në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, në Universitetin e Mitrovicës, “Isa Boletini”.

Emërimi i saj u kundërshtua nga disa student, të cilët më pas edhe patën probleme me policinë. Më vonë, zgjedhja e saj u kundërshtua po ashtu edhe nga zyrtarë të tjerë. Por, pas gjithë kësaj ‘rrëmuje’, ka folur për media edhe vetë zonja Thaçi.

Thaçi në një prononcim për media tha në fillim nuk kishte pasur dëshirë të pranonte këtë pozitë.

“Ka qenë kërkesë e Dekanit pasi ka qenë vakante kjo pozitë për shkak të numrit të studentëve të shumtë. Kam qenë e detyruar, jo me pëlqimin tim, nuk e kam marrë me pëlqimin tim për shkak të angazhimit shumë të madh që e kemi me ligjërata mirëpo e kam parë të arsyeshme, pasi jam pjesë e stafit të jem e angazhuar edhe në këtë drejtim”, ka thënë Thaçi.

Ajo në këtë mënyrë është arsyetuar se nuk ka pas ndikim politik në përzgjedhjen e saj dhe se ideja ka qenë tërësisht e dekanit të atij fakulteti, Hakif Zeqiri.

Mirëpo, njohësit e çështjeve në vend e kanë parë si një ndikim politik në përzgjedhjen e bashkëshortes së Presidentit Thaçi në një pozitë udhëheqëse në këtë fakultet. Por një ndikim i tillë, a mund të quhet edhe si nepotizëm, derisa shumë vendime për emërime pozitash merren nga lartë.

Ndikimi i Thaçit

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti, duke komentuar këtë çështje thotë se nepotizmi është instaluar pikërisht nga Thaçi, i cili nuk kishte si mos të punësonte edhe bashkëshorten e tij.

“Është e pamundur të mendosh se Lumja do të mund të ngrite nivelin e arsimit, të cilin Hashimi e ka rrënuar për 11 vjet të të qenurit në pushtet. Faktikisht , emërimi i Lumes si prodekane është politike, pa asnjë bazament të përgatitjes profesionale dhe meritave akademike. Gjithsesi, kjo nuk më habit fare, duke ditur se klani "Pronto' është ende gjallë dhe udhëhiqet nga burri i saj”, vlerëson analisti Mehmeti.

Ai thotë më tutje se kjo tregon më së miri në çfarë niveli të ulët ka rënë sistemi i arsimit në vend, dhe për rrjedhojë prodhojnë analfabetë me dipoloma.

“S’ka si të dalim ndryshe në PISA kur njerëz si Lumja emërohen prodekane, vetëm se burri i saj është president i vendit. Thaçi e ka kapur shtetin dhe Lumja është pjesë e saj. Nepotizmi po vazhdon në çdo sektor të vendit, ajo ka shtrirë rrënjët në çdo qelizë të shteti duke e mbytur atë çdo ditë e më shumë. Fatkeqësia më e madhe për këtë vend është se udhëhiqet nga ata që s’dijnë çfarë është shteti, por vetëm anarki se vetëm kështu mund dhe dinë të mbijetojnë”, thekson ai.

Nepotizmi në arsim

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Nexhat Haziri, thotë se nepotizëm nuk tingllon shumë adekuatë në këtë rast, por gjithsesi ka ndikim politik në zgjedhjen e zonjës së parë të Kosovës si prodekane në Universitetin e Mitrovicës.

“Dhe ky ndikim natyrisht se ka ardhur nga presidenti i vendit Thaçi dhe strukturave të tjera të PDK-së. Ky veprim i Thaçi dhe i partisë së tij, tregon edhe një herë se në çfarë gjendje sot është sistemi arsimor në Kosovë, në të cilin nuk vihen në pyetjet kriteret profesionale, por ndikimi politik e partiak në përcaktimin e apo punësimin e zyrtarëve të lartë arsimor qoftë në Universitet apo edhe institucione të tjera të larta të arsimit”, vlerëson Haziri.

Ai thotë më tutje se kjo është edhe një dëshmi më shumë se vendimi për përjashtimin e Agjensionit Kosovar të Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë (EQAR) në Arsimin e Lartë edhe pse është  një goditje e rëndë për Arsimin e Lartë të Kosovës, është një vendim obligues që institucionet vendore të reflektojnë dhe ta ndalojnë njëherë e përgjithmonë politizimin e institucioneve arsimore.

“Dhe zgjedhja e Lumnije Thaçit si prodekane në UM-es, është politizim i këtij universiteti dhe nuk i kontribuon përmirësimit të gjendjes në arsimin e lartë në Kosovë”, ka theksuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat