“Shtegtimi” i Shpendit nga foleja e Vetëvendosjes, kryeqyteti mund të shkojë në zgjedhje

Politika

“Shtegtimi” i Shpendit nga foleja e Vetëvendosjes, kryeqyteti mund të shkojë në zgjedhje

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 11 mars 2018 Në ora: 19:00
Shpend Ahmeti dhe Albin Kurti

Pas dorëheqjes nda Lëvizja Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, mund ta përfundojë “aventurën” e tij edhe si kryetar i Prishtinës. Këtë mund ta bëjë, nëse  elektorati i Vetëvendosjes, mbledhin 20%  të nënshkrimeve. Ahmetit, ia kanë kthyer shpinën edhe disa nga këshilltarët e Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Prishtinës, gjë që e bënë edhe më të vështirë punën e tij tash e tutje. Rreth dorëheqjes së Shpend Ahmetit, kanë folur për “Bota sot”, deputetë e analistë politik.

E filloi me FER-in, por pas dështimit, aderoi në Vetëvendosje, ku u bë edhe kryetar i kryeqytetit të Kosovës me këtë parti.

Siç duket Shpend Ahmeti, nuk po gjen “fole” të rehatshme në skenën politike, pasi pak ditë më parë përmes një letre të dërguar medieve, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha postet që ka mbajtur në Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai ka thënë se javëve të fundit ka kuptuar shumë gjëra për të cilat ka thënë se nuk i ka ditur më parë.

“Javëve të fundit kam kuptuar shumë gjëra për organizatën të cilat nuk i kam ditur më parë. Këto gjëra nuk janë diskutuar me mua. Mirëpo kjo nuk është arsyeja e vendimit tim. Motivi i vendimit tim sot është se arsyeja për të cilën unë kam hyrë në LVV nuk është më”, shkruan në letrën e Ahmetit.

Millaku: Nuk është e sinqertë që po sa të fitohet mandati të dorëhiqet nga partia

Mirëpo, Shpend Ahmeti mund ta përfundoj “aventurën” e tij edhe si kryetar i Prishtinës, e këtë mund ta bëjë elektorati i Vetëvendosjes, nëse mbledhin 20% të nënshkrimeve. Ahmetit ia kanë kthyer shpinën edhe disa nga këshilltarët e Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Prishtinës, gjë që e bënë edhe më të vështirë punën e tij tash e tutje.

Rreth dorëheqjes së Shpend Ahmetit, kanë folur për “Bota sot”, deputetë e analistë politik.

Image
Drita Millaku

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e partisë që dha dorëheqje Ahmeti, Drita Millaku, thotë se Vetëvendosja përkohësisht do ta ndiej dorëheqjen e Ahmetit, dhe se Shpendi është treguar i pa moralshëm me dorëheqjen e tij.

“Përkohësisht edhe mund të ndikojë dorëheqja e Shpendit nga Vetëvendosja, mirëpo shumë shpejt do të rikuperohet. Nuk është e sinqertë që po sa të fitohet mandati të dorëhiqet nga partia e ta mbajë postin e kryetarit. Njeriu jo vetëm në jetë të përditshme por edhe në politikë duhet të ketë moral. Besimi i dhënë i qytetarëve ishte pikërisht se Shpendi ishte në Vetëvendosje, nuk po flas si deputete por si një aktiviste e thjeshtë, të gjithë kishin punuar që Shpendi të fitonte mandatin jo të dorëhiqet pasi ta merr mandatin. Nëse kjo do të kishte ndodhur në Prizren e dimë mirë që qytetarët e kishin ndëshkuar prandaj para se të merr një vendim duhet të analizohet mirë”,-u shpreh Millaku.

Ajo thotë se nuk duhet t’i mohohet personalitetit Shpendit, mirëpo Vetëvendosja e ka sjell në krye të Prishtinës.

“Postet dhe pozitat janë qytetarët që na i dhanë, po të ishte ashtu secili do të duhej të kandidonte si i pavarur, prandaj për këtë them se njeriu duhet të ketë moral edhe në politikë, po të ishte i pakënaqur ai është dashur si burrë të jap dorëheqje nga posti i kryetarit, sepse aty Vetëvendosja e ka ulur por edhe duke mos e mohuar personalitetin e tij. Sa i përket rënies së Vetëvendosjes, mund të flas vetëm sa i përket Prizrenit dhe komunës së Kamenicës të dy komunat ka anëtarësime rekorde në këto 2 muajt e parë të vitit. Besoj shumë se do të dalim edhe më mirë në zgjedhjet e ardhshme”,-përfundon Millaku për “Bota sot”.

Image
Haki Abazi

Abazi: Arsyetimet e Ahmetit banale dhe të turpshme

Në anën tjetër, analisti i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, tregon arsyen se pse këto dorëheqje po ndodhin një nga një dhe sipas Abazit, arsyetimet e tyre janë të turpshme.

“Dorëheqja e Ahmetit ka qenë e ditur dhe e pritur. Arsyeja që kanë bërë dorëheqje një nga një ka qenë taktike për te krijuar përshtypje se po bëhet nami dhe se në fakt të krijoj efektin e ortekut të borës. Arsyetimet janë banale dhe të turpshme. Po flasin për parime e demokraci përderisa janë po të njëjtit që kanë marrë vendime dhe po të njëjtit që janë takuar me Rrahim Pacollin për të bërë koalicione. Arsyeja që duhet patjetër zgjedhje dhe dorëheqje është se Ahmeti nuk përfaqëson konceptin politik e as organizativ të Vetëvendosjes”,-thotë Abazi për “Bota sot”.

Ndërsa, mendon se Prishtina po përdoret për të treguar muskujt për udhëtime jashtë vendit për interesa personale.

“Arsyeje tjetër është që Prishtina nuk mund të vuaj nëpër katër vite nga joserioziteti dhe qasja djallëzore. Prishtina po përdorët për të treguar muskuj për udhëtime jashtë dhe për rehabilitim të apetiteve personale dhe jo për të kryer obligimet dhe shërbimet ndaj qytetarëve dhe për ta bërë Prishtinën kryeqytet të shtetit të pavarur. Vitin e kaluar Komuna e Prishtinës ka shpenzuar vetëm 37% të buxhetit për rini dhe kulturë ndërsa të rinjtë dhe sektori i kulturës është duke hequr të zinjtë e ullirit për të siguruar fonde për aktivitetet dhe avancim të punës së tyre. Kjo tregon se nuk ka fokusim ne agjende përmbajtjesore por në gjera të kota”-përfundoi Abazi për “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Shpendi ka humbur shumicën

Kurse analisti politik, Faton Mehmeti, shprehet se Shpend Ahmeti duhet të japë dorëheqje edhe nga pozita e kryetarit, pasi tani e tutje puna e tij nuk do të jetë efektive.

“Besoj se Shpendi do te duhet te jep dorëheqje në momentin kur ka vendosur të largohet nga partia qe e solli në krye të Prishtinës, për here të dyte. S’ka sens të mbetesh në post që të ka mundësuar partia dhe të veprosh i pavarur. Tanimë që ka humbur shumicën, do të duhet të shkarkohet pasi s’do jetë efektiv në punën e tij”,-potencoi Mehmeti për “Bota sot”.

Ai më tepër sheh një përplasje mes grupacioneve në Vetëvendosje, se sa nga partitë opozitare karshi Shpendit.

“Rrjedhimisht Prishtina duhet të shkoj në zgjedhje, në mënyrë që mos të përjetoj makthin e më shumë se 3 viteve që i kanë mbetur Shpendit, deri ne fund te mandatit. Mendoj se Shpendi ka gabuar që ka dhenë dorëheqje, gjithsesi është e drejta e tij por nuk ka sens të jetë ende kryetar komune pasi s’mund të realizoj premtimet qe i ka dhënë pa pasur përkrahjen e këshilltarëve nga ish partia e tij. Andaj, shoh më tepër përplasje mes grupacioneve në Vetëvendosje, se nga partitë opozitare karshi Shpendit. Kjo do të jete fatale për Shpendin në krye të komunës, me gjasë do përfundoj shumë shpejt”,-përfundoi Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat