Si dështoi tentimi puçist i të inkriminuarve për të shfuqizuar Specialen

Politika

Si dështoi tentimi puçist i të inkriminuarve për të shfuqizuar Specialen

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 10 mars 2018 Në ora: 11:11
Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Vitin e kaluar, Kryesia se Kuvendit të Kosovës pati dështuar dy herë që të siguronte kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve, që cilët kishin kërkuar seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar.

Ndërsa, veteranët e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, patën deklaruar se nuk do të heqin dorë nga shfuqizimi i Gjykatës Speciale. Më konkretisht, Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Xhavit Jashari, në një intervistë për “Bota sot” në shkurt të këtij viti ka deklaruar se OVL e UÇK-së, është kundër Gjykatës Speciale, por pro krijimit të një gjykate vendore, që do të hetonte gjithë atë që ka ndodhurme UÇK-në. Lidhur me këtë çështje, “Bota sot” ka tentuar që të merr një përgjigje nga përfaqësueses të veteraneve, por ata nuk janë përgjigjur.

Qeriqi: E kemi përkrahur iniciativën

Image
Xhevdet Qeriqi

Në anën tjetër, Xhevdet Qeriqi, Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së ka thënë për “Bota sot” se që nga viti 2015 kanë kundërshtuar formimin e Gjykatës Speciale, pasi e kanë konsideruar si të e një anshme, për shkak se nuk merret me krimet e bëra nga serbët.

“Po unë si përfaqësues i këshillit jam deklaruar disa herë rreth kësaj çështje dhe e kam sqaruar se nuk kemi qenë pjesë e iniciativës së OVL-së për mbledhjen e nënshkrimeve për shfuqizimin e gjykatës speciale, mirëpo ne e kemi kundërshtuar qysh në vitin 2015 formimin e kësaj gjykate për shumë arsye sepse është e njëanshme dhe nuk merret fare me krimet e kryera nga aparati shtetëror serb. Mirëpo pas kësaj iniciativës që u morr  nga OVL rreth kësaj çështje e kemi përkrahur edhe ne”, ka potencuar ai.

Po ashtu, ai ka theksuar se janë për një gjykatë vendore e cila do të merrej me të gjitha krimet e luftës.

“Ne jemi për një gjykatë vendore e cila do të merrej me hetimin e të gjitha krimet e luftës, por jo një gjykatë të njëanshme. Sa i përket se a do të provohet prapë nga institucionet e kuvendit që të marrin ndonjë iniciativë rreth zhbërjes të gjykatës speciale, kishte me qenë mirë të drejtoheni tek ta sepse personalisht nuk kam asnjë komunikim dhe asnjë informacion se si dhe qysh do të veprojnë”, ka deklaruar Qeriqi për “Bota sot”.

Zogaj: Gjykata Speciale nuk ka kthim prapa

Image
Skender Zogaj

Analisti Skender Zogaj, e ka quajtur tentim puçistë nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Përpjekja e zhurmshme për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ishte një tentim puçist i të inkriminuarve në vepra krimesh të rënda gjatë dhe pas luftës së Kosovës, të cilët kanë shpresuar së të bëmat e tyre të zeza nuk do të zbardhen kurrë! Mirëpo, me themelimin e Gjykatës Speciale kjo shpresë e tyre venitet dhe, kjo specie, që gjatë 18 viteve të pasluftës ka mbajtur të ngulfatur institucionet e drejtësisë vendore, ka tentuar që ta ndaloj edhe Gjykatën Speciale! Dhe orvatjet ishin vërtetë skandaloze, sepse, u implikuan edhe institucionet më të larta të vendit, që u zhytën në korin e krrokatjeve të  mjerueshme, sepse, pas miratimeve nga Parlamenti, edhe zogjtë e malit do të duhej ta kishin të qartë se, Gjykata Speciale nuk ka kthim prapa! Prandaj, nisma domosdo që u ndal, apo më mirë të themi u tkurr nën rrashtën e breshkës, për të pritur zhvillimet e ardhshme dhe dimensionin e procesit të Gjykatës Speciale”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka shtuar se qëllimisht propagandojnë se, Gjykata njollos UÇK-në dhe sipas tij nuk është e vërtet pasi që kjo mundëson në pastrimin e kësaj ushtrie.

“Ata që e shohin veten si kandidatë të mundshëm për t'u hetuar, e dinë rolin pozitivë të Gjykatës, mirëpo qëllimisht propagandojnë se, Gjykata njollos UÇK-n, që nuk është aspak e vërtetë, sepse në fakt Gjykata Speciale është mundësia e shkëlqyeshme e pastrimit të UÇK-së nga hipoteka e krimeve, sepse është e mirënjohur se, krimet nuk i ka bërë UÇK-ja , por i kanë bërë individët për qëllime përfitimesh personale ose të grupeve bashkëvepruese të interesit. Prandaj, nuk ka asnjë fije dyshimi se Gjykata Speciale duhet të nis punën sa më parë”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Haziri: Ky ishte skenar i Thaçit

Image
Nexhat Haziri

Analisti politik, Nexhat Haziri ka thënë për “Bota sot” se iniciuesit e shfuqizimit të Gjykatës Speciale tashmë janë pajtuar me Gjykatën Speciale dhe se kjo gjë nuk ka kthim mbrapa.

“Mendoj se tani  jemi në prag të ngritjeve të aktakuzave të para nga Gjykata Speciale, dhe natyrisht iniciuesit e shfuqizimit të sajë tashmë janë pajtuar me këtë fakt, që kjo gjykata nuk kthehet më prapa dhe sikur me frikë në “bark” po i presin ti mësojnë të akuzuarit e parë nga kjo Gjykata”, ka deklaruar Haziri.

Për më tepër, ai ka shtuar se reagimi i opinionit të brendshëm, i  ka detyruar Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn të heqin dorë nga tentimi i tyre.

“Natyrisht se në mos suksesin e tentimit të tyre për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, ishte reagimi i fortë që erdhi nga faktori ndërkombëtar, sidomos nga vendet mike dhe përkrahëse të pavarësisë dhe shtetit të Kosovës, por edhe nga reagimi i opinionit të brendshëm, që i detyroi Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn të heqin dorë nga tentimi i tyre”, ka shtuar ai për “Bota sot”.

Në fund , Haziri ka theksuar se shoqatat e dala nga lufta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë pasur rol të madh, pasi që ka qenë skenar i Thaçit.

“Unë nuk shoh se në këtë tentativë kanë pasur rolë të madh shoqatat e dala nga UÇK-ja, pasi këto të fundit në një far forme kanë qenë vetëm një pjesë e skenarit të përgatitur nga Thaçi & company”, ka përfunduar Haziri për “Bota sot”.

Mehmeti: Pas demarkacionit do të fillojë punën Gjykata Speciale

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti tjetër, Faton Mehmeti, ka thënë se do te këtë tentim por jo të organizuar si herën e fundit dhe se krerët e vendit nuk kanë guxim që të jenë prirës të një nisme të tillë.

“Definitivisht klasa politike ka dështuar për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, dhe kjo pas presionit të madh të bërë nga SHBA. Tanimë është demarkacioni aktual, dhe pas demarkacionit do të filloj punën Gjykata Speciale, si një proces i domosdoshëm në të cilën Kosova duhet të kaloj. Gjithsesi do të ketë tentativa sporadike por jo të organizuara siç ishte e herën fundit, pasi asnjë nga krerët e institucioneve nuk ka guxim për t"i prirë kësaj nisme, ndodhë e dëshirojnë pasi preken direkt nga e gjithë kjo”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Në fund, ai ka thënë se Gjykata nuk ka kthim prapa dhe se mendon se arrestimet e “peshqve të mëdhenj” do të behën jashtë vendit.

“Gjykata Speciale do të filloj punën këtë vit, dhe besoj se Kosova ka mundësi të përjetojë ndonjë situatë të tensionuar. Ndonëse, besoj se peshqit e mëdhenj do të arrestohen jashtë vendit, për mos të pasur tensione në momentin e arrestimeve. Gjithsesi kjo Gjykata nuk ka kthim prapa, dhe ketë duket se kanë kuptuar krerët e institucioneve, të cilët janë të frikësuar shumë”, ka përfunduar Mehemti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat