“Gracka ndaj Vetëvendosjes”, nga çka frikësohet Kadri Veseli?

Politika

“Gracka ndaj Vetëvendosjes”, nga çka frikësohet Kadri Veseli?

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 9 mars 2018 Në ora: 19:24
Kadri Veseli, Vetëvendosje

“Ndalja e fjalës së Frashërit, ka të bëjë me grackën që Veseli iu ngriti këtyre aktivistëve të VV-së, dhe tani që e vërteta po del në pah, Kadriu, nuk po mundet të pranojë një gjë të tillë. Kadriu kishte frikë mos Frashëri ka zbuluar diçka që do ta komprementojë, andaj u ngut t’I ndalë fjalën dhe në anën tjetër, kjo ka të bëjë me mungesën e ndërtimit të profolit të një politikani demokrat, ku mendimi ndryshe, është vlerë”, ka thënë Mehmeti.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, është shndërruar në një cirk për inate personale dhe partiake.

Kështu kanë pohuar njohës të çështjeve politike, të cilët kanë komentuar veprimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili në seancën e Kuvendit, ia ka ndalur mikrofonin deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Frashër Krasniqi.

Ky i fundit, u ndalua të shprehej, në momentet kur nisi të fliste për rastin gjyqësor të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

E në konferencën para gazetarëve, pas përfundimit të seancës, deputeti Krasniqi, ka treguar se deputetëve do t’ thoshte se si do tua kthejnë dy vite të tyre të humbura, vuajtjet e familjes e shokun e humbur, Astrit Dehari.

“Arsyeja pse ma ndaloi fjalimin Kadri Veseli ishte se e ka kuptuar që procesi gjyqësor ka qenë i montuar dhe e ka shfrytëzuar këtë politikisht. Po shihet që jemi të pafajshëm, edhe Veseli e din këtë, që i ka shku fytyra. E vërteta e rastit tonë është që ai nuk do me ni për neve, lë për neve, por as për qytetarët e tij. Kam pas me iu thanë deputetëve të PDK-së që na kanë thënë terrorist, pa asnjë vendim gjyqësor. Çka doni me thanë sot para qytetarëve, para nënave tona, para familjeve tona. A doni me kërkuar falje që dy vjet të jetës na i keni humb, që shokun na keni marr, a doni me dal me kërkuar falje sot, ku çdo raport i gjykatave ka treguar se ka pas parregullsi e na jemi të pafajshëm”, ka thënë Krasniqi pas lëshoi seancën e Kuvendit.

Ndërsa, shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, ka thënë se Veselit i doli fytyra e vërtetë e gangsterit, për shkak se ia ndaloi të drejtën elementare një deputeti.

“Kadri Veseli me qasjen e tij kallxoi që Frashërin ende e  konsideron terrorist dhe ka dorë drejtpërdrejtë në atë çka i ka ndodh Vetëvendosjes, Veseli është që ka pas dorë në këtë”, ka thënë Konjufca.

Ndërkaq, njohësit e zhvillimeve politike në vend, kanë thënë se ndalja e mikrofonit nga kryeparlamentari Veseli, ka të bëjë me mungesën e ndërtimit  të profilit të një politikani demokrat.

Mehmeti: Veseli po mendon se po jep urdhra si shef i SHIK-ut

Sipas analistit politik Faton Mehmeti, Kadri Veseli, vazhdon të jetë në krye të Shërbimit Informativ të Kosovës, ndonëse zyrtarisht kjo organizatë është shpërbërë. Ai ka thënë për “Bota sot”, se Veseli nuk po mund të dallojë rolin e kryetarit të Kuvendit nga shefi i SHIK-ut.

“Mendoj se Kadri Veseli, ende vazhdon të jetë kreu i SHIK-ut, I cili ndonëse zyrtarisht është shpërbërë, prapë se prapë, vazhdon aktivitetin e tij. Në këtë logjikë, po vepron edhe Kadriu, i cili nuk po mund të ndajë veç e veç rolin e kryetarit të Kuvendit dhe të shefit të SHIK-ut. Kadriu është mësuar që të jap urdhëra dhe fjala e tij në SHIK është ligj, ndërsa në Kuvend është tjetër gjë. Në Kuvend duhet të respektohet demokracia dhe mendimi ndryshe, gjë që Kadriu nuk po mundet ta kapërdijë”, është shprehur Mehmeti.

Mehmeti më tej ka theksuar se ndalja e fjalës së deputetit Krasniqi, ka të bëjë me “grackën që Veseli ua ka ngritur këtyre aktivistëve të Vetëvendosjes”.

Image
Faton Mehmeti

“Ndalja e fjalës së Frashërit, ka të bëjë me grackën që Veseli iu ngriti këtyre aktivistëve të VV-së, dhe tani që e vërteta po del në pah, Kadriu, nuk po mundet të pranojë një gjë të tillë. Kadriu kishte frikë mos Frashëri ka zbuluar diçka që do ta komprementojë, andaj u ngut t’I ndalë fjalën dhe në anën tjetër, kjo ka të bëjë me mungesën e ndërtimit të profolit të një politikani demokrat, ku mendimi ndryshe, është vlerë”, ka thënë Faton Mehmeti.

Ai ka shtuar se është mëkat që në krye të shtetit, janë njerëzit më të pavlerë të shoqërisë së Kosovës.

“Kadriu ka tipare komuniste që vetëm fjala e tij të jetë ligj. Është shembull I keq që një kryetar Kuvendi t’ia mohojë dikujt të flas në Kuvend, përderisa nuk thyen rregullat. Është mëkat për vendin që në krye të shtetit janë njerëzit më të pavlerë të shoqërisë”, ka përfunduar analisti Mehmeti për “Bota sot”.

Krasniqi: Kuvendi është shndërruar në cirk

Edhe sipas publicistit Faik Krasniqi, Kadri Veseli është frikësuar dhe për këtë ia ka ndalur mikrofonin deputetit të VV-së.

Ai ka theksuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës, Kuvendin e kanë shndërruar në cirk për inate personale dhe partiake.

“Nëse merremi me teori konspiracioni, atëherë mund të themi se Kadri Veseli është frikësuar nga gjithçka. Por nëse Frashër Krasniqi di diçka që ne nuk dimë, atëherë ato gjëra mund t'i thotë edhe jashtë foltores së Kuvendit. Sidoqoftë, deputetët e Kuvendit të Kosovës më shumë jam duke i parë në rolin e komikëve se të zgjedhurit e popullit. Kuvendin e kanë shndërruar në cirk për inate personale dhe partiake”, ka thënë Faik Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Image
Faik Krasniqi

Ndryshe, deputeti Frashër Krasniqi, iu rikthye punës në Kuvend, pasi Gjykata e Apelit, ka vendosur që ta lirojë nga paraburgimi, për sulmin në Kuvend.

Krasniqi mori fjalën në Seancën e Kuvendit duke kërkuar që tu bëjë disa pyetje deputetëve të PDK-së.

“Siç mund ta dini të hënë Gjykata e Apelit i liroi aktivistët e VV-së. Unë kam dalë këtu për t’ua parë ftyrën juve deputetëve të PDK-së dhe të LDK-së edhe t’ua bëj disa pyetje”, ka thënë Krasniqi.

Mirëpo, kreu i Kuvendit ia ka ndalur fjalën atij, duke I thënë se ai nuk do të flet në ato minuta përderisa ai është kryetar.

“Ndale fjalën e shko në vend. A patriotizëm po na shet a?. Ndale fjalën, regjia, shko në vend. Si ke minutat, e kreve, shko në vend. S’ke me fol sa të jem unë kryetar sot”, ka thënë Veseli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat