Haradinaj “falë” Serbinë për krime, pa i pyetur viktimat e luftës

Politika

Haradinaj “falë” Serbinë për krime, pa i pyetur viktimat e luftës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 2 mars 2018 Në ora: 17:59
Ramush Haradinaj, Aleksandar Vuçiq

Nga lufta e fundit në Kosovë kanë vdekur mijëra njerëz, shumë prej të cilëve ende nuk u janë gjetur as eshtrat, duke lënë kështu në pritje familjarët e tyre.

Derisa për vrasjet e këtyre njerëzve, ende nuk është vënë drejtësia, kryeministri i vendit, njëherësh ish komandant i UÇK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka humbur edhe vet familjarë gjatë luftës, ka thënë se është i gatshëm të falë serbët për ato që kanë bërë.

Haradinaj ka thënë se Kosova është e gatshme ta falë Serbinë por jo ta harrojë atë çfarë ka bërë.

“Vendi i tij është i gatshëm ta falë Serbinë, por jo të harrojë atë që ka bërë ky vend. Gjithashtu mendojmë se është koha për ta bërë një gjë të tillë”, shkruan BBC të ketë thënë Haradinaj gjatë një interviste.

E për këto deklarata të kryeministrit, analistët kanë dhënë mendimet e tyre.

Shahu: Haradinaj mund të falë, por duhen pyetur varrezat, invalidët, të dhunuarit

Image
Rexhep Shahu

Njohësi i zhvillimeve politike, Rexhep Shahu i quan shaka të pushtetit deklaratat e tilla, derisa shton se një komandant lufte shëmton veten me deklarata të tilla.

“Këto janë deklarata shumë kristiane, më shumë se kristiane, nuk mundet Kosova ta kthejë faqen tjetër kur e godasin në njërën faqe, këto janë shaka pushteti, janë pagesa për të qëndruar në pushtet. Unë nuk e di as kuptoj kontekstin, por një hero lufte, një komandant real lufte shëmton veten me deklarata të tilla. Haradinaj mundet të falë kë të dojë, por duhen pyetur varret e Kosovës a janë gati të falin, duhen pyetur të zhdukurit, duhen pyetur invalidët e luftës realet e jo mashtruesit, duhen pyetur të përdhunuarat e luftës dhe vonë shumë vonë mundet me falë Haradinaj”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Sipas Shahut, Serbia duhet të kërkojë falje.

“Serbia duhet të kërkojë minimalisht falje dhe jo ta çojë sh... përpjetë, t'ia marrë Kosovës edhe viktimizimin për shkak të budallallëqeve të politikanëve të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Mehmeti: Haradinaj po i lëndon dy herë të vrarët, ka frikë nga Specialja

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti se Haradinaj dikur e kritikonte Thaçin që përulej para varrezave serbe, ndërsa tash bën thirrje për t’i falë serbët, duke harruar faktin që Serbia duhet të kërkojë falje.

“Deklarata e Ramushit edhe politike dhe është krejtësisht e kuptueshme që bëhet pikërisht në prag të arrestimeve nga Gjykata Speciale. Dikur e kritikonte Thaçin që përulej para varrezave serbe, ndërsa sot bën thirrje për falje. Kjo tregon fytyrën e vërtetë të liderëve tanë, të cilët sipas interesave ndërrojnë edhe qëndrimet. Është e vërtetë që Kosova duhet të falë por jo të harrojë, por këtë duhet ta bëjë pasi Serbia të pranojë fajin. Si mund të flasësh dikë që nuk e ndjen veten fajtor, apo nuk e quan të tillë”, vlerëson Mehmeti.

Ai thotë, se kjo i lëndon dy herë ata që janë vrarë, derisa shton se këto janë lojëra për shkak të frikës nga Specialja.

“Kjo i bie që po lëndon dy herë ata që janë vrarë, e të cilët Serbia i quan terroriste. Nuk ka sens të falësh pa pranuar fajin Serbia, vetëm atëherë mund të flasësh dikë. Këto lojëra politike bëhen nga frika e Gjykatës Speciale, politikanët tanë janë shndërruar në palaço. Fatkeqësisht idealet e dëshmorëve i përfaqësojnë këta matrapazë, që nuk dinë as kur duhet të flasin as kur duhet të godasin dhe as kur duhet të mbrohen. Ramushit i ka hi tuta, ashtu si Thaçit. Së shpejti do e shohim duke u përulur përpara varreza serbe, vetëm që të amnistohen nga arrestimet. Tani po bëhen lojëra mes komandantëve se kush kujt t’ia fut, e kush të shpëtojë. Do shohim edhe më tutje deklarata ledhatuese për Serbinë, për “serbët”, është shprehur Mehmeti për “Bota sot”.

Deklarata e Haradinajt për të fuqizuar personalitetin e tij

Image
Nexhat Haziri

Në anën tjetër, opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se Kosova ka qenë e sulmuar, e okupuar dhe nga Serbia nuk shihet gatishmëri për të kërkuar falje.

“Kujtoj se kërkim faljet dhe pajtimet në mes popujve dhe shteteve në Ballkan, duket të jenë një proces jo i lehtë dhe jo i afërt pasi, shtete të cilat kanë qenë të involvuara në shpërbërjen e përgjakshme të ish federatës jugosllave, nuk duan të marrin përgjegjësi për gjithë ata njerëz të vrarë, vuajtje dhe shkatërrime që mbeten pas kësaj odiseje të përgjakshme. Në këtë aspekt, Kosova është shteti që më së paku ka përgjegjësi, pasi ishte e okupuar dhe e sulmuar nga Serbia dhe se nuk i kuptoj pse liderët shtetëror të Kosovës nguten për gjoja pajtim apo falje për gjithë viktimat që i shkaktoi agresioni serb në Kosovë, kur në Serbi nuk shohim një gatishmëri që ata të kërkojnë falje Kosovës për të gjitha vuajtjet e shkaktuara, viktimat, dëmet materiale, e të tjera”, ka vlerësuar ai.

Sa i përket deklaratës së Haradinajt, Haziri thotë se është e ngutshme dhe është një përpjekje për të fuqizuar personalitetin e tij.

“Edhe deklarata e kryeministrit Haradinaj, e shoh në këtë aspekt, të një ngutje pa nevojë, ndoshta Haradinaj sikur edhe Thaçi dhe të tjerët, me këto veprime po dëshirojnë të lënë përshtypjen sidomos në rrafshin ndërkombëtar dhe në raport me Brukselin, se janë “xhentëlmen” dhe sikur pajtimi dhe kërkim falja si procese në rajonin e Ballkanit varet nga ta. Kosovës më së paku i takon që të jetë nismëtare në këtë aspekt. Është Serbia që do të duhet të kërkojë falje dhe të shtrijë dorën e pajtimit dhe bashkëpunimit në rajon duke hapur faqe të reja të bashkëpunimit rajonal e ndërshtetëror me Kosovën, dhe natyrisht në bazë të sinqeritetit që ka kjo kërkim falje edhe Kosova duhet të reflektojë. Por nuk ka sinjale në Serbi se kjo gjë mund të ndodhë, andaj deklaratat e Haradinaj për gatishmërinë e Kosovës për falje, e shoh vetëm si një përpjekje për ta fuqizuar personalitetin e tij, që për fat të keq duhet ta pranojmë se Haradinaj nuk ka një reputacion të mirë në rrafshin ndërkombëtar”, ka deklaruar Nexhat Haziri për “Bota sot”.

Krasniqi: Ofendim për familjet e të vrarëve

Image
Faik Krasniqi

Se Serbia duhet të kërkojë falje mendon edhe analisti politik Faik Krasniqi, i cili thotë se Serbia po ashtu duhet të paguajë dëmet e luftës dhe më pas ta njohë Kosovën e vetëm atëherë të falet.

“Një deklaratë e tillë e kryeministrit Haradinaj, është e pa menduar mirë. Serbia përveç që do të duhej të kërkonte falje për krimet e tmerrshme që ka bërë ndaj shqiptarëve, është e obliguar që të paguajë edhe dëmet e luftës. Një kërkim falje dhe dëmshpërblimi për gjitha viktimat e luftës, do t'i hapte rrugë edhe pajtimit mes shqiptarëve dhe serbëve. Dhe pas pajtimit edhe njohja reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Në të kundërtën as që do të vinte në shprehje që Kosova ta falë Serbinë për krimet që i ka bërë ndaj shqiptarëve”, ka deklaruar ai.

Sipas Krasniqit, është ofendim për familjet e viktimave të luftës, nëse Qeveria bën një gjë të tillë në emër të pajtimit shqiptaro-serb.

“Do të ishte ofendim i rëndë ndaj familjeve të viktimave shqiptarë të vrarë gjatë të luftës, nëse Qeveria e Kosovës në emër të pajtimit shqiptaro-serb do ta bënte një gjë të tillë. Serbia përveç që nuk do ta bënte një gjë të tillë nëse shqiptarët do të ishin agresorët, por ata me dekada të tëra as që do komunikonin me ne, e lëre më të futeshin në bisedime, ashtu siç u futëm ne, madje pa asnjë kusht të vetëm. Kjo tregon atdhedashurinë e shqiptarëve ndaj shtetit tonë, dhe atdhedashurinë e serbëve ndaj shtetit të tyre”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

Kujtojmë që 2 mijë e 466 qytetarë të Kosovës vazhdojnë të jenë të zhdukur sipas të dhënave zyrtare të bëra nga Komisionit Ndërkombëtarë për Personat e Pagjetur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat