Shërbyesit diplomatik të Kosovës do të rivlerësohen nga Ministra e Jashtme

Politika

Shërbyesit diplomatik të Kosovës do të rivlerësohen nga Ministra e Jashtme

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 1 mars 2018 Në ora: 20:53
Ambasada

“Tashmë është e qartë mënyra e përzgjedhjes së ambasadorëve Kosovar në perëndim, por nuk duhet krijuar komfortin të njëjtëve që të gëzojnë të drejta të pafundta menjëherë pasi të dalin nga Kosova duke u larguar nga syri i publikut, sepse të njëjtit duhet vlerësohen për punën e tyre, në veçanti nga komisionet e brendshme të MPJ-së, të cilat deri më tash nuk kanë dëshmuar profesionalizëm në këtë aspekt. Ky hap i ndjekur nga Ministri Pacolli padyshim se do ketë efektin e vet, po që se i njëjti nuk ndikohet nga agjendat politike, ndërsa pastrimi i shërbimeve diplomatike të Kosovës nëpër botë është vetëm hapi i parë karshi ri dimenzionimit dhe ristrukturimit të diplomacisë sonë” ka deklaruar Adlum Ramadani, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ministria e Punëve të Jashtme, javën që shkoi ka angazhuar një Komision për Grada dhe Disiplinë, i themeluar me vendim të ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i cili do të bëjë vlerësimin e gradimeve për shërbyesit diplomatik dhe konsullor të Kosovës, që posedojnë grada diplomatike apo konsullore nën nivelin e ambasadorit, por jo edhe të vetë asaj të ambasadorit.

Ndonëse, ky komision nuk do të bëj vlerësimin e ambasadorëve, megjithatë, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare, këtë nismë e kanë konsideruar si të qëlluar, duke marrë parasysh kritikat e vazhdueshme lidhur me performancën e nëpunësve nëpër ambasada të Kosovës.

Image
Rejhan Vuniçi

Vuniçi: Ky ishte një hap pozitiv

Rejhan Vuniçi, zëvendës ministre në Ministrinë e Jashtme në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se ky është njëri ndër hapat pozitiv që do të ndërmerren në përmirësimin e gjendjes në diplomacinë kosovare.

“Në vazhdën e masave të ndërmarra për qeverisjen e mirë dhe efikase, Ministri Pacolli ka themeluar Komisionin për Grada dhe Disiplinë, mekanizëm që parashihet me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm. Ky komision ka për qëllim, shqyrtimin e të gjitha kërkesave për gradime të diplomatëve, për aq sa i plotësojnë kushtet, si dhe krijimin e standardëve të larta dhe kredibile në procesin e gradimeve që ndodhin në shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës. Më lejoni të ju them, që ky është vetëm njëri ndër hapat pozitiv që do të ndërmerren në përmirësimin e gjendjes në diplomacinë kosovare. Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme Z.Behgjet Pacolli, ka kërkuar që komisioni për Grada dhe Disiplinë të punojë bazuar në ligj, rregullore dhe kritere objektive të vlerësimit të kërkesave që janë parashtruar për dhënien e gradave diplomatike” ka përfunduar Vuniçi.

Image
Anton Berisha

Ndërsa zëvendës ministri tjetër Anton Berisha ka thënë se ky gradim është bërë në bazë të kritereve dhe standardeve

“Nuk është fjala për nismë. Është procedure e zakonshme që ekziston në çdo shërbim diplomatik dhe e përcaktuar me ligj. Puna e komisionit duhet të jetë shqyrtimi rast për rast i çdo anëtari të stafit diplomatik dhe vlerësimi i tyre. Shpresoj që kjo do të bëhet duke u bazuar në kritere dhe standarde që janë të përcaktuara sipas praktikave të mira” ka përfunduar Berisha

Ramadani: Vlerësimi i gradimeve duhet të bëhet më shpeshta

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Adlum Ramadani, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se pastrimi i shërbimeve diplomatike është hapi i parë karshi ridimenzionimit dhe ristrukturimit të diplomacisë sonë.

Image
Adlum Ramadani

“Nisma për vlerësimin e gradimeve për shërbyesit diplomatik dhe konsullor të Republikës së Kosovës është reflektim i punës serioze të Ministrit të Jashtë karshi diplomacisë që Kosova zhvillon me aleatët e saj dhe më gjerë. Vlerësimi i gradimeve duhet të bëhet në suaza më të shpeshta kohore pasi që kësisoj diplomacia e Kosovës rrit efektivitetin e saj në botë përmes kuadrove të reja profesionale. Tashmë është e qartë mënyra e përzgjedhjes së ambasadorëve Kosovar në perëndim, por nuk duhet krijuar komfortin të njëjtëve që të gëzojnë të drejta të pafundta menjëherë pasi të dalin nga Kosova duke u larguar nga syri i publikut, sepse të njëjtit duhet vlerësohen për punën e tyre, në veçanti nga komisionet e brendshme të MPJ-së, të cilat deri më tash nuk kanë dëshmuar profesionalizëm në këtë aspekt. Ky hap i ndjekur nga Ministri Pacolli padyshim se do ketë efektin e vet, po që se i njëjti nuk ndikohet nga agjendat politike, ndërsa pastrimi i shërbimeve diplomatike të Kosovës nëpër botë është vetëm hapi i parë karshi ri dimenzionimit dhe ristrukturimit të diplomacisë sonë” ka përfunduar Ramadani.

Image
Besnik Hoti

Hoti: Kosova ka mungesë të diplomatëve të karrierës

Ndërsa, Besnik Hoti, profesor i të drejtës ndërkombëtare dhe zëvendës ministër në MPJ ka thënë për “Bota sot” se procesi i reformimit nuk është një veprim i vetëm i komisionit për Gradim dhe Disiplinë.

“Kosova pas shpalljes së pavarësisë më 2008 themeloi edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe hapi me dhjetëra ambasada dhe konsullata në shtet kryesore botërore duke ndërtuar, në të njëjtën kohë, marrëdhënie diplomatike me to. Si shtet i ri, Kosova ka mungesë të diplomatëve të karrierës dhe të njerëzve të mirë-kualifikuar në fushën e politikës ndërkombëtare. Duke e parë këtë mungesë kuadri, Akademia Diplomatike duhet të ofroj përgatitje profesionale për personelin në shërbimin e jashtëm”, ka thënë Besnik Hoti.

Mënyra e përzgjedhjes

Sipas tij, kjo është procedure e zakonshme vjetore e Ministrisë së Punëve të ashtme. Diplomatët vlerësohen sipas procedurave të zakonshme në bazë të ligjit Nr. 03/L-122, Për shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, dhënia e gradave, avancimi i nëpunësve të shërbimit të jashtëm bëhet duke u mbështetur në sistemin e gradimit. Elementet kryesorë në dhënien e një grade për anëtarin e shërbimit të jashtëm janë koha e shërbimit, kualifikimi dhe vlerësimi i rezultateve të punës. Dhënien e gradave diplomatike dhe konsullore e bën Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës në përputhje më ligjin Nr. 03/L-122 dhe rregulloren për Shërbimin e Jashtëm. Procesi i reformimit nuk është një veprim i vetëm i Komisionit për Gradim dhe Disiplinë. Reformimi është çështje e ligjit për Shërbimin e Jashtëm dhe jo veprimi parcial apo i momentit” ka përfunduar Hoti

Image
Gjergj Dedaj

Ndryshe, Zëvendës Ministri tjetër nga MPJ-ja Gjergj Dedaj ka thënë për “Bota sot” se jo të gjithë e kuptojnë diplomacinë.

“Mendoj se diplomacia është një art dhe dhunti të cilën jo të gjithë e kuptojnë dhe fare pak mund ta ushtrojnë. Këtë nuk mund ta bëjnë militantet partiak por autoritetet e dëshmuara profesionale, të dinjitetshëm dhe arsimuar” ka përfunduar Dedaj.

“Kosova pas shpalljes së pavarësisë më 2008 themeloi edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe hapi me dhjetëra ambasada dhe konsullata në shtet kryesore botërore duke ndërtuar, në të njëjtën kohë, marrëdhënie diplomatike me to. Si shtet i ri, Kosova ka mungesë të diplomatëve të karrierës dhe të njerëzve të mirë-kualifikuar në fushën e politikës ndërkombëtare. Duke e parë këtë mungesë kuadri, Akademia Diplomatike duhet të ofroj përgatitje profesionale për personelin në shërbimin e jashtëm”, ka thënë Besnik Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat