“Demarkacioni me Serbinë, problemi më serioz në zonën e Karaçevës në Kamenicë”

Politika

“Demarkacioni me Serbinë, problemi më serioz në zonën e Karaçevës në Kamenicë”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 26 shkurt 2018 Në ora: 15:55
Foto ilustrim

Politologu Mentor Tahiri, ka komentuar lidhur me deklaratën e kryeparlamentarit Kadri Veseli , i cili ka paralajmëruar se pas demarkacionit me Malin e Zi, pritet të nis procesi i demarkimit të kufirit me Serbinë.

Tahiri, duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se demarkacioni me Serbinë, është një proces i nevojshëm.

“Demarkimi i kufirit me Serbinë, është një proces i nevojshëm dhe kjo legjitimon shtesë Kosovën në kuadër të sistemit politik ndërkombëtarë. Janë shtetet ato që sipas të drejtës ndërkombëtarë duhet të bëjnë demarkimin e kufirit mes tyre. Në këtë kuptim ka qenë e nevojshme të kuptohet edhe demarkimi i kufirit me Malin e zi, ngase ai ka përforcuar praninë e Kosovës në sistemin politik ndërkombëtar”, ka thënë Tahiri.

Image
Mentor Tahiri

Sipas tij, për zgjidhjen e çështjes së kufirit me Serbinë, nuk priten vështirësi, pasi siç ka thënë ai, vija kufitare është e qartë deri në detaje.

“Për dallim prej kufirit aktual me Malin e Zi, i cili fillon vetëm pas themelimit të autonomisë së Kosovës në procese pas luftës së dytë botërore, kufiri aktual me Serbinë ka një historik më të gjatë. Në këtë drejtim demarkimi i tij është diku më i thjeshtë, e diku me ndonjë paqartësi eventuale. Aty ku kufiri aktual përcjellë kufirin e vitit 1878 ndërmjet Perandorisë Osmane (Vilajetit të Kosovës) dhe Serbisë, ashtu siç ishte përcaktuar me Kongresin e Berlinit, nuk priten aspak vështirësi ngase vija kufitare është e qartë deri në detaje”, ka pohuar politilogu.

Ai ka përmendur edhe ndryshimet, që ka pësuar ky kufi ndërshterëor.

“Ky kufi ishte ndërshtetëror qysh para 140 viteve. Por për dallim nga viti 1878, kufiri ka pësuar ndryshime në tre segmente. Segmenti i parë janë pjesët e kufirit në drejtim të komunave Preshevë-Bujanoc-Medvegjë, ku ndryshimet të cilat janë realizuar deri në fund të viteve 50-të kanë dëmtuar tërësinë gjeografike të Kosovës. Segmenti i dytë është në zonën e Leposaviqit, kurse segmenti i tretë është në drejtim të komunës së Novi Pazarit, kufi ky i cili është vendosur pas krijimit të autonomisë së Kosovës”, ka thënë Tahiri, derisa ka paralajmëruar se këto segmente mund të pësojnë ndryshime.

Sipas Tahirit, problem më serioz është ai në zonën e Karaçevës në Kamenicë.          

 “Në këto segmente mund të ketë ndryshime minimale në terren në raport me gjendjen e tanishme, ngase ka dokumentacion i cili flet si për kufirin e vitit 1878, ashtu edhe për ndryshimet të cilat janë realizuar ndër vite, por që kanë përfunduar në vitin 1959. Që nga ajo kohë kufiri më nuk ka lëvizur, kurse problemi i vetëm serioz i deklaruar është ai në zonën e Karaçevës në Kamenicë, por i cili në gjendjen aktuale në terren është i realizuar sipas Marrëveshjes së Kumanovës”, është shprehur ai.

Ai ka theksuar se demarkimi i kufirit me Serbinë nuk duhet parë si diçka negative, pasi Serbia në mënyrë të drejtpërdrejtë do të pranojë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Sipas Tahirit, ky edhe do të mund të jetë kusht i vënë nga diplomacia ndërkombëtare për Serbinë.

Në parim, demarkimi i kufirit me Serbinë nuk duhet parë assesi si diçka apriori negative. Përkundrazi, në një proces të demarkimit, Serbia në mënyrë të drejtpërdrejtë do të pranojë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Por, pikërisht ky fakt, na sugjeron se procesi i demarkimit me Serbinë, mund të ndodhë vetëm në mënyrë sinkronike në vazhdën e modaliteteve diplomatike me anë të të cilave Serbia do të njihte ekzistimin e Shtetit të Kosovës. Kjo edhe mund të jetë një kusht i vënë nga diplomacia ndërkombëtare, në mënyrë që të shmangen paqartësi të mëvonshme. Përgjithësisht, aty ku nuk ka një qartësim të detajuar të vijës kufitare, fshihen edhe burime latente për konflikte të mëvonshme, gjë që nuk do të lejohet nga akterët ndërkombëtarë, por gjithashtu do të ishte e pafalshme që të bartet si problem potencial tek gjeneratat tjera”, ka shtuar për gazetën “Bota sot”, politologu Mentor Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat