Gjuha ndaj LDK-së, Anton Quni i jep “leksion” Ramush Haradinajt!

Politika

Gjuha ndaj LDK-së, Anton Quni i jep “leksion” Ramush Haradinajt!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 25 shkurt 2018 Në ora: 14:57
Anton Quni dhe Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në seancën e jashtëzakonshme për Demarkacionin me Malin e Zi, është shfaqur i nervozuar.

Ai ka pasur debat të ashpër me deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, veçanërisht me shefin e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hoti, duke i akuzuar ata se po bllokojnë miratimin e kësaj Marrëveshjeje.

LDK edhe në seancën e së premtes insistoi në qëndrimin e saj kundër nenit ku përfshihet Raporti i Shpejtim Bulliqit në Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion.

Mirëpo, kjo nxiti reagim të ashpër të kryeministrit Haradinaj, i cili iu drejtua këtij subjekti me akuza dhe fjalë të rënda.

“Marre ju koftë … jeni kundër raportit ku mundet me u gjet territor, ku po ju dhembë, a keni problem nëse kthehet guri. Pse po ju dhembë qaj raport o burra, ju po pranoni deklaratën e presidentëve e jo raportin e Bulliqit. Komisioni e ka prodhuar një raport, pse po ju dhemb o burra. Asnjë germë nuk i hiqet këtij ligji. Leni pa viza dhe pa liberalizim qytetarët”, është shprehur Haradinaj, në fjalimin e tij drejtuar deputetëve të LDK-së.

Por, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i është kundërpërgjigjur Haradinajt menjëherë, duke i thënë se i vjen turp se si një kryeministër përdor këtë gjuhë, me të cilën u drejtohet deputetëve që përfaqësojnë qytetarët e vendit.

“Kush është patriot e kush është tradhtar dihet në këtë vend. Tri vite e keni mbajtur këtë shoqëri të ndarë me kauza të rrejshme. Grupi jonë parlamentar nuk voton raportin me kauza të rrejshme, jemi pajtuar që ai raport bashkë me të gjitha raportet tjera t’i bashkohen ligjit, le ta shohin deputetët dhe le të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre. Nuk kemi asnjë problem tjetër. Unë e lus kryeministrin të jetë i kujdesshëm kur iu drejtohet 27 deputetëve që janë tri herë më shumë sesa partia e tij që përfaqësojnë qytetarët e Kosovës këtu, ka njerëz që i kanë tokat atje ku ti iu referohesh por që janë të arsyeshëm dhe të kujdesshëm duke e respektuar çdo normë juridike. Me këtë gjuhë mua më vjen turp për kryeministrin e vendit që iu drejtohet përfaqësuesve të popullit”, është shprehur Hoti në Kuvend.

Image
Anton Quni

Quni: Gjuha agresive e Haradinajt, po e thellon problemin

E kritik ndaj gjuhës së përdorur ndaj deputetëve të LDK-së, nga kryeministri në seancën për Demarkacionin, është shprehur edhe deputeti i kësaj partie Anton Quni. Ky i fundit, duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Haradinaj, duhet të kuptojë se kultura e komunikimit, është parakusht për të shtruar një bisedë për të arritur një pajtim.

Sipas deputetit Quni, gjestikacioni agresiv dhe ofendimet nga kryeministri Haradinaj, nuk janë mënyra për tu zgjidhur problemet, përkundrazi, sipas tij, kjo mënyrë e thellon problemin.

“Një lider, aq më shumë një kryeministër duhet të kuptojë se kultura e komunikimit është parakusht për të shtruar një bisedë për të arritur një pajtim. Edhe nëse qëndrimet janë diametralisht të kundërta, bashkëbiseduesit duhet të trajtohen me respekt të ndërsjelltë. Ngritja e zërit, gjestikacioni agresiv dhe ofendimet nuk janë mënyra për tu zgjidhur problemet, përkundrazi kjo mënyrë e thellon problemin. Posaçërisht në kulturën shqiptare këto janë të huaja”, ka deklaruar Quni.

Ai ka shtuar se mënyra e komunikimit, ndikon më së shumti te rinia, prandaj, sipas tij, duhet të jepen shembuj të mirë.

“Në kohën kur po e zhvillojmë kulturën parlamentare, duhet të kemi parasysh po ashtu edhe në konsideratë, mënyrën e komunikimit, e cila ka ndikim tek qytetarët e më së shumti te rinia. Prandaj, le tu japim shembuj të mirë”, ka përfunduar deputeti i LDK-së, Anton Quni për “Bota sot”.

Image
Hidajet Ahmeti

Ahmeti: Të mos legjitimohet injoranca e arroganca e udhëheqësve

Edhe sipas analistit politik Hidajet Ahmeti, fjalori i përdorur nga kryeministri Haradinaj, nuk përkon me suazat e fjalorit të një udhëheqësi dhe me normat morale e politike.

Ai e ka quajtur të papranueshme gjuhën ofenduese, injorancën dhe arrogancën e udhëheqësit të ekzekutivit të Kosovës.

“Fjalori i kryeministrit Ramush Haradinaj, nuk është brenda suazave të fjalorit të një udhëheqësi dhe nuk përkon me normat morale e politike. Maturia politike, konsistenca në qëndrime e fjalori brenda kornizave të një udhëheqësi të një institucioni vendimmarrës, janë parimet bazike që duhet të ketë një burrështetas. Parlamenti është vendi ku duhet diskutuar brenda gjuhës parlamentare, kodit etik e jo gjuha ofenduese, injoranca e arrogance të zënë vend në gjuhën e politikanëve e mbi të gjitha të një udhëheqësi të një ekzekutivi”, është shprehur Ahmeti, për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, nuk duhet të legjitimohen në heshtje, etiketimet, fyerje dhe sharjet në institucionin më të lartë të shtetit.

“Duhet të ndërtohet standard që gjuha ofenduese në institucionin më të lartë përfaqësues të sanksionohet brenda kornizave të demokracisë, e jo t’i jepet mundësi që etiketimet, fyerjet, sharjet të legjitimohen në heshtje”, ka shtuar Hidajet Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat