Së shpejti “furtuna” e Gjykatës Speciale

Politika

Së shpejti “furtuna” e Gjykatës Speciale

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 25 shkurt 2018 Në ora: 08:04
Gjykata Speciale

Kosovën pas përvjetorit të pavarësisë e presin shumë ngjarje të rëndësishme që kanë mbetur pezull, si pasojë e premtimeve të mëdha nga liderët e shtetit. Ndonëse u premtua vite më parë që Kosova 10 vjetorin do ta pres me shumë zhvillime, kjo gjë nuk ndodhi.

Kosova ende nuk është e anëtarësuar në shumë organizata botërore, ende nuk është liberalizuar nga vizat, ende nuk ka ushtri e po ashtu nuk e ka zgjidhur çështjen e demarkacionit dhe asociacionit. Nga vlerësimet e shumta të organizatave ndërkombëtare, Kosova ende del të jetë e zhytur në krim dhe korrupsion, duke iu bllokuar kështu rruga drejtë Bashkimit Evropian.

Por, një çështje tjetër e një rëndësie po ashtu të madhe është Gjykata Speciale, e cila shpejtë mund të filloj punën e saj dhe të shkaktoj trazira në vend. Kështu mendojnë edhe njohësit e çështjeve politike në vend.

Krerët e krimit në krye të institucioneve

Kështu, publicisti dhe njohësi i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj, thotë se pyetja, gjithnjë aktuale, nëse e pret Kosovën furtuna e Gjykatës Speciale, tani, pas jubilarit të pavarësisë, logjikisht, po.

Image
Idriz Zeqiraj

”Shqetësimi i opinionit të brendshëm, por, edhe të jashtëm, se vonesa, në vite e dekada, vështirëson hetimet për krimet masive, është sa i ligjshëm, aq edhe i bazuar. Aq më tepër kur në krye të institucioneve, pushtetare e shtetërore, janë krerët e krimit të organizuar vrastar dhe të korrupsionit galopant, të hajnisë zyrtare, ka potencuar ai.

Zeqiraj ka kujtuar kështu, disa nga krimet më të rënda që kanë ndodhur në Kosovës e që nuk janë zbuluar ende.

“Lë të kujtojmë vjedhjen, më saktë, asgjësimin e materialeve hetimore, në dhomat e dëshmive, në Policinë e Pejës dhe në Ministrinë e Brendshme në Prishtinë.  Themi marrjen, asgjësimin dhe jo, thjeshtë, vjedhjen, sepse aty, në vijimësi, punonin dhe vazhdojnë të punojnë kuadrot e SHIK-ut, kuadrot e krimit. Ata kanë emër e mbiemër, si drejtorë qendror e rajonal të SHIK-ut ilegal, para se të vinin në zyrat institucionale legale. Megjithatë, një rreze shprese gëlon e ngushëllon edhe pas kësaj batërdie, ploje, në zhdukjen e dokumentacionit hetimor, deri edhe vrasjen e dhjetëra dëshmitarëve dhe kërcënimin e frikësimin e shumë qindrave të tjerëve nga bandat, të cilat, paradoksalisht, janë gjithnjë në pushtet. Dhe, kjo shpresë është ke vrasja e frikës, si element bazë i demokracisë shpirtërore e mendore të njeriut dhe të shoqërisë mbarë”, thekson Zeqiraj.

Lufta brenda llojit

Zeqiraj, thotë më tutje se skema dhe skenari i krimit dhe veprimit të kriminelëve listë bërës, urdhërdhënës dhe të zbatuesve të krimeve enorme, serike, tashmë, është denoncuar e shpalosur nga njerëzit brenda llojit, pra, brenda organizimit dhe organizatës kriminale, në rastin konkret - SHIK-u.

“Dëshmitarin publik Nazim Bllaca, e quanin njeri të Serbisë, të çmendur. Vërtet, deri sa SHIK-u u themelua nga Tirana zyrtare, në koordinim me Serbinë dhe miqtë e saj, vetëkuptohet se edhe armata numerike e SHIK-ut është e lidhur, drejtpërdrejtë apo indirekt me Serbinë, shërbimin e saj sekret UDB-a, (BIA). Por, Bllaca nuk rezulton i çmendur, sepse të gjitha dëshmitë e tij u vërtetuan ligjërisht valide, të sakta. Kjo do të ndodhë edhe me dëshmitë tronditëse, për vrasjet e makabre, të sivëllezërve të tij, të cilët, për opinionin, kanë qenë fort të besueshme dhe bindëse”, thekson ai.

Ai thotë më tutje se rrjedha e ngjarjeve po dëshmon se është Serbia ajo që ka promolguar, zgjatur e zvarritur fillimin e gjykimit të kriminelëve në Kosovë, natyrisht, në konsultim e koordinim me miqtë e saj evropianë.

“U pa qartë se pretendimet që ajo nuk arriti t`i realizojë, në gjallje të Presidentit Ibrahim Rugova, po i lëndëzon pas shuarjes së Tij. Ata që e pasuan Dr. Rugovën në pushtet, janë të akuzuarit e parë të Gjykatës Speciale. Dhe, këta e dinë se Serbia ka dëshmi faktike për krimet e tyre. Fjala është për ekzekutimet, gjatë dhe pas luftës, të shqiptarëve të pafajshëm. "Komandantët" listëbërës dhe urdhërdhënës të vrasjeve politike, janë në varësi të plotë nga Serbia, ashtu siç është një përdorues i stazhionuar i drogës, pikërisht, për dëshmitë faktike që ajo zotëron. Është Serbia ajo që i zgjodhi eksponentët e krimit dhe i mban në pushtet "komandantët". Ajo prishi Qeverinë Mustafa, pa asnjë bazë reale, ajo bashkoi bandën-PAN, ajo dirigjoi nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, pavarësisht se e dinte pamundësinë e shfuqizimit. Por, qëllimi ishte dëmtimi i marrëdhënieve në relacionin Kosovë - ndërkombëtarët. Rrjedhimisht, Serbia po përfiton në kohë, për t`i realizuar edhe disa objektiva, për t`u bërë edhe zyrtarisht hisedare në sundimin e Kosovës”, thekson Zeqiraj për “Bota sot”.

Gjykata Speciale në të mirë të vendit

Image
Skender Zogaj

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Skender Zogaj, thotë se përvjetori i pavarësisë tregoi vullnetin e zjarrtë të qytetarëve të Kosovës për të qenë mirënjohës të arritjeve të vendit të tyre, edhe kur arritjet mund të jenë modeste, si në përvjetorin e 10.

“Pra klasa politike dhe shtetërore duhet të jetë në shërbim të vendit dhe të popullit, e jo të hamednet për gjëra që duhet t’i realizojë, siç është dënimi i krimeve! Kosova me forcat e veta nuk mundi të gjykonte krimet, prandaj  këtë punë do ta kryej Gjykata Speciale! Qytetaret e vendit me kënaqësi do të pranojë vendimet e Gjykatës, prandaj ata që dëshirojnë furtuna, nuk do t’a arrijnë sepse janë shumë pak dhe kësaj here nuk mund të manipulojnë me masat! Gjykata Speciale është në të mirën e vlerave të luftës dhe të pastrimit të krimeve”, thekson Zogaj për “Bota sot”.

Image
Faik Krasniqi

Po ashtu edhe analisti Faik Krasniqi, duke folur rreth punës së Gjykatës Speciale, thotë se kjo gjykatë do funksionojë për shumë vite, ndoshta edhe më shumë një dekadë.

“Prandaj, nuk besoj që politikanë të profilit të lartë do të jenë ndër të akuzuarit e parë të Gjykatës Speciale. Fillimisht do dërgohen në Speciale figura jo shumë të rëndësishme në skenën politike, dhe pas disa viteve edhe disa nga figurat më të larta. Sidoqoftë, Gjykata Speciale nuk do ta pastrojë skenën politike në Kosovë, sepse kjo Gjykatë do të merret eksluzivisht me krimet e supozuara, por jo edhe me krimet ekonomike dhe politike, detyrë që e ka drejtësia e Kosovës”, thotë Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat