Problemet e brendshme të Kosovës, shtyjnë ngritjen e aktakuzave nga Specialja?

Politika

Problemet e brendshme të Kosovës, shtyjnë ngritjen e aktakuzave nga Specialja?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 24 shkurt 2018 Në ora: 19:27
Prishtina

Ndonëse, ka një kohë të gjatë që kur janë përmendur emra të personave që mund të akuzohen dhe të arrestohen, Gjykata Speciale ende nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim konkret në këtë drejtim. Përfaqësues të partive politike dhe analistë, kanë dhënë kritika ndaj mos fillimit të arrestimeve të para që po përmenden vazhdimisht. Ata kanë vlerësuar se edhe largimi i Prokurorit David Schwendiman mund të zvarrisë procesin. Mirëpo, ky i fundit i ka thënë Gazetës “Bota sot”, se largimi nuk do të ketë ndikim.

Deputetja e VV-së, Drita Millaku, ka thënë për Gazetën “Bota sot” se secili mision që ka ardhur në Kosovë, Gjyqësori në kuadër të UNMIK-ut  dhe ai i EULEX -it kanë qenë të lidhur ngushtë me para politikën. Sipas saj, siç duket ky avaz po dëshiron të vazhdoj edhe me Gjykatën Speciale.

Image
Drita Millaku

“Mendoj që Gjykata Speciale është një mjet tjetër kërcënues për personat që priten të akuzohen, që të vazhdojnë të bëjnë lëshime në dëm të Kosovës. Zhagitja me Gjykatën Speciale do të vazhdon edhe për një kohë, deri sa këto "lëshime të kompletohen". Dhe t’ju them të drejtën kohët e fundit krerët institucional kanë treguar se janë frikacakë”, ka thënë deputetja Millaku.

Makolli: Gjithçka varet si do të zëvendësohet Schwendiman

Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm në AKR Vesel Makolli, ka thënë se çdo dorëheqje apo largim i një profili siç është  prokurori  i Gjykatës Speciale, David Schwendiman, normalisht ndikon në prolongimin e fillimit të punës së Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë, se ndikimi i dorëheqjes nuk duhet të jetë i madh, pasi që puna e një prokurori të nivelit të tillë, varet nga zyra e tij, gjegjësisht nga bashkëpunëtorët e tij dhe se Prokurori është ai që e koordinon dhe e harmonizon punën dhe veprimet.

Image
Vesel Makolli

“Po ashtu gjithçka varet si do të zëvendësohet dhe kush do ta zëvendësojë. Kjo nuk do të ndikojë në punën dhe obligimet që i ka marrë kjo Gjykatë, por vetëm në vonesën e fillimit të veprimit praktik të Gjykatës”, ka thënë sekretari i Përgjithshëm në AKR Vesel Makolli.

Avokati Tomë Gashi, ka deklaruar se ndërrimi i kryeprokurorëve, gjithmonë ka sjellë pasoja, sidomos tash kur bëhet fjalë për Gjykatën Speciale.

Ai ka thënë se arsye ligjore për zvarritje nuk ka, mirëpo arsye teknike mund të ketë për shkak se ndërrimi i një Kryeprokurori gjithmonë ka pasoja, posaçërisht në këtë zyre të Prokurorit Special në Hagë, meqenëse rastet janë të ndjeshme, sensitive të nivelit të lartë.

“Sido që të jetë nuk është diçka e mirë që ka ndodhur dhe kjo pak mund të ndikojë në prolongimin në ngritjen e aktakuzave të para. Ekzistojnë indicie të tjera rreth largimit të Schëendiman, porse do të thotë se është shkarkuar për faktin se nuk është ngritur asnjë aktakuzë edhe pse Specialja është e gatshme që nga qershori. T’ju them të drejtën unë  besoj që nuk ka kurrfarë arsye që mos t`i besohet variantit të tij, për sqarimin e sotëm që është bërë publik, se mandati i tij faktikisht ka përfunduar në Zyrën e Prokurorisë Speciale në Hagë. Po ashtu ka disa indicie se ndoshta ka ndodhur diçka tjetër, por nuk mund të them se është shkarkuar apo është kërkuar prej tij të largohet për shkak se deri më tani nuk është ngritë asnjë aktakuzë, edhe pse Gjykata Speciale është e gatshme qysh prej qershorit të vitit të kaluar”, ka thënë avokati Gashi.

Gashi: Gjykata mund të humbë besueshmërinë

Gashi ka potencuar se, ligji për Specialen ka më shumë se 2 vite e gjysmë, që është nxjerrë dhe kur dihet se gjykata ka 8 muaj që është gati, mos ngritja e aktakuzave e humb kredibilitetin në Speciale dhe humbë besueshmërinë në të.

Image
Tomë Gashi

“Zëvendësi i Schwendiman pritet ta zë vendin e tij dhe nëse gjithçka shkon në rregull atij nuk do t`i duhet shumë kohë që të nisë punën. ” Sipas njoftimit zyrtar veç është caktuar pasuesi i tij, i cili është zëvendësi i tij dhe nëse gjithçka është në rregull, atij nuk do t`i vyejë kohë e madhe për ta kryer punën e tij për t`i dërguar akuzat e para në Gjykatën Speciale”, është shprehur  Gashi.

Sipas të njëjtit, kryeprokurori i ardhshëm do të jetë po ashtu amerikan, që askush të mos mund të thotë se po akuzohen ish udhëheqësit e UÇK-së nga një shtet jo mik i Kosovës.

“Kryeprokurori i Amerikan e bënë të pakuptueshëm pretendimin e dikujt se akuzat do të kenë motive politike. Dhe askush nuk mund të kritikoj Prokurorin Amerikan për ngritje të akuzave, kur dihet kontributi i Amerikës në çlirimin e Kosovës, dhe kur dihet mirë madje që edhe NATO-ja ka qenë e udhëhequr nga Amerika, e cila e bombardojë Serbin për shkak të shqiptarëve të Kosovës”, është shprehur avokati Gashi.

Problemet e brendshme të Kosovës

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi ka thënë se çështja e largimit të prokurorit David i Schwendiman nuk e pengon fare zhvillimet Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë se kjo Gjykatë ka kuadro të mjaftueshëm dhe arsyeja se përse ende nuk kemi ngritje të akuzave, rrjedh nga fakti se brenda në Kosovë ka probleme të mëdha dhe në situatë të tillë ngritja e akuzave ndikon negativisht në situatën e brendshme.

“Në Kosovë ende diskutohet qëndrimi për Gjykatën  Speciale në Kuvend. Po kështu kemi edhe demarkacionin, asociacionin dhe ushtrinë. Pra, këta janë probleme të mëdha dhe këtu është fakti i mos ngritjes së akuzave penale”, është shprehur profesor Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se largimi nga detyra i prokurorit të Gjykatës Speciale, David Schwendiman, do të ndikojë në shtyrjen e funksionimit të Speciales.

Burjani: Përplot çudira do ta përcjellin këtë Gjykatë

Sipas tij, kjo mund të jetë tërheqje taktike me kërkesë të SHBA-ve, në mënyrë që mos të fillojë punën Gjykata Speciale, pa u miratuar demarkacioni. Pasi një gjë e tillë do mund ta linte nën hije demarkacionin, me ç‘rast edhe agjenda e BE dhe SHBA për integrim të vendeve të Ballkanit do pësonte goditje.

“Me të mbarur demarkacioni pritet të emërohet prokurori i ri, të cilit i duhet pak kohë derisa ti shfletojë tërë dosjet. Kjo mund të merr kohë, megjithëse arrestime do ketë brenda këtij viti. Krahu i luftës ende nuk është arrestuar pasi po luan me tema të ndjeshme, të cilat besoj se me Demarkacion do  marrin fund dhe me një marrëveshje përfundimtare pra marrin fund të gjitha. Andaj, edhe fundi i tyre po vjen dhe shpresojë se brenda këtij viti Kosova do të marr kthesë pozitive në shumë drejtime”, ka thënë analisti politik Mehmeti.

Image
Blerim Burjani

 

E për njohësin e çështjeve juridike dhe politike,  Blerim Burjani cështja e ngritjes së aktakuzave të para nga Gjykata Speciale, nuk mund të shtyhet shumë.

“ Tash nuk është i largët  mekanizimi funksional i kësaj Gjykate që është interesant për të gjithë drejtësinë ndërkombëtare një gjykatë hibride që themelimin e ka në Kosovë dhe funksionon në Hagë, madje ndonjëherë për disa procedura edhe në Kosovë. Përplot çudira pra do ta përcjellin këtë Gjykatë, por me rëndësi sipas tyre është gjykimi korrekt i pa anshëm dhe  pa presion”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat