Analisti i njohur për Demarkacionin: Si gaforrja një hap para, dy mbrapa

Politika

Analisti i njohur për Demarkacionin: Si gaforrja një hap para, dy mbrapa

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 24 shkurt 2018 Në ora: 14:58
Ilustrim

Analisti politik, Leon Duhanaj ka thënë se krejt këto bëhet në emër të një "patriotizmi", në emër të kombit, në emër të mbrojtjes së tokave, por me këtë politikë po  kontribuojnë të kundërtës.

“Diskursi i qëllimshëm politik, i cili për qëllim ka thellimin e spektrit politik në mosdurim, në ekstremizëm në urrejtje ndaj secilit që nuk ka mendim të njëjtë.  Në shpalljen tradhtar te të gjithë atyre që mendojnë ndryshe. Të shpallurit e vetvetes posedues të së vërtetës absolute.  Qëllimi i kësaj mënyre të sjelljes, është pikërisht ky. Sforcimi i fronteve  deri në anarki e kaos, me çka do të realizohej edhe qëllimi përfundimtarë i zhbërjes së shtetësisë së Kosovës. Krejt këto bëhet në emër të një "patriotizmi", në emër të kombit, në emër të mbrojtjes së tokave. Por, që në fakt, me këtë politikë i kontribuojnë pikërisht të kundërtës.  Sepse dështimi i shtetit të Kosovës, automatikisht nënkupton edhe realizimin e planin pansllavist për ndarjen e sajë. Këndej, nëse ka tradhtarë në këtë skenë, ata e luftojnë këtë shtet sepse është krijesë shqiptare. E gjithë kjo maskaradë, ka sjellur shoqërinë dhe vendin në kolaps. Deputetët e kuvendit, duke qenë se shumica janë injorant në të gjitha fushat përpos në atë të dallavereve, janë vu në lajthitje dhe kanë humbur rrugën si në labirint. Partitë politike, janë pozicionuar në mbrojtje, përkatësisht marrje të pushtetit. Bëjnë lëvizje taktike vetëm për qëllime e synime të marrjes, përkatësisht mbajtjes së pushtetit”,  ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Leon Duhanaj

Po ashtu, Duhanaj ka deklaruar se nuk mund ta bind opozitën me deklarata të pamatura dhe se ka vetëm një marrëveshje e cila bazohet në punën e komisionit Meha.

“Kryeministri Haradinaj, tani e ka përgjegjësinë kryesore politike. Ai duhet të kërkojë dhe të gjejë rrugë për konsensus politik. Nuk mund ta bindesh opozitën me deklarata të pamatura, këndej, nga ai kërkohet qetësi dhe urti. Për demarkacionin, ka vetëm një marrëveshje dhe ajo bazohet në punën e komisionit Meha. Nëse ka një dakordim me Malin e Zi, për rishikim, atëherë kjo duhet t'i bashkëngjitet dhe, të votohet, ose të mos votohet”, ka theksuar ai.

Në fund, ai ka thënë se nëse duhet të votohet marrëveshja, bashkë me deklaratën e presidentëve, atëherë duhet të votohet pa raportin e Bulliqit.

“Nuk është e mundur, madje besoj që është e kundërligjshme të votohet një marrëveshje e bazuar në një punë një komisioni,  e cila nga një komision tjetër paraqitet si shkelje e rëndë e interesit nacional. Pra, nuk ka vend për dy të vërteta, nëse duhet të votohet marrëveshja, bashkë me deklaratën e presidentëve, atëherë duhet të votohet pa raportin e Bulliqit. Ose të hidhet poshtë si e tillë dhe pastaj të vazhdojmë rrugën si gaforrja një hap para, dy mbrapa”, ka përfunduar Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat