Flet Haki Abazi: Demarkacioni, skenar i politikës kriminale për të qëndruar në pushtet

Politika

Flet Haki Abazi: Demarkacioni, skenar i politikës kriminale për të qëndruar në pushtet

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 22 shkurt 2018 Në ora: 20:25
Haki Abazi

Seanca për Demarkacion dështoi të mbahet sot, duke u shtyrë për ditën e premte.

Derisa më herët u deklarua se kjo marrëveshje do të kalojë pasi janë votat e duhura, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Lista Serbe është shprehur kundër kësaj marrëveshje dhe për të kaluar, në Kuvend nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve.

Për këtë ka pasur reagime të shumta, shtetet e Quintit vazhdimisht kanë bërë thirrje që të votohet kjo marrëveshje e mendime pro dhe kundër ka pasur nga analistë të ndryshëm.

Lidhur me gjithë këtë situatë, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, se koalicioni vazhdimisht thotë që i ka votat, por që në fund nuk i kanë.

Sipas tij, qeveria varet nga Lista Serbe dhe ka të tillë që presin të përfitojnë nga vota e tyre.

“Kjo përbërje e koalicionit ka shtyrë me muaj të tërë konsolidimin e institucioneve dhe bërjen e qeverisë duke thënë se do t’i bëjnë votat kështu që nuk është çuditshëm që thonë e nuk e bëjnë. Kjo qeveri është varur nga Lista Srpska. Kjo përbërje e listave ka edhe të atillë që mezi presin që vendimmarrja të hyjë në qorrsokak që të bëhen ambasadorë apo të vendosin të afërmit e tyre si ambasadorë për përfitime nëpërmjet votës. Kjo vërtet është politikë kriminale dhe metoda të ulëta. Këtu nuk ka të bëjë me mbrojtjen e interesave të shtetit e më së paku të qytetarit”, është shprehur Abazi.

Sipas tij, demarkacioni do të zgjidhet shumë shpejt, derisa shton se qeveria po e përdorë këtë marrëveshje për të qëndruar në pushtet.

“Mendoj që do të ketë zgjedhje shumë shpejt pas kalimit ose një riorganizim të qeverisë dhe demarkacioni do të merret si pretekst por ajo që po shihet është se determinimi i kësaj qeverie që është vazhdimësi e mentalitetit qeverisës të PDK-së, është që të përdoret çdo mjet vetëm për të mbetur në pushtet. Këta që luajtën me interesin e shtetit duke tentuar që ta shfuqizojnë ligjin për Gjykatën Speciale dhe rrezikuan marrëdhëniet me shtetet mike, assesi nuk janë të sinqertë dhe nuk mund të jenë bartës të proceseve të rëndësishme në vend. Demarkacioni dhe loja që po bëhet me këtë gjë po e vërteton një gjë të tillë”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Abazi flet edhe për aneks marrëveshjen që u arrit në mes presidentëve, të Kosovës dhe atij të Malit të Zi, e cila thotë se nuk është legale dhe se marrëveshja është e njëjtë me atë që është nënshkruar në Vjenë.

“Deklarata e presidentëve nuk është legale dhe nuk është obliguese. Vendimi i projektligjit është i njëjtë dhe nuk i referohet asnjë lloj ndryshimi apo amandamentimi. Vendimi e vërteton se ligji e respekton marrëveshjen e nënshkruar në Vjenë dhe pa asnjë referencë në çfarëdo ndryshimi eventual”, ka deklaruar Haki Abazi.

Ndryshe, seanca do të mbahet nesër dhe pritet të shihet nëse marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi do të kalojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat