Aneksi për demarkacionin, skenarët që mund të ndodhin pas ratifikimit në Kuvend

Politika

Aneksi për demarkacionin, skenarët që mund të ndodhin pas ratifikimit në Kuvend

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 22 shkurt 2018 Në ora: 07:24
Foto ilustrim "Bota sot", Ramush Haradinaj

“Në momentin që e ratifikojnë marrëveshjen, jam i bindur se Mali i Zi nuk do të heq dorë nga marrëveshje e tyre e ratifikuar dhe kështu ne nuk do të kemi mundësi fare që t’i kthejmë ato territore me marrëveshjen e mëparshme të komisionit teknik dhe të marrëveshjes së nënshkruara nga pala e jonë në Vjenë, që me këtë ne humbim territor”, thotë për “Bota sot”, profesori universitar, Mazllum Baraliu.

Pranimi i kryeministrit Ramush Haradinaj që të miratohet në Kuvend marrëveshja e demarkacionit me versionin e Murat Mehës dhe me aneksin të dakorduar në mes të dy presidentëve përbën një tradhti të Hardinajt ndaj elektoratit të vet, thonë deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje dhe analistë politik.

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filipe Vujanoviq janë dakorduar që marrëveshjes së demarkacionit t’i shtohet një aneks.

ky aneks parasheh që të formohet një grup punues që do të punojë në caktimin e vijës kufitare dhe të rishikoj dhe korrektojë sektorët në orientim të Çakorrit dhe Kullës.

Kryeministri, Ramush Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë në ditën e dhjetëvjetorit të Pavarësisë ka mirëpritur këtë aneks të arritur në mes të dy presidentëve.

Ndërsa, të hënën në një deklaratë për medie, ka thënë se, ka një ndryshim në gjendjen faktike, duke u bazuar në marrëveshjen mes presidentëve, e cila flet për opsionin e rishikimit dhe të korrektimit të gjendjes në drejtim të Çakorrit dhe Kullës.

“Me gjithë dyshimet, marrëveshja është një materie mes dy presidentëve të vendit. Unë vet si Kryeministër kam punuar gjithë kohës për këtë marrëveshje, në substancën e saj dhe i falënderojë të gjithë që kanë qenë të angazhuar. Kjo marrëveshje dhe Ligji për ratifikimin që do t’i kalojë Parlamentit, duhet të jetë një dokument dhe duhet të votohen së bashku. Ne do t’i ndjekim të gjitha procedurat dhe përgatitjet për këtë. Kemi humbë gati 3 vjet për këtë dhe ndoshta na shkon edhe një javë, por duhet të jemi të përgatitur dhe të kemi kujdes në përgatitjen e seancës, por nuk ka kthim prapa. Jemi në proces të zgjidhjes së çështjes së Demarkacionit”, ka thënë ai të hënën.

Por, deputetët dhe njohës të çështjeve juridike thonë se marrëveshja e fundit në mes të dy presidentëve nuk përbën obligim juridik.

Image
Sami Kurteshi

Kurteshi: Marrëveshja për aneksin është e papranueshme

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, thotë se subjekti i tij politik e konsideron mashtrim miratimin e kësaj marrëveshje me aneksin.

“Ne e kemi dhënë sqarimin tonë në konferencën për shtyp dhe ne e konsiderojmë se kjo nuk ka asnjë vlerë për palën e Kosovës. Kjo marrëveshje konsiderohet e ndryshme nga palët nënshkruese. Kjo është një deklaratë që herë thuhet se herë është marrëveshje, e herë aneks”, thotë Kurteshi për “Bota sot”.

Ai thotë se kjo marrëveshje është nënshkruar gabimisht apo qëllimisht nga Hashim Thaçi që atë kohë mbante pozitën e ministrit të jashtëm.

Marrëveshja për demarkacionin është nënshkruar në vitin 2015, nga ish-ministri i jashtëm Thaçi dhe ai i brendshëm, Skender Hyseni.

Por, kjo marrëveshje nuk arriti të miratohet prej atëherit për shkak të refuzimit të fuqishëm nga ana e AAK-së, Lëvizjes Vetëvendosje dhe NISMA.

Image
Mazllum Baraliu

Edhe profesori universitar, Mazllum Baraliu thotë se kjo marrëveshje nuk përbën obligim ligjor për të detyruar Malin e Zi që t’i përmbahet asaj, pas miratimit në Kuvend.

“E para që duhet shënuar dhe që duhet pasur në mendje është që deklarata si e tillë çfarë do qoftë dhe mes kujtdo qoftë, është një deklaratë, nuk është marrëveshje dhe nuk prodhon efekte juridike. Pra, kjo është një deklaratë që nuk obligon askënd në esencë, por është çështje e vullnetit të mirë se a donë dikush ta zbatoj një deklaratë që është shkruar një mendim dhe qëndrim”, thotë Baraliu për “Bota sot”.

Ai thotë se kjo deklaratë përmban edhe konfrontime në tekst.

“Për çudi malazezët shquhen për përkujdesje të madhe juridike dhe për nivel të juristëve të mirë, por për çudi kësaj radhe kanë bërë një deklaratë, e cila është nën çdo nivel të mundur, sepse nuk po besoj se teksti është përpiluar nga ata. Por, sidoqoftë teksti i deklaratës është i çuditur që në një vend thotë deklaratë, në një vend tjetër thotë aneks kontratë, aneks marrëveshje. Kjo përbën një eksperiment politik për mos më thënë lojë politike”, thotë më tej ai.

Baraliu shprehet i bindur se në momentin e fundit, Mali i Zi do të tërhiqet nga zotimi për korrigjimin e kufirit në pikat kontestuese.

“Në momentin që e ratifikojnë marrëveshjen, jam i bindur se Mali i Zi nuk do të heq dorë nga marrëveshje e tyre e ratifikuar dhe kështu ne nuk do të kemi mundësi fare që t’i kthejmë ato territore me marrëveshjen e mëparshme të komisionit teknik dhe të marrëveshjes së nënshkruara nga pala e jonë në Vjenë, që me këtë ne humbim territor”, shtoi Baraliu.

Image
Jeton Kelmendi

Deklarata për aneksin u bë për konsum politik

Nga ana tjetër, njohësi politik në vend, Jeton Kelmendi thotë se pushtetarët i kanë dhënë shumë pompozitet deklaratës për marrëveshjen e aneksit në mes të dy presidentëve.

“Mendoj se marrëveshja e ashtuquajtur mes Thaçit dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq është një deklaratë sa për konsum politike dhe sa për t’ia shpëtuar sado pak fytyrën e humbur kryeministrit Haradinaj”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Ai thotë se kjo marrëveshje, në qoftë se do të kalojë do të jetë komplet me versionin e Murat Mehës.

Ai shton, se marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të miratohen me deklarata dhe me zotime për anekse.

“Duhet shpjeguar një parim se nuk ka parashtesa e as parashtesa në marrëveshjet ndërkombëtare. Marrëveshja ka vetëm ratifikim ose mos ratifikim, këto të tjerat janë krejt kopalla”.

Sipas tij, kjo marrëveshje është vetëm sa për t’i hedhur hi syve popullit të Kosovës.

“Prandaj, kjo është një mashtrime i kryeministrit Haradinaj dhe nuk ka asgjë tjetër. Unë shpresoj në insistimin e deputetëve dhe t’i thonë jo edhe këtij manipulimi për një marrëveshje të ashtuquajtur në mes të dy presidenteve”, deklaron më tej ai.

Ai thotë se kjo marrëveshje është në nivelin “gjentelmen”, e jo me obligime juridike.

“Thjesht, është gjithçka një rren dhe një mashtrim ordiner dhe këto nuk kanë detyrim ligjor se nuk është aneks, siç thuhet, por është një marrëveshje gjentelmenësh, e cila nuk ka kurrfarë efekti juridik”, shtoi ai.

Mund të përsëritet skenari i presidentes Jahjaga

Kelmendi thotë se me këtë marrëveshje mund të përsëritet skenari i marrëveshjes së zgjedhjes së ish-presidentes, Atifete Jahjaga.

Kemi rastin me zgjedhjen e presidentes Atifete Jahjaga e cila deshi të zgjidhet për një periudhë kohore shumë të shkurt ndërkaq me aspektin juridik ajo e përfundoj krejt mandatin.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe AKR-ja e Bexhet Pacollit, patën bërë një marrëveshje politike për zgjedhjen e një presidenti konsensul për një vit deri sa të bëhej reforma kushtetuese për zgjedhjen e presidentit direkt nga populli.

Në bazë të kësaj marrëveshje, president e vendit u zgjodh zonja Atifete Jahjaga duke u bazuar në marrëveshjen politike.

Por pas një viti, Gjykata Kushtetuese pas kërkesës LDK-së i dha të drejtën presidentes që të përfundonte mandatin prej katër vjetëve.

Arsyetimi i Kushtetueses ishte se gjykata nuk njeh marrëveshjet politike, por kushtetutën dhe legjislacionin e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat