Projektligji për Demarkacionin e kufirit më Malin e Zi, tani e sa kohë ishte duke qëndruar në sirtarët e Qeverisë së Kosovës, e në të njëjtën kohë duke pritur momentin për procedim në Kuvendin. E ky moment tani siç duket ka ardhur.
Kryesia e Kuvendit ka caktuar edhe zyrtarisht që nesër në orën 11:00 të mbahet seanca e jashtëzakonshme për të shqyrtuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në një prononcim për “Bota sot”, mendon se ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi duhet të kalojë.
Por, Bajrami thekson se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është përgjegjëse për t’i bërë numrat në Kuvend.
“Komisioni për Punë të Jashtme e ka përcjellur në fillim dokumentin për shqyrtim dhe Kryesia e Kuvendit ka caktuar që nesër në orën 11:00 të mbajë seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Lidhja Demokratike e Kosovës e ka bërë të qartë qëndrimin e saj që është pro marrëveshjes së vitit 2015. Ne konsiderojmë se duhet të kalojë, mirëpo nuk jemi përgjegjës për t’i bërë numrat”, ka theksuar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Sipas saj, LDK-ja i ka numrat, sikurse që i ka pasur, dhe se ata numra do të jenë në Kuvendin e Kosovës.
“Ne i kemi ata numra që i kemi pasur, ata numra do të jenë në Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë, mendoj se është përgjegjësia kryesore, në këtë rast e koalicionit qeverisës, që t’i bëjë numrat, e që nuk kam informata se i kanë numrat apo jo”, ka përfunduar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami për “Bota sot”.