“Me nënshkrimin e aneks marrëveshjes për demarkacion, serbët do të kërkojnë nënshkrimin e asocacionit”

Politika

“Me nënshkrimin e aneks marrëveshjes për demarkacion, serbët do të kërkojnë nënshkrimin e asocacionit”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 shkurt 2018 Në ora: 22:39
Lista serbe

Qeveria e Kosovës do të mbajë nesër dy mbledhje për çështjen e Marrëveshjes së shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Aktualisht, për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, gatitshmëri kanë shprehur partitë në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Ndërkaq, Lista Serbe si partner i koalicionit qeverisës, ende nuk e ka bërë zyrtarisht të ditur qëndrimin e saj, pavarësisht se deputeti i këtij subjekti parlamentar, Igor Simiq, u ka thënë mediave në Serbi, se “së pari duhet të zgjidhet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e pastaj të tjerat”.

Analisti politik, Ilir Dugolli konsideron se tanimë me nënshkrimin e deklaratës në mes palës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi, serbëve i krijohet mundësia që të kërkojnë realizimin e asociacionit.

Image
Ilir Dugolli

Dugolli përmed dy aspekte frike pas nënshkrimit të aneks marrëveshjes për demarkacionin.

“Lista serbe ka kërkuar vazhdimisht të zgjidhet çështja e asociacionit të komunave serbe të Kosovës, dhe atë akoma para se të jepte mendimin e vet, gjykata kushtetuese e Kosovës. Pra ata, jo vetëm që janë të interesuar të bëhet asociacioni, por pretendojnë të bëhet në versionin fillestar, ashtu siç është nënshkruar, me një mori shkeljesh kushtetutare. Pala kosovare, deri me tani, ka nguruar ta bëjë atë pikërisht për arsye, se qeveria serbe nuk po i realizon marrëveshjet e nënshkruara deri me tani. Ka qenë një “satisfaksion” i tyre, për të vazhduar më tej. Tani me aktin e nënshkrimit të një deklarate të përbashkët mes dy presidenteve, kosovar dhe malazez, është krijuar një situatë e re, e cila serbëve ju jep një mundësi shtese për realizimin e asociacionit, ndoshta edhe pa asnjë kusht formal. Frika qëndron ne dy aspekte. 1. Për shkak se ky nënshkrim presidentesh, të një deklarate, duhet kuptuar si një akt deklarativ, i dy palëve dhe i cili nuk prejudikon marrëveshje të re, apo aneks marrëveshje e cila do të obligonte “de jure” palët, veç asaj te 2015-tes që ti përmbahen, dhe 2. Veç kërkesës për realizimin e asociacionit te komunave serbe, (pa mendimin e gjykatës kushtetuese), Lista serbe do të kërkon edhe shumë favore tjera ekskluzive, duke e parë qëllimin e qeverisë së Kosovës, e cila nuk është në gjendje të bëjë llogaritë mire para se të vije deri te akti i kushtëzuar nga serbët “merr ose le”! “, pohon Dugolli.

Ai të ardhmen e demarkacionit nuk e sheh të mirë për popullin dhe shtetin.

“Të ardhme e këtij demarkacioni, nuk e shoh të mirë, për shkak të konsekuencave që duhet t’i paguajmë si popull dhe si shtet. Si popull mendoj në atë se, çdo gjë qeveritarët, po e lidhin me liberalizim të vizave, duke menduar se liberalizimi i tyre do të ishte shpëtimi i këtij populli, dhe duke harruar se shpëtimi i tij, është zhvillimi ekonomik, arsimor dhe kulturor. Kurse si shtet, mendoj se mjaft do të lëshon pe, me listën serbe, pa e llogaritur delimitimin e kufirit si korrekturë e versionit në fuqi, i cili nuk do të vijë në konsideratë” përfundon Dugolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat