“Kushtëzimi i Srpska-s për Demarkacionin”, kush duhet të mbajë përgjegjësi?

Politika

“Kushtëzimi i Srpska-s për Demarkacionin”, kush duhet të mbajë përgjegjësi?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 shkurt 2018 Në ora: 22:00
Lista Serbe

Një aneks marrëveshje në mes të Kosovës dhe Malit të Zi është arritur javën e kaluar, për rishikimin e Demarkacionit.

Këtë e bëri të ditur presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili njoftoi se ka nënshkruar marrëveshje me presidentin e Mali të Zi, Filipe Vujanoviq.

E pas kësaj marrëveshje, u vendos që të dielën të mbahej seanca për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, gjë që nuk ndodhi.

Të shtunën, kryeministri Ramush Haradinaj tha se i kanë numrat, por që seanca do të shtyhet, ndërsa sa i përket Listës Serbe, ai tha se ende nuk dihet qëndrimi i tyre.

E në lidhje me shtyrjen e seancës për Demarkacionin dhe mundësinë që Lista Serbe ta bllokojë këtë çështje, për gazetën “Bota sot”, analisti politik Fadil Lepaja, mendon se Lista Serbe do ta kushtëzojë votën e saj.

“Kur dimë se për votimin e marrëveshjes, janë të nevojshme dy të tretat e votave, atëherë jo vetëm Lista Srpska, por të gjitha partitë dhe individët, të cilët duan ë bllokojnë apo përfitojnë, fitojnë në peshë. Gjithsesi Lista Srpska do të kushtëzojë votën e saj, dhe shumë lehtë mund të ndodhë të mos votojë fare”, është shprehur ai.

Image
Fadil Lepaja

Sipas tij deputetët, me përjashtimin e VV-së, do ta votojnë marrëveshjen, derisa shton se për (mos)kalimin e saj, përgjegjësi duhet të mbajë Qeveria, Kuvendi dhe Presidenti.

“Ndërkohë, partitë dhe individët e tjerë, me përjashtim të Vetëvendosjes, zyrtarët, falë aneksit, besohet se do ta votojnë marrëveshjen dhe do të thirren në rëndësinë që ajo ka për liberalizimin e vizave. Gjithsesi, ky është moment historik, dhe qeveria, kuvendi dhe presidenti, do të mbajnë përgjegjësi për (mos)kalimin e marrëveshjes në kuvend”, vlerëson Lepaja.

Ai thotë se deputetët do të përpiqen të përfitojnë nga kjo marrëveshje, derisa lidhet me liberalizimin e vizave.

“Duke marrë parasysh rëndësinë që e ka kalimi i kësaj marrëveshjeje për liberalizimin e vizave, të gjithë deputetët përfitues dhe grupet politike do të përpiqen të përfitojnë nga kjo”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar kundër kësaj marrëveshje, ndërsa LDK ka thënë se do ta votojë atë.

Ende nuk dihet se kur do të mbahet seanca për këtë marrëveshje./BS/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat