Tentimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, si dhe raportimet për këmbim territoresh me Serbinë, sipas opozitës, mund të rrezikojnë partneritetin e Kosovës me ndërkombëtarë.
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku- Rexhepi, ka thënë për “Bota sot” se Kosova gjatë luftës kishte miq dhe gjatë shtetndërtimit, prandaj nuk guxon ta humbas përkrahjen e tyre.
Sipas Rexhepit, çdo proces ka sfida dhe pasoja, mirëpo veprimet e rrezikshme mund ta kthejnë prapa Kosovën dhe kësisoj t’i humbas miqtë.
“Veprimet dhe vendimet e mëdha i ndërmarrin liderët e vendeve gjithmonë në interesa të saj.Pikërisht për këtë liderët përveç ardhjes në pushtet përmes zgjedhjeve dhe formave tjera institucionale duhet të gëzojnë kredibilitet të plotë të qytetarëve të vendit e rrjedhimisht edhe të faktorit ndërkombëtar. Kosova edhe gjatë luftës kishte miq edhe pas saj gjatë shtetndërtimit dhe nuk guxon në asnjë mënyrë të humb përkrahjen e tyre. Çdo proces ka sfidat dhe pasojat e saj, por veprimet e rrezikshme, për vendin mund të na kthejnë mbrapa dhe humbjen e miqve, pa të cilët nuk mund të paramendohet e ardhmja e vendit. Vendi duhet shkuar drejt BE- së dhe integrimeve Euro-Atlantike dhe rrugë tjetër nuk ka. Me miq mund të arrijmë cakun!”, ka pohuar deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku- Rexhepi.