10 vjet shtet, pse kaq pak njohje?

Politika

10 vjet shtet, pse kaq pak njohje?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 16 shkurt 2018 Në ora: 17:59
Ilustrim

Drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku konsideron se numri jo i mjaftueshëm i njohjeve ka ndikuar në mos anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

“Kosova nuk ka mundur që të arrijë njohjet e mjaftueshme për të pasë subjektivitet të mjaftueshëm ndërkobëtar. Një gjë e tillë ka penguar Kosovën për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare. Mesatarja e numrit të njohjeve nga shtetet për Kosovën vazhdimisht ka shkuar duke rënë që nga viti i parë i shpalljes së pavarësisë.  Prandaj, Kosova nuk ka pasur suksese të mjaftueshme në arritjen e njohjeve të mjaftueshme sa për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Image
Selim Daku

Daku ka potencuar, se ky numër jo i madh i njohjeve ka ardhur si rezultat i diplomacisë së dobët të autoriteteve të Kosovës, duke shtuar se edhe ato njohje që kanë ardhur, janë rezultat i angazhimit të SHBA-së dhe vendeve të tjera mike për Kosovën.

“Shumica e shteteve që kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës kanë ardhur si rezultat i angazhimit të aleatëve të popullit të Kosovës si SHBA-të dhe disa nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Turqia. Një numër i vogël i shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës kanë ardhur si rezultat i angazhimit direkt të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës. Kjo për shkak se Kosova ka patur mungesë të një strategjie të mirëfillt institucionale në rritjen e numrit të njohjeve për pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Daku ka sugjeruar që të bëhet krijimi i një qeverie stabile e cila duhet të zhvillojë një strategji për dhjetë vitet e ardhshme rreth çështjes së njohjeve të pavarësi së vendit.

“Përfaqësuesit diplomatik të Repulikës së Kosovës nëpër botë më shumë kryejnë funksione të rëndomëta administrative burokratike sesa që angazhohen për të sjellë njohje të reja dhe të mira të natyrave të ndryshme vendit. Për të pasë suksese në arenën ndërkomëbtare Kosova duhet të ndërtojë qeveri stabile e cila pos ndërtimit të strategjisë duhet edhe të e zhvillojë atë të paktën në dhjetë vitet e ardhshme”, ka përfunduar Daku për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat