Marrëveshja me Malin e Zi, “Thaçi të japë dorëheqje nëse ndryshohet Demarkacioni”

Politika

Marrëveshja me Malin e Zi, “Thaçi të japë dorëheqje nëse ndryshohet Demarkacioni”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 shkurt 2018 Në ora: 14:42
Hashim Thaçi dhe Filip Vujanovic

Kosova dhe Mali i Zi kanë arritur një marrëveshje për Demarkacionin, sipas të cilës do të lehtësohet ratifikimi i marrëveshjes së arritur më parë.

Këtë e ka bërë të ditur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili ka nënshkruar marrëveshjen me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq.

“Kosova dhe Mali i Zi  do të vazhdojnë të jenë parterë, unë sot në mëngjes kam informuar kryeparlamentarin dhe kryeministrin, krerët e LDK-së, shtetet e QUINT-it dhe pas pak orësh do t’ua dorëzojë edhe partive tjera shqiptare dhe joshqiptare. Pas ratifikimit të demarkacionit, definitivisht do të lëvizet lirshëm, kjo do të jetë dhurata më e çmuar për 10 vjetorin e pavarësisë”, ka thënë tutje Thaçi. 

Sipas tij Kosova dhe Mali i Zi pas ratifikimit njoftojnë njëra tjetrën pre procedurat për të formuar një trup të përbashkët punues për shënjimin e vijës kufitare.

Thaçi tha se trupi i përbashkët punues do të rishikojë dhe korrektojë sektorët në orientim të Çakorrit dhe Kullës.

“Me domosdoshmërinë të lëvizjes sa më të shpejtë të perspektivës evropiane dhe fuqizimit të fqinjësisë së mirë dhe domosdoshmërisë për ratifikim duke vlerësuar dhe vullnetin e mirë të Malit të Zi dua të shpalos para jush që në 48 orët e fundit unë si president dhe presidenti i Malit të Zi nxorëm një deklaratë të përbashkët që i inkurajojmë Kuvendin e Kosovës ta ratifikojë marrëveshjen për kufirin. Tani është koha bashkë si spektër politik të veprojmë. Kjo deklaratë është bazuar dhe nisur nga besimi i ndërsjellë dhe duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të dy vendeve dhe duke respektuar strategjinë e Komisionit Evropian”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Do të kemi grup të përbashkët që do të punojë në caktimin e vijës kufitare. Që të jetë dhe më i qartë ta lexoj deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga dy presidentët, Kosova do të procedojë në Kuvend për ratifikimin e marrëveshjes”, ka deklaruar Thaçi.

Lidhur me këtë marrëveshje, për gazetën “Bota sot”, profesori dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Jeton Kelmendi, thotë se është vetëm një tentativë për të kontrabanduar marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi dhe se nëse ai mund të ndryshojë diçka në këtë marrëveshje, duhet të japë dorëheqje.

Image
Jeton Kelmendi

“Mendoj që presidenti Hashim Thaçi, ish kryeministri, ish ministri i jashtëm e ka humbur arsyen dhe kjo iniciativë e tij është vetëm një tentativë për ta kontrabanduar këtë marrëveshje dhe në këtë marrëveshje, në një pikë thotë që nëse ka diçka në pajtim me të dyja palët, nuk shpjegon asgjë më shumë. Por ky njeri në radhë të parë, nëse do të mund të ndryshojë nga ajo përbërje e asaj marrëveshje së pari duhet të japë dorëheqje, për faktin se ky është shkaktari, është projektuesi, nënshkruesi i kësaj marrëveshje, së dyti për tu ratifikuar një marrëveshje e tillë, në qoftë se ratifikohet ajo do të marrë formë, për faktin se ne jemi para aktit të kryer, presionet ndërkombëtare për vizat, etj, të gjitha në anën tonë, për këtë janë ngritur de facto, për humbjen e këtij territori që po e humbë Kosova”, ka deklaruar Kelmendi për “Bota sot”.

Sipas tij, presidenti po tenton të kthehet si faktor në politikë.

“Mendoj se presidenti nuk ka të drejtë të marrë poena politikë dhe si duket po i frikësohet Gjykatës Speciale dhe nga frika po tenton të kthehet në politikë si faktor dhe asgjë tjetër. Thjesht të gjitha këto tentativat e tij janë për ta kthyer rolin e tij në politikën vendore dhe për të bërë pazare në luftën për Gjykatën Speciale”, vlerëson ai.

Sipas profesorit Kelmendi, kjo marrëveshje është një manipulacion dhe po përdoret për t’ua ruajtur fytyrën bllokuesve të deritanishëm.

“Prandaj mendoj që ky mision i tij është i djallëzuar dhe jam skeptik për rezultatin e tij, sigurisht edhe një pjesë e opozitës së djeshme duke përfshirë edhe kryeministrin Ramush Haradinaj e dinë se kjo është vetëm një manipulacion, por sa për të thënë se ishte kështu por ne e bëmë kështu, thjesht sa për t’ua ruajtur fytyrën, për ta votuar ata që nuk donin dhe këta që e bëmë këtë maskaradë për të shpëtuar disi. Dhe nga nënshkrimi i marrëveshjes, të krijohet përshtypja se kjo është nënshkruar nga një presidenti dhe ndoshta kryeparlamentar i Malit të Zi dhe jo president i Kosovës dhe president i Malit të Zi”, është shprehur për “Bota sot”, profesori Jeton Kelmendi.

Ndryshe, Thaçi derisa lexoi pikat e marrëveshjes së arritur me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ka theksuar se marrëveshja është arritur pas bisedave me homologun e tij dhe kryeministrin Markoviq që ishte në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat