“LDK e vetmja alternativë, Haradinajn do ta rrëzojë PDK-ja”

Politika

“LDK e vetmja alternativë, Haradinajn do ta rrëzojë PDK-ja”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 16 shkurt 2018 Në ora: 09:58
Foto arkiv, Fushata e LDK-së

Qeveria e ndërtuar nga PDK-AAK-NISMA-AKR dhe Lista serbe, në krye me Ramush Haradinajn, mund të rrëzohet shumë shpejt.

Kjo pasi partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, po përgatisin planin për rrëzimin e kësaj qeverie.

Këtë e ka paralajmëruar edhe vet shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, duke thënë se kjo parti së shpejti, do të marrë përsipër reformat që lidhen me agjendën e integrimeve evropiane.

“Ne mbesim partia më proevropiane në Kosovë, anëtare e Partive Popullore Evropiane. Të gjitha reformat që lidhen me agjendën e integrimeve evropiane ne do t'i përkrahim. Ne së shpejti, në Qeverinë Evropiane në Kosovë, do të marrim vet përsipër këto reforma”, ka deklaruar Hoti, përmes një postimi bërë në Facebook.

Image
Besa Gaxherri

Gaxherri: Zgjedhjet, zgjidhja e vetme për vendin

Një gjë të tillë e ka pohuar edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, Besa Gaxherri, e cila ka thënë se Qeveria aktuale, e ka bllokuar tërësisht shtetin e Kosovës.

Megjithatë, si formë e planit për rrëzimin e Qeverisë, Gaxherri ka mohuar të jenë protestat.

“Jo nuk i kemi në plan protestat, por unë konsideroj se Lidhja Demokratike e Kosovës me veprimet, me punën, me konsistencën dhe me alternativat që i ofron çdo ditë si opozitë dhe krahasuar me ish-qeverinë dhe me këtë Qeveri, po punon shumë në këtë drejtim. Pastaj, po punon për temat të cilat janë aktuale në Kosovë, sepse Qeveria e ka bllokuar tërësisht shtetin dhe Republikën e Kosovës”, është shprehur deputetja e LDK-së.

Sipas saj, zgjidhja e vetme për problemet në vend, janë zgjedhjet e reja, derisa LDK, siç ka thënë Gaxherri, është alternative e vetme e qytetarëve.

“Konsiderojmë se nuk kemi kah të shkojmë tutje dhe zgjidhja e vetme e problemeve, janë zgjedhjet. Jam shumë e sigurt se qytetarët e Republikës së Kosovës e shohin më shumë se asnjëherë më parë LDK, si alternativë të vetme”, ka shtuar për gazetën “Bota sot”.

Edhe partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, po shqyrton dinamikat dhe po kërkon momentin e duhur për të ndërmarrë hapat për rrëzimin e Qeverisë.

Image
Ali Lajçi

VV po shqyrton hapat

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deputeti i kësaj partie, Ali Lajçi, ka thënë se VV do ta bëjë këtë gjë kur, kjo të jetë në interes të vendit.

“Po shqyrtojmë gabimet që po i bën Qeveria. Ne do ti shqyrtojmë dinamikat dhe do t’i shikojmë kur do të jenë momentet dhe kur është më së miri dhe në interes të vendit që të rrëzohet Qeveria”, është shprehur deputeti.

Ndërsa i pyetur për bashkëpunimin me LDK-në, për këtë çështje, Lajçi ka thënë se aktualisht nuk kanë shumë bashkëpunim për shkak të dallimeve, mirëpo do të darkodohen më vonë kur të vijë momenti.

“Për këtë çështje nuk kemi aq bashkëpunim me LDK-në , sepse ka edhe dallime, por në rast se do të vendosim për rrëzim, do të darkodohemi ose do të kemi ndonjë bashkëpunim. Të shohim më vonë”, ka thënë deputeti i VV-së, Ali Lajçi për “Bota sot”.

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi: Qeverinë Haradinaj do ta rrëzojë PDK-ja

Por, njohësi i çështjeve politike Jeton Kelmendi, është shprehur pesimist për mobilizimin e opozitës, për të rrëzuar Qeverinë, të cilën ai e konsideron si më të dobëtën e pasluftës.

Sipas tij, opozita aktuale në Kosovë, është më e fuqishmja për nga numri, por e pafuqishme për nga opozitarizmi.

Kelmendi ka analizuar punën e LDK-së dhe të VV-së, duke thënë se nuk pret ndonjë rezultat të mudshëm në lidhje me këtë.

“Mendoj se partitë opozitare në Kosovë kësaj radhe janë më të fuqishme që nga paslufta për nga numri, kurse janë më të pafuqishme për nga opozitarizmi. Është e habitshme që tani opozita po merret me veten dhe në këtë kontekst duhet të përmendet Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka filluar të çahet, sepse ato copat e marra nga PDK, LDK dhe partitë e tjera, kanë filluar t’i ndahen në dy pjesë dhe nuk po ka kohë të merret me punët e opozitës. LDK është e plogësht, tmerrësisht e pafuqishme dhe në bazë të kësaj performance deri më tani, unë nuk shoh ndonjë rezultat të mundshëm që mund ta ketë LDK-ja, për faktin, se përveç 2-3 deputetëve, të tjerët kanë rënë në gjumin dimëror”, është shprehur Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Sipas Kelmendit, Qeverinë Haradinaj, do ta rrëzojë PDK-ja, në momentin që asaj do t’i konvenojë një gjë e tillë.

“Qeverinë do ta rrëzojë vet PDK-ja, sepse ajo është mësuar të rrëzojë të gjitha Qeveritë dhe unë të vetmen shpresë e kam se PDK-ja, do ta rrëzojë këtë qeveri dhe nuk do ta lejojë ta dëmtojë edhe më tutje Kosovën, kurse sa i përket opozitës, nuk besoj fare që do të ketë ndonjë rezultat me rrëzimin e kësaj qeverie. Për mua, Qeveria Haradinaj është më e dobëta e Kosovës, që ka paslufta e këndej”, ka thënë tutje analisti Kelmendi.

Ai ka theksuar se është në të mirë të Kosovës, që të zhdukë këtë Qeveri dhe të këqijat që po ia shkakton vendit.

“Nuk dihet kur mund të ndodhë kjo, pas varet se kur i konvenon PDK-së, rrëzimi i Qeverisë, se PDK-ja, është një parti shumë e konsoliduar, ka mekanizma politikë, që i përdor në koordinim për ta arritur qëllimin e vet. Kjo mund të ndodhë në momentin që PDK-së i konvenon rrëzimi i Qeverisë, meqenëse është partneri më i madh i koalicionit, ndërsa pushtet realisht ka më pak. Besoj se është në të mirë të Kosovës, por edhe të PDK-së, për ta zhdukur këtë Qeveri dhe të këqijat që po ia shkakton vendit. Sa ma shpejtë që rrëzohet kjo Qeveri, është fat edhe për PDK-në”, ka pohuar Jeton Kelmendi, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat