43 nënshkrimet e deputetëve për Specialen, heshtet Qeveria!

Politika

43 nënshkrimet e deputetëve për Specialen, heshtet Qeveria!

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 shkurt 2018 Në ora: 08:08
Selia e Gjykates Speciale

Më herët kryeministri kishte thënë se do të ndiqen procedurat për këtë iniciativë, por Zyra për Komunikim e Kryeministrit nuk ka kthyer përgjigjet në pyetjet e gazetës “Bota sot”, se si do të veprohet më tutje lidhur me 43 nënshkrimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Iniciativa e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës drejtuar Kuvendit, për të shfuqizuar Ligjin për Dhomat e Specializuara, tashmë ka mbetur në qeveri.

Kjo iniciativë ishte në Kuvend, por që Kuvendi ia procedoi Qeverisë, e cila nuk dihet se çka do të bëjë me të.

Më herët kryeministri kishte thënë se do të ndiqen procedurat për këtë iniciativë, por Zyra për Komunikim e Kryeministrit nuk ka kthyer përgjigjet në pyetjet e gazetës “Bota sot”, se si do të veprohet më tutje.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli qysh më herët ka deklaruar se shfuqizimi i ligjit për Specialen nuk do të bëhet, e kundër kësaj iniciative është shprehur edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se është qëndrim shtetëror që të mos shfuqizohet Specialja.

Ndërsa, nga OVL e UÇK-së kanë thënë se nëse iniciativa sillet në Kuvend, do të marrë votat e nevojshme të deputetëve.

Ndërsa, analistët kanë dhënë mendimet e tyre për këtë çështje.

Image
Arbër Gashi

Specialja nuk mund të shfuqizohet

Njohësi i zhvillimeve politike Arbër Gashi vlerëson se Specialja nuk mund të shfuqizohet ashtu siç dëshirojnë krerët e shtetit, derisa kontribuues në formimin e saj e sheh Thaçin, Veselin dhe PDK-në.

“Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet ashtu siç e dëshirojnë drejtuesit aktual të institucioneve tona shtetërore. Ajo, si dhomë e veçantë e krijuar me marrëveshje ndërkombëtare do t'i shërbejë interesit për të cilin është themeluar dhe siç e dimë të gjithë, në këtë proces kontributin më të madh e kanë dhënë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, si dhe PDK-ja si subjekt politik”, është shprehur ai.

Sipas Gashit, kundërshtimet e OVL UÇK-së janë të kota.

“Andaj, kundërshtimet e kryesisë së OVL të UÇK-së janë të kota dhe nuk mund ta ndryshojnë realitetin. Gjykata Speciale nuk është si Kushtetuta e Kaçanikut, rendin kushtetues të së cilës e sfidonte pushtuesi serb dhe këta, të cilët sot po thirren në kinse mbrojtës të vlerave të luftës”, ka deklaruar Gashi për “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

“Kosova nuk është e 40 deputetëve”

Kurse, analisti politik Rexhep Shahu nuk beson se ka deputetë që do t’ia hedhin vellon e zezë krimit të Kosovës, për interesa të frikës.

“Unë nuk besoj se ka deputetë normalë shqiptarë, nuk besoj se ka njerëz të lirë, se ka luftëtarë lirie që do t'ia hidhnin vellon e zezë të krimit Kosovës për interesat e tyre të ngushta të frikës. Nuk besoj se ka politikanë që e lënë peng Kosovën për interesat e tyre të ngushta, qoftë edhe interesa kriminale të tyre. Kosova nuk është e 40 deputeteve që mbrojnë krimin, Kosova nuk është as e OVL të UÇK-së, Kosova është e gjithë shqiptarëve”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, Kosova nuk është e vetëm 40 deputetëve por e atyre që kanë dhënë jetën për të dhe ata që mendojnë se janë pronarë të saj, e kanë nga frika nga ndëshkimi për krimet e bëra.

“Por më shumë Kosova është e atyre që kanë dhënë jetën për Kosovën dhe këta që kujtojnë se janë pronarë të Kosovës dhe duan të luajnë me të ardhmen e saj nga frika e tyre, nga frika se mund të ndëshkohen për krimet e bëra, këta që janë gati nga frika të anulojnë Gjykatën Speciale, e shesin Kosovën dhe lirinë e saj. Këta kujtojnë si në ëndërr se janë sjellës të lirisë. Por në fakt sjellës të lirisë janë të rënët dhe Amerika”, vlerëson ai për “Bota sot”.

Analisti beson se liderët janë tërhequr nga kjo iniciativë dhe se SHBA nuk do të lejojë të ndodhë një gjë e tillë.

“Besoj se liderët janë tërhequr. Por ndoshta luajnë lojë kukafshehtas me shqiptarët e ndershëm dhe me aleatët, me Amerikën. Nuk besoj se do të ecë kjo lojë e pistë, nuk besoj se Amerika do ta çojë dëm investimin e vet për dëbimin e Serbisë prej Kosove dhe lirinë e shqiptarëve”, ka deklaruar Rexhep Shahu.

Image
Nexhat Haziri

Deputetët të mashtruar nga liderët e tyre

Në anën tjetër, opinionisti Nexhat Haziri thotë se pasi liderët u tërhoqën nga kjo iniciativë, arritën të marrin viza për vizitën në SHBA dhe se deputetët janë mashtruar nga liderët e tyre.

“Po dhe kjo si shkak i presionit amerikan dhe kjo tashmë është lehtësisht e dukshme që vetëm pasi që dëshmuan së nuk do ta qojnë përpara iniciativën e tyre për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, liderët shtetëror të Kosovës, arritën për të marrë vizën amerikanë për vizita në SHBA. Pra si iniciativë është e dështuar me këtë do të pajtohen edhe deputetët që e nënshkruan këtë iniciativë duke ngelur të mashtruar dhe të manipuluar nga liderët e tyre partiak. Dhe kjo nuk është hera e parë që ju ndodhë pasi të tillë deputet janë vetëm numra apo persona pa integritet moral e politik”, është shprehur për “Bota sot” ai.

E deklaratat nga OVL e UÇK-së, Haziri thotë se më shumë janë si ‘tigra prej letre’ dhe se paraqesin grupe të interesit, derisa shton se askush nuk do ta ndalë punën e Speciales.

“Ndërsa sa i përket kërcënimeve që vijnë nga organizatat e dala nga lufta, më shumë janë si ata "tigrat prej letre" se sa njerëz që mund të konkretizojnë diçka. Edhe këta nuk paraqesin asgjë më shumë se sa grupe të interesave që janë instrument i partive të ashtuquajtura "krahu i luftës". Pra nuk ka asnjë forcë që e ndal fillimin e punës së Gjykatës Speciale dhe ky mbase përbën një lajm të mirë për Kosovën”, ka përfunduar Nexhat Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat