Përpjekja e PDK-së për kontroll, koalicioni numëron ditët

Politika

Përpjekja e PDK-së për kontroll, koalicioni numëron ditët

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 15 shkurt 2018 Në ora: 12:10
Foto ilustrim "Bota sot"

Partia Demokratike e Kosovës, vazhdon të luaj me dy karta. Në njërën anë është në koalicion me Ramush Haradinajn, e në anën tjetër e quan të dështuar qeverisjen nga ai.

Ishte nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti, ai i cili ditë më parë tha se Haradinaj ka dështuar, duke përmendur dështimin në liberalizimin e vizave, demarkacionin dhe asociacionin.

Kjo nuk është deklarata e vetme që zyrtarë nga PDK-ja “thumbojnë”, partnerin e tyre në koalicion, Ramush Haradinajn.

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili ditë më parë kishte dhënë një deklaratë që ngriti shumë debate.

Ismaili tha se me versionin aktual, Kosova nuk humb tokë, vetëm sa përfiton nga përcaktimi i këtij kufiri, çka do të detyronte pastaj proces për përcaktim kufiri me Serbinë.

Deklarata e Ismailit vë në dyshime se Partia Demokratike e Kosovës po bën një lojë duke kritikuar kryeministrin Ramush Haradinaj dhe që PANA-Lista serbe është drejt zhbërjes si koalicion.

“Bota sot” ka provuar të kontaktojë zyrtarë të të dy partive që janë në koalicion lidhur me këtë çështje, por ata nuk kane qenë të gatshëm që të prononcohen.

Ndërsa nga opozita thonë se ky koalicion i ka ditët e numëruara, pasi sipas tyre Haradinaj e ka humbur rrugën në oborr.

Image
Albulena Haxhiu

Qeveri e brishtë

Në një prononcim për gazetën ‘’Bota sot’’, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, vlerëson se ky koalicion qeverisës i ka ditët e numëruara.  

‘’Qeveria aktuale është qeveri e brishtë. Prej momentit që është krijuar, pazaret ndërmjet koalicionit dhe Serbisë janë garanti më i madh që jetëgjatësia e saj është në pikëpyetje. Nuk bëhet fjalë vetëm për kundërthëniet me Ministrin e Shëndetësisë por edhe se secila parti përbrenda koaliconit i bindet shefit të partisë që përfaqëson andaj nuk ka një program të përbashkët qeverisës.  Haradinaj ka humbur rrugën në oborr andaj edhe ditet i ka të numëruara’’, përfundon Haxhiu.

Image
Anton Quni

Quni: Koalicioni i paaftë për të marrë vendime të mëdha

Ndërsa Anton Quni nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se ky koalicion është i ngritur mbi interesa të ndryshme mes partnerëve, por, i bazuar vetëm në interesin e marrjes së pushtetit

‘’Ky koalicion qeverisës i krijuar pak para mesnatës dhe vetëm brenda disa minutave, pa program të harmonizuar mes tyre, pa qartësim të pozicioneve rreth çështjeve në të cilat kanë pasur qëndrime të kundërta dhe pa asnjë plan të përbashkët për zgjidhjen e tyre, shihet se koalicioni është i ngritur mbi interesa diametralisht të ndryshme mes partnerëve, por, i bazuar vetëm në interesin e marrjes së pushtetit. Vështirë të mund të jepet një vlerësim rreth lojërave të tyre, pos që mund t'ju them se kështu ndodh kur partnerët gjenden pa ndonjë strategji të përbashkët për vendimet e rëndësishme për vendin, ata janë gjithnjë të kushtëzuar nga politikat e Beogradit përmes Listes Serbe, të varur nga interesat personale të liderëve brenda koalicionit, të ngarkuar me numër enorm të të punësuarve në kabinetin qeverisës, me reputacion të dobët tek partnerët strategjik, dhe pa dyshim që kjo pastaj krijon ambient të përshtatshëm për intriga, shantazhe dhe jotransparence përbrenda koalicionit qeverisës”, ka thënë Quni.

Sipas tij, ky koalicion tashmë është dëshmuar si i paaftë për të marr vendime të mëdha.

“Të dëshmuar tashmë si të pa aftë për t'ju dhënë drejtim vendimeve të mëdha dhe të vetëdijshëm për dështimet e tyre, kanë filluar të bartin fajin tek njëri-tjetri me çka edhe po tentojnë të shfajësohen para qytetarëve. Një çasje e tillë jo parimore dhe krejtësisht skandaloze, fatkeqësisht për çmim ka: Degradimin e shoqërisë, institucioneve dhe të gjitha të arriturave të deritashme që vendi i ka shënuar nëpër të gjitha fazat e shtetndërtimit të tij’’, thekson Quni.

Image
Fadil Lepaja

Përpjekja e PDK-së

Ndërsa analisti Fadil Lepaja, thekson se PDK është duke bërë përpjekje që ta marrë nën kontroll koalicionin. 

‘’Kjo është një përpjekje e PDK-së me rimarrë nën kontrollë koalicionin i cili pas zgjedhjeve lokale në njëfarë mënyrë u mor nga AAK-ja e cila fitoi dukshëm më shumë komuna se PDK dhe shto kësaj iniciativën e pavarur të kryeministrit, i cili nuk tregon prirje për të respektuar autoritet tjetër atëherë bëhet krejtësisht e kuptueshme përse PDK është e pakënaqur’’, përfundon Lepaja për gazetën ‘’Bota sot’’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat