Rasti i LDK-së, “PDK-në do ta zë mëkati i saj”

Politika

Rasti i LDK-së, “PDK-në do ta zë mëkati i saj”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 shkurt 2018 Në ora: 08:15
PDK

“Derisa VV u nda, PDK-ja në prag të shkatërrimit është vetëm LDK-ja më e konsoliduar dhe e pritshme që në të ardhmen e afërt të udhëheq vendin. PDK-ja është ndërtuar nga mëkati dhe tani që mëkati i saj ta zë, do fundoset përfundimisht. Besoj se LDK-ja duhet të vazhdojë rrugën e Dr. Ibrahim Rugovës, sepse çdo rrugë tjetër është e gabuar dhe pa të ardhme”, është shprehur analisti politik Mehmeti.

Ka një kohë të gjatë që Lidhja Demokratike e Kosovës, po paralajmëron rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Madje, subjekti i cili edhe pati rritje të votave në zgjedhjet lokale, po vlerëson se kohëzgjatja e kësaj qeverie do të jetë vetëm deri në pranverën e këtij viti. LDK ishte ndër subjektet e pakta që u deklaruan kundër tentativave për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Për këtë arsye, njohës të çështjeve politike në vend, konsiderojnë se,  nëse sot do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare në Kosovë, LDK do të dilte pa dyshim e para.

Image
Bajram Gecaj

Anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka ka thënë se LDK ka qenë dhe mbetet subjekti politik pa skandale si më parë ashtu edhe tani.

I pyetur lidhur me Gjykatën Speciale dhe gjërave që mund të ndodhin pas arrestimeve të para, Gecaj ka deklaruar, se partia e tij, nuk i varë shpresat në dobësi apo probleme të partive tjera, por në fuqinë, vizionin dhe kapacitetet e partisë së saj.

“Në këtë periudhë kohore, çfarëdo kalkulimi mbi atë se çfarë do të rrjedhë nga Gjykata Speciale është spekulim i pastër. Nuk i gëzohet LDK-ja fatkeqësisë së askujt por ne shpresojmë shumë që vrasjet politike ndaj shumë aktivistëve të LDK-së do të ndriçohen, dhe dëshirojmë të besojmë se një pjesë e këtyre akteve kriminale do të mund të ndriçohen edhe nga Gjykata Speciale. Veprat e tilla nuk përshkruhen kurrë, prandaj ne duhet të punojmë me shumë që sistemi ynë ligjor në një të ardhme të afërt të jetë më efikas në këtë drejtim”, ka thënë Gecaj.

Image
Faton Abdullahu

LDK do të dilte e para

Ndërkaq, publicisti Faton Abdullahu, ka thënë se nëse sot do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare në Kosovë LDK do të dilte pa dyshim e para.

“Mu për këtë zgjedhjet nuk do të mbahen edhe për një kohë. Nuk kanë interes, askush nga pushtetarët po se po, e aq më pak nga dy krahët e VV, që të ketë zgjedhje të reja. Me këtë disponim në VV, po dëmtohet opozitarizmi në Kosovë dhe po i zgjatet jeta Qeverisë aktuale, rrjedhimisht të këqijave që po i bëhen Kosovës. Do të priten ndryshimet e rrethanave në Kosovë, do të ketë edhe përpjekje të larmishme nga pushtetarët që ato të ndryshohen, të cilat më pas do të determinonin perceptimin ndryshe të partive tona politike”, ka thënë Abdullahu.

Sipas tij, pushtetarët aktual mund të presin gjatë që ky perceptim pozitiv për LDK, i cili determinohet, sa nga puna e mëhershme e Kryetarit të LDK-së z. Mustafa, aq edhe nga gabimet e kundërshtarëve të LDK-së, të ndryshoj.

“Ata mund të shpresojnë, dhe mbase në këtë drejtim do të investojnë, që zgjedhjet e brendshme në LDK të determinojnë turbulenca që do ta dëmtonin dhe pjesëtonin këtë subjekt. Në anën tjetër unë nuk jam nga ata që mendoj se detyrimisht PDK do të pësoj debakël si parti nga Gjykata speciale, pavarësisht burgosjeve për të cilat ende ka spekulime të shumta. Kam përshtypjen se me këtë shpresë ushqehen ata që nuk besojnë sa duhet se, politika aktive vepruese, me ide të reja e kuadro kreative, e jo përshtatja dhe përfitimi nga rrethanat e momentit, është premisa kryesore e fitoreve në politikë.”, ka thënë Faton Abdullahu.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: LDK-ja më e konsoliduar

Analisti politik, Faton Mehmeti, ka thënë se LDK është partia e prirur për të qeverisur vendin, ani pse sipas tij, edhe në LDK duhet që të hapen dyert për të rinjtë, dhe strukturat e vjetër të lirojnë rrugën për gjeneratat e reja.

Sipas tij, LDK-ja duhet të pranoj gabimin fatal që ishte koalicioni me PDK, me premtimin që nuk do të përsëritet më.

“Në këtë sens kjo është mënyra për tu larë nga mëkatet e së shkuarës. LDK-ja nuk duhet të pret që PDK-ja ta mund me ndihmën e Gjykatës Speciale, por me program dhe veprime konkrete për meritë të saj. Kjo është më shpresëdhënëse për qytetarët. Derisa VV u nda, PDK-ja në prag të shkatërrimit është vetëm LDK-ja më e konsoliduar dhe e pritshme që në të ardhmen e afërt të udhëheq vendin. PDK-ja është ndërtuar nga mëkati dhe tani që mëkati i saj ta zë, do fundoset përfundimisht. Besoj se LDK-ja duhet të vazhdojë rrugën e Dr. Ibrahim Rugovës, sepse çdo rrugë tjetër është e gabuar dhe pa të ardhme”, është shprehur analisti politik Mehmeti.

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani, ka thënë se nëse ndodhë që PDK-ja nuk reformohet skajshëm dhe nëse figura të shumta merren nga Gjykata Speciale, atëherë dimensionit politik ndryshon.

“Natyrisht se pas gjithë këtyre ngjarjeve që rrodhen po del se LDK-ja po mbetet subjekti politik më ndikues në shtet. Gjasat duken të jenë të mëdha edhe për paraqitjen e iniciativave të reja politike në vend dhe kështu mund të kemi një cikël të ri të zhvillimit të pluralizmit politik në Kosovë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim  Burjani.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Asnjë parti nuk do të ngelet pa u prekur nga Specialja  

Kurse, politologu Faik Krasniqi, ka thënë se një parti mund të goditet në rast se Gjykata Speciale arreston figura të saj të rëndësishme.

Sipas tij, akoma nuk dihet se kush do të arrestohet nga kjo Gjykatë, por një gjë është e sigurt se asnjë parti nuk do të ngelet pa u prekur.

“Nëse ka pasur krime të supozuara të UÇK-së ndaj civilëve serbe dhe jo serbe, gjë që nuk qëndron fare, atëherë pjesëtaret e saj kanë qenë nga të gjitha partitë, duke përfshirë këtu edhe LDK-në, edhe pse PDK-ja mund të goditet më së shumti. Por kjo nuk do të thotë që figura të larta të partive do të jenë në shënjestër të kësaj Gjykate”, ka thënë politologu Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat