Qeveria Haradinaj, pengesa më e madhe e procesit të shtetformimit të Kosovës

Politika

Qeveria Haradinaj, pengesa më e madhe e procesit të shtetformimit të Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 14 shkurt 2018 Në ora: 13:59
Ramush Haradinaj

“Pushtetarët aktual kanë mospajtime me miqtë tanë ndërkombëtarë edhe për demarkacionin edhe për Gjykatën Speciale edhe për Ushtrinë edhe për shumë procese tjera. Me këtë mendësi nuk mund të përmbyllet procesi. Duhet të kuptohet drejtë se sot, nuk ka patriotizëm pa miqësi me SHBA-t. Prandaj duhet vepruar më shpejtë dhe më drejtpërsëdrejti, sidomos opozita, që ta mbrojmë miqësinë me SHBA-t, me qëllim që ta largojmë pengesën e madhe të përmbylljes së procesit të shtet formimit të Kosovës. Kjo pengesë është Qeveria Haradinaj”, është shprehur publicisti Abdullahu.

Pavarësia e Kosovës mund të konsiderohet e "përgjysmuar", pasi autoritetet shtetërore mjerisht nuk kanë arritur ta shtrijnë ashtu siç do duhej sovranitetin në gjithë territorin e saj. Dora e shtetit të Kosovës fatkeqësisht nuk ka arritur të shtrijë sovranitetin e saj brenda kufijve administrative shtetëror madje edhe në 10 vjetorin e Pavarësisë së saj.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se instalimi i një anarkie të tillë “institucionale” në mënyrë të vazhdueshme ka prodhuar një gjendje anarkie  në pjesën veriore të Kosovës, e cila çdo ditë e më shumë po shpërfaqet.

Image
Faton Abdullahu

Qeveria Haradinaj, pengesa më e madhe

Në lidhje me atë se a  mund të konsiderohet e "përgjysmuar", Pavarësia e Kosovës, kur dihet se autoritetet shtetërore nuk kanë arritur ta shtrijnë sovranitetin në gjithë territorin e saj, publicisti Faton Abdullahu ka thënë për “ Bota sot” se është jashtë çdo dyshimi se Kosova kështu sikundër është sot, pas 10 vitesh të shpalljes së Pavarësisë, nuk është shtet në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Ai ka  thënë se shteti i Kosovës  është në proces të formimit tash sa kohë por ky proces është shumë i ndërlikuar, ka ngecje, ka të meta, ka pengesa, ka armiq të shumtë dhe me ndikim të madh.

“Por e mira është se ka edhe vullnet edhe dëshirë edhe interes e sidomos ka edhe shumë miq të fortë e të sinqertë për ta shtyrë këtë proces deri në përmbyllje. Përmbyllja e shtet formimit të Kosovës me angazhim e punë të pandalshme është patriotizëm shqiptar. Sot kjo përpjekje institucionaliste është shkalla më e lartë e këtij patriotizmi. Gjithashtu përmbyllja e këtij procesi është edhe obligim Euro-Perëndimor është edhe përpjekje e botës perëndimore për t’i forcuar e shpërndarë konceptet euroatlantike, konkretisht interesat gjeopolitike sidomos të SHBA-s në këtë rajon”, ka thënë publicisti Abdullahu.

Sipas tij, kjo përpjekje për ta përmbyllur procesin e Kosovës si shtet është përgjegjësi demokratike e botës së civilizuar, por ka një problem në këtë rrugëtim, një problem të madh që është vetja jonë.

“Kohëve të fundit është qeveria jonë, mendësia e instaluar në institucionet tona, ajo që ka krijuar një rrethana të re, ku gjithnjë e më shumë po krijohet dhe suportohet bindja se, mund të jesh edhe patriot edhe të kesh mospajtime të vazhdueshme me perëndimorët, konkretisht me SHBA-t. Kjo është vdekjeprurëse për shtetin e Kosovës. Pushtetarët aktual kanë mospajtime me miqtë tanë ndërkombëtarë edhe për demarkacionin edhe për Gjykatën Speciale edhe për Ushtrinë edhe për shumë procese tjera. Me këtë mendësi nuk mund të përmbyllet procesi. Duhet të kuptohet drejtë se sot, nuk ka patriotizëm pa miqësi me SHBA-t. Prandaj duhet vepruar më shpejtë dhe më drejtpërsëdrejti, sidomos opozita, që ta mbrojmë miqësinë me SHBA-t, me qëllim që ta largojmë pengesën e madhe të përmbylljes së procesit të shtet formimit të Kosovës. Kjo pengesë është Qeveria Haradinaj”, është shprehur publicisti Abdullahu.

Image
Fadil Lepaja

Bllokimi i projekteve

Ndërsa, analisti politik Fadil Lepaja ka thënë se është vështirë të vlerësohet se ku jemi pas dhjet vjet pavarësi, kur shumica e projekteve ose nuk janë nisur fare ose janë bllokuar.

Sipas tij, përmasat e (pa)fuqisë institucionale të Kosovës është vështirë të vlerësohen në këto rrethana, kur faktori ndërkombëtarë edhe vet i ka kompetencat për çështje strategjike dhe të njëjtit ende nuk e vlerësojnë punën e vet aq mirë.

“Faktori Ndërkombëtar ende nuk e kanë konstatuar se Kosova përmbushë kriteret së paku për lëvizje të lirë dhe për të aplikuar për anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare kryesore, në të cilat fqinjët tonë kanë ecur, edhe pse në shumë fusha nuk qëndrojnë më mirë se ne. Ka ecje përpara, por kjo është e ngathtë, politika ka bllokuar edhe sektorin privat, për aq sa mund të thuhet se vetëm bizneset dhe sektorët që i kontrollon, kanë mundur të fuqizohen”, ka thënë Lepaja, duke shtuar se pyetja kryesore është se a është kjo klasë politike për këtë stagnim, apo bashkëfajtore, me burokracinë ndërkombëtare e cila duke respektuar dinamikën regjionale, me raste kishte qenë edhe më bllokues se vet klasa politike e korruptuar e Kosovës.

Ai ka thënë se oligarkia e Kosovës kishte kooperuar në të gjitha fushat, madje edhe ku nuk i është kërkuar të bëjë lëshime, për të përfituar, pozicione dhe përfitime nga mega-projektet dhe nga buxheti.

“Nëse pyesim se a do të lëvizin gjërat? Padyshim se po, sepse këtu vijmë në pikën ndarëse, kur interesi ndërkombëtarë e kërkon që gjërat të lëvizin, dhe kjo do të ndodhë përmes një procesi negocimesh në Bruksel. Por këtu politika e Kosovës duhet të jetë edhe bashkëpunuese edhe anti-korruptive, njëkohësisht të shtyj agjendën e pavarësisë dhe të integrimeve evropiane, përkundrejt agjendave të ndarjes dhe bllokadave me të cilat Serbia dhe aleatëve të saj, vendor  dhe ndërkombëtar”, ka thënë analisti politik Lepaja.

Ai mes tjerash,  ka theksuar se ky vit dhe viti i ardhshëm do të jenë vendimtarë dhe kushdo që mendon se duhet luftuar për interesat e Kosovës, këtë kohë duhet të jetë hiper-aktiv dhe bashkëpunues me ato vende ndërkombëtare të vilat e kanë përkrahur Kosovën dhe vazhdojnë të kenë interes nga pavarësi dhe liria e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat