Veriu i Kosovës në gjendje anarkike - Bota Sot
Veriu i Kosovës në gjendje anarkike

Politika

E mërkurë, 23 maj 2018

Veriu i Kosovës në gjendje anarkike

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 14 shkurt 2018 Në ora: 10:57
Pamje nga Mitrovica

Pavarësia e Kosovës, mund të konsiderohet e pakompletuar,  pasi autoritetet shtetërore mjerisht nuk kanë arritur ta shtrijnë ashtu siç do duhej sovranitetin në gjithë territorin.

Në pjesën veriore të vendit, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme, nuk ndjehet ende dora e shtetit të Kosovës.

Njohësit e çështjeve politike, vlerësojnë se instalimi i një anarkie të tillë “institucionale” në mënyrë të vazhdueshme ka prodhuar një gjendje jo të mirë në pjesën veriore të Kosovës, e cila çdo ditë e më shumë po shpërfaqet.

Problemi 19 vjeçar

Sipas tyre, kjo po ndodhë për faktin se oligarkia e Kosovës, ka kooperuar në vazhdimësi në të gjitha fushat, duke përfituar kështu pozicione dhe interesa personale me përfitime me mega-projekte dhe duke e zhbërë kështu edhe buxhetin e Kosovës.

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për “ Bota sot” se problemi i veriut te Kosovës ka histori 19 vjeçare dhe si problem bartet që nga paslufta.

“Tashmë është e njohur për opinionin e gjerë se ky problem është krijuar nga komandantët e luftës e konkretisht nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, ka potencuar ajo.

Sipas saj, Pavarësia e Kosovës është e pakompletuar dhe seriozisht është i lënduar sovraniteti i shtetit.

“Ajo që mund të them, është se kjo Qeveri me këta njerëz, jo vetëm që nuk mund ta zgjidhin këtë problem por edhe e bëjnë të pamundur zgjidhjen pasi që ata e kanë krijuar. Besoj se qytetareve ju kujtohen protesta e punëtoreve të shëndetësisë në 1999 kur i ndali Hashim Thaçi me direktiva te agjenturave Francez. Unë mendoj se zgjidhja e këtij problemi fillon me rënien nga froni i atyre që e kanë krijuar këtë problem”, ka thënë deputetja Millaku.

Ndërsa, anëtari i LDK-së Bajram Gecaj ka thënë se 10 vite pas Pavarësis, me njohje nga rreth 114 shtete, shtrirja e autoritetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin dhe integrimi i komunitetit Serb në sistemin dhe strukturat shtetërore ende nuk është tërësisht i përfunduar.

Image
Bajram Gecaj

“Unë nuk do të thosha që ky përvjetor e ka gjetur Kosovën të përgjysmuar, por definitivisht do e quaja të pakompletuar. Jam i bindur se sikur të gjithë të ishim koncentruar e të punonim me ndershmëri dhe sinqeritet të plot për Kosovën, të arriturat tona sigurisht se do të ishin shumë më të mëdha, dhe sipas gjasave shtrirja e autoritetit shtetëror deri më tani do të ishte e përfunduar. Megjithatë një pjesë e madhe a strukturave tona politike ishte fokusuar më shumë në mirëqenien e tyre personale dhe grupore, duke lënë kështu  në plan të dytë apo edhe të tretë interesin shtetëror”, ka thënë Gecaj.

Gecaj: Me këtë qeveri nuk ka shpresë për për përmirësimin në veri

Sipas tij, dëshmia e kësaj tanimë veç është transparente dhe e prekshme.

“Vetëm shihni pasurinë e individëve, të cilët deri në vitin 1999 nuk kishin as bukë në sofrën e tyre, kurse tani të njëjtit flasin për pasuri shumë milionëshe dhe brenga kryesore e tyre është se si të sigurohen se nuk do të përgjigjen penalisht për të pabërat e tyre. Shpresë për përmirësimin në Kosovë, por edhe në veri ka çdo herë, por ju siguroj se me këtë qeveri jo, kurrë asnjëherë. Ky popull duhet të vetëdijesohet dhe të zgjidhi ata të cilët prioritet e kanë çuarjen para të proceseve të rëndësishme pulitke, e jo interesat e tyre parciale, që në shumicën e rasteve janë edhe të karakterit kriminal”, ka thënë Gecaj.

Analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se edhe 18 vjet pas luftës dhe në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, veriu i vendit vazhdon të mbetet "mollë sherri" duke e mbajtur peng fatin historik të popullit të Kosovës.

Image
Skender Zogaj

Ai ka thënë, se kjo ka ndodh nga ambiciet e dobëta të shovinizmit të krimbur serb në Beograd dhe injoranca e politikës shqiptare në Prishtinë, që nuk ka guxuar të mos ia kushtoj kujdesin e duhur Veriut, duke pasur parasysh Republika Serpskën ne BeH.

“Pra kemi të bëjmë me të njëjtën ambicie të Serbisë, mirëpo, për fat të mirë, këtë ëndërr serbe e ka prishur faktori ndërkombëtar, që e ka siguruar pacenueshmërinë e hapësirës territoriale, kështu që të gjitha çështjet e tjera janë të zgjidhshme. Gjëja më e rëndësishme është se, serbëve të Kosovës u ka dal gjumi dhe e dinë se Kosova është djep i shqiptarëve dhe se, ata janë duke u manipuluar nga Beogradi për qëllime dhe interesa të një kaste politike gjeneroze, për të cilën serbët e Kosovës janë vetëm monedhë e shitblerjes. Duke qenë kështu, Kosova duhet të eliminojë çdo lloj aventure liderësh, e të zgjerojë kompetencat dhe përgjegjësinë institucionale dhe ligjore, për ushtrimin e autoritetit shtetëror edhe në Veriun e Kosovës. Them se ka shenja të mira dhe se shpresa është që përmirësimet do të vijnë shpejtë”, ka thënë analisti politik Zogaj.

Veriu në gjendje anarkike

Nga ana tjetër, analisti politik Leon Duhanaj, ka kujtuar se Kosova, është çliruar me ndihmën e komunitetit ndërkombëtarë.

Image
Leon Duhanaj

“Së këndejmi, kemi qenë edhe nën protektorat të OKB -së, që do të thotë sovranitetin absolut mbi Kosovën, e ka pasur OKB. Me kalimin e kohës, hap pas hapi, ishte parashikuar edhe bartja e kompetencave tek vendorët. Ajo edhe ndodhi deri diku. Por me shpalljen e pavarësisë, serbët nuk pranuar institucionet e Kosovës, duke e lënë veriun në një gjendje anarkie. Kjo gjendje u konvenonte bandave të krimit, si atij serb, po ashtu edhe shqiptarë në njërën anë dhe, në anën tjetër pushtetit serb në Beograd, si trampolinë për ta mbajtur Kosovën peng”, ka thënë Duhanaj.

Duhanaj ka theksuar, se politika e serbëve të veriut vazhdon të drejtohet nga serbët Beogardit.

“Tani, i kemi serbet të integruar deri në një shkallë. Por, politika e tyre udhëhiqet nga Beogradi duke e mbajtur Kosovën nën presion të vazhdueshëm. Kjo nuk do të ishte kështu, nëse do të kishim politikë shqiptare të përgjegjshme. Por, për fat të keq, nuk e kemi dhe mungesa e unitetit kombëtarë, e bashkëpunimit për çështje madhore. Mungesa e idesë së përbashkët mbi këtë shtet, të cilin më shumë e urrejnë disa çarqe shqiptare se sa ato serbe, e bën shtet të brishtë, me sovranitet vetëm në letër”, ka thënë analisti politik Duhanaj.

Dualizmi institucional

Ndërsa, Hidajet Ahmeti, analist politik ka thënë se dora e shtetit të Kosovës nuk ka arritur  ta shtrijë sovranitetin e saj brenda kufijve administrativ shtetëror edhe në dhjetë vjetorin e Pavarësisë së saj.

Image
Hidajet Ahmeti

Sipas tij, instalimi i një anarkie të tillë “institucionale” në mënyrë të vazhdueshme ka prodhuar një gjendje anarkie  në pjesën veriore të Kosovës, e cila çdo ditë e më shumë po shpërfaqet.

“Pavarësia e Kosovës në 10 vjetorin e saj, nuk mund të konsiderohet e plotë përderisa  dora e shtetit nuk shtrinë sovranitetin e saj në gjithë territorin e Kosovës dhe nuk delegjitimon strukturat paralele serbe të instaluara në Republikën e Kosovës, duke prodhuar dualizëm institucional e duke de funksionalizuar shtetin unitar. “Legjitimimi” i një anarkie të tillë nga institucionet legjitime të Republikës së Kosovës shpërfaqë pafuqinë e shtetit e institucioneve për ta realizuar mandatit kushtetues e ligjor dhe njëkohësisht jo seriozitetin e institucioneve për ta jetësuar sovranitetin e saj në plotësi. Kjo logjikë qeverisëse po fuqizon Serbinë brenda Kosovës, po integron Serbinë brenda strukturave euro-atlantike e po izolon Kosovën”, ka thënë analisti politik Ahmeti.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test