10 vite shtet, sfidat dhe rreziku më i madh që mund të përballet Kosova!

Politika

10 vite shtet, sfidat dhe rreziku më i madh që mund të përballet Kosova!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 14 shkurt 2018 Në ora: 09:33
Ilustrim

Shteti i Kosovës po mbushë një dekadë të plotë që nga shpallja e pavarësisë së saj, një dekadë plotë sfida. Kosova assesi nuk po mund të zgjidhë ato sfida të cilat janë më kryesore, ato që do ta dërgojnë vendin në një zhvillim të tërësishëm si shtet, ku qytetarët do ta kenë lëvizjen e lirë dhe do të ndihen evropian siç duhet ta meritojnë shtetasit e Kosovës.

Përkrahë sfidave, Kosova u përball edhe me rreziqe të mëdha, të cilat mund të kishin pasoja të rënda për vendin tonë, siç ishte rreziku i fundit ku treshja  Thaçi, Veseli e Haradinaj, tentuan ta zhbëjnë Gjykatën Speciale, e kjo do të sillte pasoja të mëdha për vendin, ku përveç faktit që nuk do të mundë të zbardheshin vrasjet e pasluftës, Kosova do t’i prishte marrëdhëniet edhe me SHBA-të, miqtë tonë më të mirë e më të besueshëm.

Gjithsesi, shtetasit e Kosovës vazhdojnë t’i mbajnë shpresat ashtu siç e bënë për një dekadë, ku presin që për Kosovën të vinë ditë të mira, edhe pse vështirë me qeverisjen aktuale, duke u bazuar në pasivitetin e kësaj qeverie që Kosovën ta radhisin në mesin e shteteve të civilizuara e jo të izoluara.

Rreziku më i madh që vjen nga Serbia

Lidhur me sfidat dhe rreziqet e Kosovës, ka folur për “Bota sot” deputetja  Vetëvendosjes, Drita Millaku.

Deputetja e VV-së, thotë se rreziku më i madh për vendin vjen nga ofensiva e diplomacisë serbe, ku vazhdimisht po e sulmojnë politikisht subjektivitetin ndërkombëtarë të Kosovës, e në anën tjetër defensiva e qeverisë së Kosovës karshi Serbisë.

Image
Drita Millaku

“Rreziku me i madh Kosovës i kanoset nga ofensiva e diplomacisë Serbe në drejtim të atakimit të subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës. “Rrezik i barabarte me të mësipërmin është hutia apo edhe defensiva e qeverise tonë me këtë situatë”, theksoi Millaku.

Ajo ka folur edhe për sfidat të cilat e presin Kosovën në të ardhmen, ku përmend demarkacionin, raportet me veriun dhe dialogun me Serbinë

“Sfidat për Kosovën janë të shumta e ato në raport me veriun e Kosovës pastaj demarkacioni me Malin e Zi e në vazhdim edhe ai me Serbi i cili si pasoje e këtij të paritë do të jetë edhe më e dhimbshme. Kjo klase udhëheqëse është bërë e rrezikshme për Kosovën për shkak se të gjithë janë të shantazhuar dhe për shkak të kësaj do të bëjnë lëshime të dhimbshme për sovranitetin e shtetit”, tha Millaku për “Bota sot”.

Të mos përsëriten gabimet

Në anën tjetër analisti politik, Leon Duhanaj, thotë se për ta projektuar një të ardhme të sigurtë, duhet të analizohet e kaluara që të mos përsëriten gabimet.

“Për ta projektuar të ardhmen e sigurt, kërkohet studim i së kaluarës, në mënyrë që të mësohet nga gabimet dhe, të mos përsëriten. Por, kur kemi të bëjmë me ne shqiptarët, atëherë, për fat të keq, jo vetëm që nuk mësojmë nga e kaluara, por, i përsërisim gabimet e njëjta vazhdimisht”, potencon Duhanaj.

Ai thotë se Kosova duhet të ketë kujdes që t’i dallojë miqtë dhe armiqtë, dhe se sfida më e madhe për Kosovën do të jetë që shqiptarët të bashkohen rreth një ideje të përbashkët.

Image
Leon Duhanaj

“Kosova, përgjatë dekadës së parë si shtet i pavarur, pati shumë sfida. Kosova, ka armiq të shumtë, por ka edhe miq të shumtë. Tani, për ta projektuar të ardhmen më të sigurt, së pari, kërkohet që ta bëjmë dallimin çartë në mes miqve dhe armiqve, sepse duke bashkëpunuar me armiq, po shndërrohemi në armikun kryesorë të shtetit. Pra, sfida më e madhe e së ardhmes do të jetë të bashkohen shqiptarët rreth një ideje të përbashkët. Nëse nuk ndodhë kjo, atëherë do të vazhdojmë me qenë armiku më i madh i shtetit dhe vetvetes. Nëse arrihet unitet, atëherë te ndihmuar edhe nga miqtë e shumtë, nuk do ketë kush çfarë të na bëj”,  përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

Asociacioni i Komunave serbe, rreziku kryesor që e pret Kosovën

Ndërkaq, juristi Muhamet Kelmendi, tha për “Bota sot” se çështjet ekonomike-sociale dhe çështja e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të vendit, vazhdojnë të mbeten sfida të Kosovës.

Image
Muhamet Kelmendi

Mirëpo sfida dhe rreziku kryesor që e pret Kosovën sipas Kelemendit, është çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi që këto komuna po përkrahen nga ndërkombëtarët, e në anën tjetër janë të dëmshme për vendin.

“Kosova është fakt që përballet me një pjesë të problemeve të ndryshme, problemet më të mëdha sipas mendimit tim në aspektin e brendshëm është çështja e sovranitetit dhe tërësisë territoriale dhe gjithsesi edhe çështjet ekonomike dhe sociale, papunësia e madhe, pasi kemi një varfëri jashtëzakonisht shumë të skajshme dhe duhet të marrim masa të mëdha. Në këtë drejtim mendoj se kemi dy çështje për të cilat duhet t’i përmendim, njëra është çështja e asociacionit  të komunave serbe ku natyrisht unioni evropian kërkon që doemos të themelohet ky asociacion në mënyrë që të ecim përpara, mirëpo ky është mendimi i unionit evropian, pasi unë mendoj se ky themelim do t’i shkaktojë dëme të mëdha vendit”, tha Kelmendi.

Çështja e demarkacionit dhe formimi i ushtrisë janë sfida tjera kryesore që e presin Kosovën, e në këtë të fundit janë edhe dy rrugë tjera brenda saj sipas Kelmendit.

“Një tjetër sfidë është edhe çështja e demarkacionit, pasi është kusht nga evropianët që Kosova ta kalojë një hap deri në liberalizimin e vizave dhe kuptohet qe në këtë drejtim do të jetë një sfidë e madhe  pas 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Sfida tjetër e madhe do të jetë ajo e formimit apo krijimit të ushtrisë së Kosovës, ku dihet se janë dy rrugë deri në këtë sfidë, njëra është ndryshimi i kushtetutës dhe tjetra është formimi i një ligji për këtë çështje”, përfundoi për “Bota sot” Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat