“Partitë opozitare nuk kanë koordinim, ky koalicion qeveritar do ta rrëzojë veten”

Politika

“Partitë opozitare nuk kanë koordinim, ky koalicion qeveritar do ta rrëzojë veten”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 shkurt 2018 Në ora: 22:07
Ramush Haradinaj- Kadri Veseli

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se ka mundësi që qeveria aktuale të bjerë sivjet dhe kjo natyrisht varet nga opozita që do të mund t’i bashkonte forcat për rrëzimin e saj.

Deklarata të këtilla vijnë edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilët vazhdimisht deklarohen për zgjedhje të reja dhe rrëzimin e kësaj qeverie.

Mirëpo, pavarësisht  deklaratave  nga të dyjat partitë opozitare, sipas analistëve politikë arsyeja se këto parti nuk marrin veprime të përbashkëta është sepse nuk kanë koordinim në mes veti.

Analisti politik, Nexhat Haziri, ka thënë për “Bota sot” se partitë opozitare nuk janë të koordinuara dhe kjo gjë shihet edhe gjatë seancave kuvendore.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, partitë opozitare janë edhe në garë me njëra- tjetrën për atë se kush do të jetë bartëse e opozitës.

“Arsyeja është se partitë opozitare nuk kanë një koordinim në mes tyre për veprimet opozitare të përbashkëta. Kjo është parë edhe gjatë punimeve nëpër seancat e Kuvendit të Kosovës, ku partitë opozitare nuk i kanë mbrshtetur idetë apo propozimet e njëra- tjetrës. Dhe, pse nuk ka një bashkëveprim dhe koordinim opozitar është ngase të dy partitë politike opozitare, si VV-ja po ashtu edhe LDK-ja ma shumë janë në garë me njëra- tjetrën se kujt i takon të jetë bartëse e opozitës se sa që kanë gatishmëri për ta sfiduar koalicionin qeverisës edhe ashtu të brishtë”, ka nënvizuar Haziri.

Ai faktor tjetër dobësimi opozitare, ka konsideruar ndarjen e LV-së dhe deputetëve të dorëhequr nga kjo parti.

Mirëpo, sipas Hazirit, kjo qeveri dhe ky koalicion qeveritar do ta rrëzojë veten e tij.

“ Faktori tjetër që po ashtu e ka dobësuar kampin opozitar është edhe ndarja e LV-së dhe grupi i deputetëve të dorëhequr nga LV-ja, ende nuk e ka qartësuar pozicionin e vet. Ndërsa sa i pëeket qeverisë është realiste pritja që kjo qeveri të rrëzohet në këtë vit, pasi është një qeveri pa koncept qeverisës dhe e pa aftë për t’u përballë me sfidat që i ka vendi dhe të gjejë zgjedhje për shumë probleme që i kanë qytetarët e vendit. Megjithatë unë më shumë pres që kjo qeveri dhe ky koalicion qeveritar ta rrëzojë veten, se sa që i vije rrëzimi nga kjo opozitë inerte”, ka përfunduar Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat