Qeveria shkel memorandumin me Ambasadën Britanike

Politika

Qeveria shkel memorandumin me Ambasadën Britanike

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 12 shkurt 2018 Në ora: 10:09
Ruairi O

Më 10 tetor të vitit të kaluar, kryeministri Haradinaj, ka nënshkruar një marrëveshje memorandumi me ambasadorin britanik, Ruairi O’Connell për të ndihmuar ekzekutivin në zgjedhjen e njerëzve me të mirë në institucionet publike.

Qeveria Haradinaj, duhet të anulojë konkursin e fundit për emërimin e Burim Rrecajt në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë, për të cilën ka dal kundër Ambasada e Britanisë së Madhe.

Burim Rrecaj, vjen nga partia NISMA për Kosovën. Në zgjedhjet lokale, ai ka garuar për këshilltar komunal në komunën e Prishtinës.

Po ashtu, në krye të Ministrisë së Tregtisë qëndron Bajram Hasani nga i njëjti subjekt politik.

Zyrtarët e ambasadës britanike kanë thënë se kandidati në fjalë dyshohet se nuk i ka plotësuar kriteret të përcaktuara më konkurs.

“Rezultati përfundimtar sipas mendimit profesional të Partnerit Zbatues të projektit tonë gjen se vetëm një person kishte përmbushur kriteret për t’u emëruar në këtë pozitë. Kandidatët e tjerë kishin dalë me më pak pikë dhe nuk ishin të nivelit për emërim në këtë pozitë. Në këtë pozitë nuk është emëruar kandidati i vetëm që ka përmbushur kriteret”, kishte vlerësuar Ambasada Britanike në Kosovë.

Momerandumi

Më 10 tetor të vitit të kaluar, kryeministri Haradinaj  ka nënshkruar një marrëveshje memorandumi me ambasadorin britanik, Ruairi O’Connell për të ndihmuar ekzekutivin në zgjedhjen e njerëzve me të mirë në institucionet publike.

“Qëllimi i Memorandumit të mirëkuptimit është që, në pajtim me legjislacionin në fuqi, të mbështeten përpjekjet e përbashkëta për të siguruar fuqizimin, pavarësinë, meritokracinë dhe profesionalizmin në procesin e rekrutimit të pozitave të larta drejtuese në shërbimin civil dhe bordeve të ndërmarrjeve publike”, thuhet në pikën 1 të memorandumit.

Në Zyrën e Kryeministrit nuk i janë përgjigjur pyetjeve me shkrim të Gazetës “Bota sot”, lidhur me kritikat e ambasadës kundër zgjedhjes së Rrecajt.

Gazeta i ka dërguar pyetje edhe shefit të grupit parlamentar të NISMA-s, Bilall Sherifi, por as ai nuk është përgjigjur.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e opozitës dhe analistë politik thonë se ky veprim tregon se Qeveria Haradinaj po vazhdon me logjikën e vendosjes së njerëzve të vet nëpër institucione të shtetit.

Opozita: Kjo qeveri duhet të shkoj sa më shpejtë

Përpos ambasadës së Britanisë së Madhe, kundër zgjedhjes së Rrecajt po i plotësuar kushtet kanë dal edhe përfaqësuesit e të dy partive opozitare.

Image
Ali Lajçi

“Po shihet se edhe kjo qeveria po vazhdon me emërime të anëtarëve të vet nëpër postet kyçe të institucioneve kryesore të shtetit”, ka thënë për “Bota sot”, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi.

Sipas tij, emërimi i njerëzve jo kompetentë në poste të tilla po i jep imazh të keq edhe shtetit të Kosovës tek ndërkombëtaret.

“Reagimi i Ambasadës Britanike kundër këtij konkursi tregon për dy gjëra. E para është se po zgjedhjen njerëz politik në institucione që duhet të jenë të pavarur. E dyta është se kjo i jep vendit imazh te keq edhe tek ndërkombëtarët”, deklaroi Lajçi.

Kundër kësaj zgjedhje të MTI-së, ka dal edhe anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj.

Image
Bajram Gecaj

“Nuk është kjo çështje zgjidhje se a duhet apo jo! Kjo qeveri ka arritur marrëveshje me britanikët dhe duhet ta respektojnë, ashtu siç duhet t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet si vendore ashtu dhe ndërkombëtare”, ka thënë Gecaj për “Bota sot”.

Sipa Gecajt, zgjidhja më e mirë për vendin është që kjo qeveri të shkoj në shpi.

“Mos respektimi i marrëveshjeve e vendose këtë qeveri mbi ligjin dhe jashtë ligjit, dhe mu për këtë kjo qeveri duhet të largohet sa më parë. Nepotizmi është kredoja e kësaj qeverie që nga fillimi i saj”, ka deklaruar Gecaj.

Mosmarrëveshjet e mëparshme

Qeveria Haradinaj, ka pasur mosmarrëveshje me Ambasadën Britanike edhe sa i përket emërimit të anëtarëve të Bordit të Trepçës.

Kjo ka bërë që të dorëheqen edhe anëtaret e kësaj ambasade nga komisioni për zgjedhjen e këtyre anëtarëve.

Më 7 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka hapur konkurs për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Trepçës.

Analistët kërkojnë anulimin e konkursit

Nga ana tjetër, analistët politik thonë se ky konkurs duhet të anulohet në tërësi, pasi që sipas tyre ky emërim është politik dhe pa i plotësuar kriteret e përcaktuara.

Image
Faton Mehmeti

“Emërimi i Burim Rrecajt është politikë, si pasoje e sistemit të korruptuar. Andaj, edhe reagimi i ambasadës së Britanisë së Madhe vjen shume i fortë, pasi kandidatja Gentiana Islamaj doli më e suksesshme dhe nuk u pranua”, ka thënë për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

Edhe sipas ambasadës britanike, kandidatja Gentiana Islamaj doli të ishte kandidatja më e suksesshme për pozitën e sekretarit të përgjithshëm në MTI.

Për këtë analisti, Mehmeti ka thënë se ky konkurs duhet anuluar.

“Kjo qeveri ka instaluar nepotizmin në çdo sektor të saj, duke penalizuar njerëzit më të mirë dhe më të përgatitur për vende pune. Reagimi i ambasadës së Britanisë duhet të rezultojë me anulimin e konkursit për sekretar të përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Dhe të rishikohen të gjithë konkurset për parregullsitë eventuale, sepse vendi po zhytet në humnerë të nepotizmit dhe korrupsionit”, ka deklaruar Mehmeti.

Mehmeti ka shtuar se pa u luftuar kjo dukuri, nuk mund të flitet për shtet të së drejtës, për çka sipas tij edhe ambasada Britanike është e shqetësuar.

Haziri: Kosova po qeverisët nga banditët

Image
Nexhat Haziri

Kritika ndaj ekzekutivit është shprehur edhe analisti tjetër, Nexhat Haziri.

“Është një fakt që në qeverinë Mustafa patë filluar një praktikë e mirë, gjithashtu me përkrahjen dhe në bashkëpunim me ambasadën e Britanisë së Madhe, për zgjedhje dhe emërime të njerëzve profesional dhe me kredibilitet në borde dhe dikastere të tjera, siç janë edhe sekretaritë e ministrive”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Në gusht të vitit 2015, Qeveria e Isa Mustafës dhe Kuvendi patën nënshkruar një marrëveshje me ambasadën britanike.

Marrëveshja ishte nënshkruar në kabinetin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nga kryeministri Isa Mustafa dhe Ambasadori britanik Ruari Oconnell.

Ky memorandum, kishte për qëllim që të fuqizonte dhe të siguronte procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për postet e larta, në borde fillimisht duke sjell përvojë të re në institucionet publike të Republikës së Kosovës.

Modeli Mustafa nuk po i pëlqen Haradinajt

Por, Haziri thotë se këtij ekzekutivi nuk po i konvenon modeli i instaluar nga kryeministri paraprak.

“Si duket, ky model nuk po i konvenon qeverisë Haradinaj dhe partnerëve të koalicionit të cilët janë të vendosur për ta çuar përpara agjentët e tyre për kapjen e shtetit për interesat e tyre mafioze, të zhvatjes së shtetit përmes nepotizmit dhe klientalizmit të instaluar në çdo institucion të shtetit”, ka deklaruar Haziri.

Sipas tij, kriteri i vetëm që duhet plotësuar për qeverinë, është të jesh i dëgjueshëm ndaj shefit, të dish sa me pak aq më mirë.

“Pra, ky soj i banditëve që po qeverisë Kosovën nuk njehë meritokraci, këta njohin vetëm nënshtrimin e të tjerëve ndaj tyre”, ka shtuar Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat