Rezidencë presidenciale, Presidenti merr kritika për propozimin e tij

Politika

Rezidencë presidenciale, Presidenti merr kritika për propozimin e tij

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 11 shkurt 2018 Në ora: 08:16
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Ideja e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit që Qeveria e Kosovës dhe institucionet përcjellëse të mbartën, në një godinë shtetërore apo rezidencë nuk është pritur aspak mirë dhe ka pasur reagime të shumta.

Thaçi, këtë kërkesë e ka adresuar ndaj Qeverisë së Kosovës, duke thënë se Kosova ka nevojë për ndërtimin e kompleksit rezidencial të institucioneve shtetërore. Thaçi, në fjalimin  e tij, para kabinetit qeveritar, ka shtruar tri propozime, për të cilat ka thënë se do të shërbejnë në kultivimin dhe kompletimin e identitetit tonë shtetërorë.

“Në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë dhe dekadat e ardhshme, duhet ti kultivojmë dhe kompletojmë shenjat e identitetit tonë shtetëror. Në shërbim të këtij qëllimi, kabinetit qeveritar i bëra tri propozime, të cilat shpresoj se do të marrin përkrahjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të vendit tonë. Së pari, shteti i Kosovës ka nevojë për ndërtimin e kompleksit rezidencial të institucioneve shtetërore, si domosdoshmëri e kohës dhe prezantimit real të zhvillimit të Kosovës” ka thënë Thaçi.

Në lidhje më propozimin e Presidentit Thaçi, kanë reaguar deputetë të shumtë duke e kundërshtuar idenë e Presidentit.

Abdixhiku: Kosova nuk ka nevojë për komplekse rezidenciale

Deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për komplekse rezidenciale e godina shtetërore.

Image
Lumir Abdixhiku

“Kosova ka nevojë për spitale më të mira, shtretër e barna më shumë. Vizitoni pak spitalet shtetërore dhe shihni mjerimin aty. Kosova ka nevojë për arsim më cilësor, për dije më shumë. Ka nevojë për gjykata më të forta. Tek pasi ti kemi përfunduar punët në shëndetësi, arsim e gjyqësi - tek atëherë - mund të flasim për zyrat e politikanëve, të kolegëve të mi” ka thënë Abdixhiku. Sipas tij propozimi për komplekse të reja të institucioneve në këtë kohë është veçse naiv.

Kundër një ideje të tillë, për ngritjen e një rezidencë shtetërore, ka deklaruar të jetë edhe deputetja nga Vetëvendosje Shqipe Pantina e cila në një postim të saj në rrjetin social Facebook ka thënë se: Sipas Kushtetutës së vendit Presidenti i vendit zgjidhet nga Kuvendi dhe i raporton atij. Asnjëherë deri më sot Presidenti nuk ka marrë pjesë në mbledhje të qeverisë e as nuk ka ndërhyrë në punën e saj. Por Hashim Thaçit si duket nuk po i mjafton pozita e Presidentit, ai po dëshiron ta dëshmoj se ai është ende “Shefi” e Ramush Haradinaj është thjesht një burrë i dëgjueshëm që kur kërkon Shefi ai ja liron kërrigën” thuhet një reagimin që deputetja ka bërë.

Ramadani: Kërkesë e kohës nuk janë llukset

Image
Adlum Ramadani

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Adlum Ramadani, ka dhënë arsyet pse nuk duhet miratuar projektin e Hashimit siç e quan ai për kompleksin presidencial.

1) Spitalet regjionale, përfshirë QKUK-në me departamentet përcjellëse janë në gjendje të mjerueshme infrastrukturore.

2) Mungesa e shkollave në zona rurale obligon mijëra fëmijë të udhëtojnë me dhjetëra kilometra por edhe t'a lën shkollën.

3) Shkollat e mesme përmbushin kurrikulën e paraparë me orë praktike përmes orëve teorike, si pasojë e mungesës së laboratorëve, qoftë kimik, biologjik apo të IT-së.

4) Çerdhet publike nuk përmbushin as 20% e kërkesave të banorëve për regjistrim të fëmijëve.

5) Qendrat rinore në thuajse gjithë Kosovën funksionojnë në lokale, përdhese e banesa me qira.

6) Qendra Integruese Rehabilituese si pasojë e numrit të madh të të sëmurëve kronik psikiatrik obligohet të kthejë prapa e të lë në rrugë dhjetëra e ndoshta qindra të tillë.

7) Komuniteti i artistëve ende ëndërron për një hapësirë integruese që do të mund të shfrytëzohej për vepra me karakter kombëtarë e ndërkombëtar.

8) Vlera e përgjithshme e mega projektit për kompleks residencial mund të përdorej për hapje të industrive të reja/fabrikave prodhuese që do të ndikonte në eksport por edhe në punësim të të rinjve;

9) Vlera e po të njëjtit projekt mund të zbërthehej në mbështetje të Federatave Sportive të Kosovës, të cilat po e dëshmojnë profesionalizmin në arenën ndërkombëtare.

10) Betoni i kompleksit rezidencial mund të zëvendësohet me zhvillimin e zonave turistike, të cilat janë atraksion kombëtar në botën perëndimore.

Adlum Ramadani po ashtu ka thënë se Hashim, kërkesë e kohës nuk janë llukset e komplekset rezidenciale por modestia dhe përkrahja për ata që me të vërtetë kanë nevojë!

Instittucionet të jenë në shërbim dërtimit të shtetësisë së Kosovës

Image
Mentor Tahiri

Në anën tjetër, Politologu Mentor Tahiri propozimin e të parit të shtetit e sheh si normal por në rast se shteti do ta kishte funksionimin si duhet.

“Propozimi i Presidentit do të ishte krejtësisht normal në një shtet i cili ka vënë në binare funksionimin si duhet. Kjo kërkesë është veç tjerash e nevojshme, ngase institucionet e Kosovës si Presidenca, Qeveria dhe ministritë e saj, janë të vendosura në objekte të cilat kur ishin ndërtuar kishin destinime tjera. Fatkeqësisht, Kosova ka sot aq shumë probleme sa është e vështirë të përcaktohet kjo si diçka prioritare. Ajo që tani vërtetë duhet të jetë prioritare, është një vullnet i përgjithshëm politik dhe shoqëror që institucionet e vendit të funksionojnë si duhet dhe të jenë në dispozicion të ndërtimit të shtetësisë së Kosovës, pavarësisht se në cilin lokacion zhvillojnë aktivitetet e tyre” ka thënë Tahiri për “Bota sot”.

Kurse njohësi i çështjeve juridike në vend Muhamet Kelmendi ka shpjeguar se Hashim Thaçi  është shumë pak i përgatitur dhe tepër konfliktuoz në politikë.

“Thaçi dhe po ashtu edhe ekipi i tij, jo vetëm në presidencë por edhe në qeveri nuk punojnë për të mirën e vendit por për çrregullime dhe konflikte të mëdha. Mbajtja e idesë tipike të pa precedentë të kalimit të Universitetit në periferi, si dhe te institucioneve shtetërore rezidenciale diku tjetër, kuptohet në periferi ka për qellim hapjen e vendeve të punës për firmat kryesisht të Thaçit dhe të Pacollit. Kosova ka shumë probleme, ato janë në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë në fushën sociale dhe të bujqësisë, në administratë dhe në sistemin e drejtësisë, kudo në ndërtimin e vendit dhe të merret Kosova, kuptohet tash me institucionet e kompleksit rezidencial, është krim” ka thënë Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat