Kërkohen reforma, “Policia nën komandat e komandantëve”

Politika

Kërkohen reforma, “Policia nën komandat e komandantëve”

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 10 shkurt 2018 Në ora: 16:28
ilustrim

“Tashmë është gjithçka e qartë, në një vend ku Kryeprokurori i shtetit kapet falsifikator i provimit të jurispodences, ku Drejtori i Departamentit i Hetimeve te Krimeve Ekonomike rrah Drejtorin e institucioni publik në mes Prishtinës dhe nuk suspendohet, në një vend ku shohim në media qindra mijëra Euro duke u numëruar në llogari të oficerëve të lartë të PK-së dhe nuk suspendohet protagonisti, në një vend ku dëgjojmë në media skandale sikur ai i Kryeshefit të IPK-së duke i kërcënuar vartësit e tij për të kryer punësime të paligjshme, e në fund kur të gjithë këta rezulton të jenë në bashkëveprim dhe në mbrojtje të njeri-tjetrit, atëherë s’kemi se si ta quajmë këtë ndryshe përveç se një rrjet i sofistikuar i krimit të organizuar që i ka kapur mekanizmat vitale të shtetit. Kështu duket, pra, shteti i kapur! Kjo nuk është një fantazi”.

Këto ishin fjalët e deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ku thotë se brenda policisë së Kosovës, ekziston një rrjet i organizuar kriminal, i cili është i kapur nga shteti.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Policisë së Kosovës, ku përmes një komunikate thonë se “Policia e Kosovës, në krye me menaxhmentin e saj janë të përkushtuar në zbatim të ligjit dhe në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve konform autorizimeve ligjore, dhe në asnjë rast të vetëm nuk mbrojnë asnjë punonjës apo vartës që mund të bie ndesh me ligjin”.

Por, sa mund të sjellin këto deklarata të Selimit pasiguri tek qytetarët e vendit, ndaj Policisë së Kosovës?

Reforma në Polici

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, duke folur për “Bota sot” rreth kësaj çështje, thotë se deklaratat e tilla ngjallin pasiguri tek qytetarët e vendit, mirëpo sipas Tërnavës nuk është vonë kurrë që brenda këtyre institucioneve të bëhen reforma.

Image
Hajrullah Tërnava

“Deklaratat e tilla të vonuara të Rexhep Selimit ndaj policisë së Kosovës, mund të krijojnë pasiguri te qytetarët gjithsesi. Por, edhe tani qe është tepër vonë për këto reagime, populli thotë se më mirë vonë se hiq. Tani është koha që të dëgjojnë ata që qëndrojnë në krye të larta të institucioneve ketë apel  dhe paguhen mirë për punët e tyre në këto rrethana te papunësisë të madhe në këtë vend. Koha është që më të mëdhenjtë e Kosovës të fillojnë me risistemime-reforma në të gjitha institucionet e Kosovës e sidomos te atyre që drejte për së drejti që e luftojnë krimin si gjykatat, prokuroria, policia dhe të fillojnë me luftimin serioz të krimit të organizuar si kriteri i fundit për liberalizimin dhe ecjes drejt BE-së”, thotë ai.

Tërnava, ish-drejtor i akademisë policore në Vushtrri në vitin 1985, tregon edhe se si “komandantët” e sotëm, e kishin fjalën e fundit në policinë e Kosovës, ku dërgonin lista se cilët policë duheshin të pranoheshin dhe sot ata policë komandohen nga këta “komandantet” të cilët janë në pushtet.

“... Policia filloj të pranohet dhe fjalën kryesore e kishin „komandantët“ te cilët dërgonin listat e tyre se kush duhet të pranohet në atë polici. Edhe ashtu ishte një marrëveshje që 70% në polici duhet të pranohen ushtarët e UÇK-së. U pranuan policia dhe pas një kohe edhe u avancuan në grada të larta dhe morën përgjegjësit por gjithnjë ishin ne shërbim të „komandantëve“ dhe jo rastësisht tani ata „komandanta“ sot nga skamnoret i kemi multimilionerë. Ata ish-policët konkurruan individualisht dhe një numër i madh nuk u pranuan dhe sot për të mbijetuar, shiten punëtor krahu disa nga ta, të tjerët bredhin në perëndim, kurse ata qe u pranuan ne polici iu shërbyen klaneve dhe u bene te dëgjueshëm në polici që të mbijetojnë”, përfundoi Tërnava.

Halimi: Policia, institucioni më i besueshëm në Kosovë

Ndërkaq, studiuesi i fushës së sigurisë, Armend Halimi, duke folur për “Bota sot”, thotë se sipas hulumtimeve që janë bërë institucioni me besueshmëri më të lartë, del Policia e Kosovës dhe këto janë nga policët në terren. Sipas Halimit, disa skandale që kanë ndodhur brenda policisë së Kosovës, bëjnë që të ketë dyshime në këtë drejtim.

Image
Armend Halimi

“Policia e Kosovës sipas të gjitha hulumtimeve del si institucion me besueshmëri të lartë nga perceptimi i opinionit. Këto sigurisht pasqyrojnë përvojën e qytetarëve me Policë në përditshmëri, ku fatmirësisht kemi çdo ditë e më shumë përparim në përformancën e këtij institucioni, sidomos falë gjeneratave të reja, ku përgatitja e tyre arsimore është më e lartë. Pra, perceptimi qytetarë për Policinë e Kosovës është pozitiv kryekëput falë policëve në terren, qe janë në shërbim direkt me qytetarë. Mirëpo, duhet pranuar edhe faktin se jo pak raste të rënda kanë ndodhur në këtë institucion, që kanë luhat kredibilitetin e tyre, me theks të veçante instancat më të larta të këtij institucioni, në këtë rast vlen të përmendet vjedhja e dhomave të dëshmisë si paradoks, pastaj, reagimet me emocione politike jo rralle here qe bëjnë personeli që i përket menaxhmentit të Policisë”, thotë Halimi.

Ai thotë se policia kanë të drejtë dhe obligim që ta kundërshtojnë urdhrin nga policë me grada më të larta, nëse e shohin si të kundërligjshëm.

“Ndryshe, ekzistojnë mekanizma si ligjor dhe institucional që janë kujdestar të Policisë, ku për veç tjerash, sipas Kodit Penal, polici kur do që merr urdhër të kundër ligjshëm, ka të drejtë dhe obligim të refuzoj atë pavarësisht gradës të urdhërdhënësit, madje edhe duke e raportuar atë, që do të thotë se ekziston inspektimi inter, duke pasur brenda këtij mekanizmi edhe drejtorinë e standardeve dhe të disiplinës, deri tek ata për tej tyre, siç është Inspektoriati Policor, prokuroria dhe gjykatat”, përfundoi Halimi për “Bota sot”.

Punësimi me ndikim nga jashtë

Në anën tjetër analisti politik, Leon Duhanaj, shprehet se me themelimin e Policisë së Kosovës, u pa një derë e hapur për punësim, mirëpo sipas Duhanajt, shumica e të punësuarve në polici, janë pranuar me ndikim nga jashtë.

Image
Leon Duhanaj

 

“Leon Duhanaj: Me themelimin e institucionit të policisë së Kosovës, u pa një derë e hapur dhe një mundësi në radhë të parë për punësim. Shumica e të punësuarve, janë pranuar përmes ndikimeve nga jashtë, si nepotizëm korrupsion...etj. Tani, ta shtrojmë një pyetje; çfarë mund të dalë nga një institucion, në të cilin kriter për punësim, është me pas t'njofshëm. Policia e Kosovës, edhe përkundër sfidave evidente, të vazhdueshme, megjithatë, ia ka dalë me ba ndryshime pozitive. Policia e Kosovës, është njëra ndër policitë më të përgatitura në regjion. Natyrisht që mund të ketë, edhe besoj që, edhe brenda policisë, ka hapësirë për shqetësime. Por, që inspektorati policorë, ka suspenduar shumë polic për shkelje ligjesh dhe tejkalim të detyrës zyrtare. Natyrisht që, secili qytetarë e ka për obligim, ta vëjë vetën në shërbim të të tjerëve. Në raste kur ka parregullsi, atëherë, është obligim i secilit, që të ndikoj në përmirësimin e gjendjes, duke denoncuar rastet në vendin e duhur”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat