Demarkacioni me Serbinë dhe kriteri i rrezikshëm për Kosovën!

Politika

Demarkacioni me Serbinë dhe kriteri i rrezikshëm për Kosovën!

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 9 shkurt 2018 Në ora: 07:54
Foto ilustrim "Bota sot"

Deputetët dhe njohës të çështjeve politike, thonë se demarkimi i kufirit me Serbinë, ashtu siç po kërkon Komisioni Evropian, është një proces që duhet të bëhet patjetër, por sipas tyre Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme, ngase mund të përsëritet skenari i problemit të Demarkacionit me Malin e Zi.

Shteti i Kosovës duhet të marrë seriozisht gjashtë kriteret e përcaktuar në tekstin e Strategjisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, nga ana e Komisionit Evropian në mënyrë që ajo të mund të anëtarësohet se bashku me Serbinë, Malin e Zi dhe shtete e tjera të rajonit.

Por, ajo duhet të jetë shumë e kujdesshme sa i përket përmbushjes së njërit nga gjashtë kriteret që është ai për demarkimin e kufirit me Serbinë.

Kjo për faktin se Serbia ka dokumentacionin origjinal të të gjithë dokumenteve që përcaktojnë kufijtë administrativë në mes të dyja vendeve. Po ashtu, Kosova ka një vijë të gjatë të kufirit me Serbinë.

Deputetët dhe njohës të çështjeve politike, thonë se Kosovë nuk duhet të bëj të njëjtin gabim gjatë shënjimit të kufirit, siç e bëri më Malin e Zi, që mori si parim të vetëm kriterin kadastral.

Qeveria e gatshme të vazhdojë bisedimet me Serbinë

Zyrtarët qeveritar thonë se ata do të vazhdojnë bisedimet me Serbinë për t’i përmbushur kushtet që kërkohen në strategjinë e Komisionit Evropian për integrimin e Kosovës në BE, por nuk komentojnë asgjë lidhur me demarkimin e kufirit me shtetin serb.

“Dialogu është alternativa e vetme për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe Kosova ka treguar konsturktivitet dhe gatishmërinë për dialogun. Megjithëkëtë, dialogu duhet të jetë i strukturuar dhe i afatizuar në kohë dhe duhet të përmbyllet me njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve”, thuhet në përgjigjet me shkrim të Qeverisë për “Bota sot”.

Sipas ekzekutivit, dialogu nuk mund të zgjas në pakufi dhe rruga evropiane për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, duhet të jetë e qartë dhe me trajtim të barabartë.   

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Dialogu me Serbinë duhet të përmbyllë një kapitull të marrëdhënieve të vështira ndërmjet dy vendeve tona dhe prandaj afatizimi i dialogut dhe njohja reciproke do t’u hapë të dyja shteteve rrugën e integrimit evropian”, thuhet më tej në përgjigjen e Qeverisë.

Demarkimi me kriterin kadastral, i rrezikshëm për Kosovën

Deputetët e Kuvendit thonë se demarkimi i kufirit me Serbinë është një çështje që duhet bërë, por sipas tyre, Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme, e mos të bazohet vetëm në kriterin kadastral.

Image
Drita Millaku

“Serbia ende nuk i ka përmbush asnjë nga marrëveshjet e dialogut në Bruksel. Tani, në këtë situatë të re, po del në pah se dialogu shterpë pa rezultate dhe pa parime  në mes Kosovës dhe Serbisë do të zgjasë në pafundësi”, thotë për Bota sot”, deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku.

Sipas saj, demarkimi i kufirit me Serbinë në këtë periudhë është i vështirë, por është një proces që duhet të bëhet. 

“Sipas kontakteve që kam pasur me disa ekspert të fushës (gjeograf dhe ushtarak) demarkimi me Serbinë duke marrë për bazë kriterin kadastral, atëherë Kosova do të humb ndoshta pesë fish ma shumë territor se sa me Malin e Zi”, shtoi Millaku.

Edhe deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, thotë se shteti i jonë duhet të jetë shumë i kujdesshëm sa i përket çështjes në fjalë.

Image
Teuta Haxhiu

“Demarkacioni me Serbinë është një problem tjetër që konsideroj se është diçka shumë më i vështirë sesa me Malin e Zi, sepse ky shtet është njëri ndër të paret që e ka njohur pavarësinë e Kosovën, dhe natyrisht nuk është dashur që të kemi probleme për një marrëveshje që në interes të të dyja vendeve”, thotë Haxhiu për “Bota sot”.

Kosova dhe Mali i Zi e kanë nënshkruar Marrëveshjen për demarkacionin në Vjenë, në vitin 2015. Shteti fqinje këtë marrëveshje e ka miratuar në Kuvend, kurse në Kosovë ka mbetur pezull për shkak të kundërshtimit të fuqishëm nga ana e Vetëvendosjes, AAK-së dhe NISMA-së.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria ka marrë vendim që pas tri viteve, këtë marrëveshje të dërgoj për procedim në parlament, por Kryesia e Kuvendit, të hënën e ka hequr nga rendi i ditës këtë marrëveshje.

Arsyetimi i kryetarit të Parlamentit, Kadri Veseli për heqjen e kësaj marrëveshje nga pika e rendit të ditës, ishte se duhet pritur një momenti i favorshëm në mënyrë që demarkacioni të dërgohet në Kuvend për miratim.

Image
Bajram Gecaj

Gecaj thotë se demarkimi i kufirit përforcon ndarjen nga Serbia

Anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj thotë demarkimi i kufirit me Serbinë, e përforcon ndarjen nga Serbia, edhe pse sipas tij, shteti serb do të mundohet që kësaj marrëveshje mos t’ia jep epitetit e kufirit, por të vijave administrative.

“Demarkimi i kufirit është definitivisht ndarje shtetërore, edhe pse, duke e njohur Serbinë, besoj se ata do të arsyetohen se po shënojnë kufirin administrativ”, thotë Gecaj për “Bota sot”.

Ai thotë, se Serbisë dita ditës po i ngushtohet hapësira e veprimit karshi Kosovës.

Por, ai shprehet skeptik sa i përket klasës politike në vend.

“Megjithatë, Serbisë po i ngushtohet hapësira e veprimit dita ditës, ndërsa problemi në këtë mes jemi ne vet, pasi që jemi më të përçare se kurrë dhe me qeverinë më të dobët që kemi pasur ndonjëherë”, deklaron ai.

“Ndërsa, sa i përket kufirit me Malin e Zi, rrezik mund të paraqesim vetëm ne dhe individët e subjekteve të cilët ketë çështje tani e tri vite po e keqpërdorin për qëllime të pastra politike”, shtoi Gecaj.

Image
Muhamet Kelmendi

Demarkimi i kufirit varet shumë edhe nga komisioni i Kosovës

Nga ana tjetër, profesori universitar, Muhamet Kelmendi, thotë se një rol shumë të rëndësishëm në shënjimin e vijës kufitar do të luaj edhe komisioni, i cili do të përcaktohet nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Natyrisht që do të varet shumë nga komisioni që do të themelohet nga ana e qeverisë, por mbi të gjitha unë mendoj se kjo varet edhe nga vet raportet që do ndërtohen midis Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Kelmendi, shprehet kritik sa i përket qasjes së shtetit serb karshi Kosovës.

“Nëse bazohemi deri më tash në marrëveshjet e arritura deri më tani, atëherë nuk shoh diçka të shpejt dhe pozitive për arsye se kemi çdo herë marrëveshje të cilat janë shumë negative për Kosovën në përgjithësi”, deklaroi ai.

Sa i përket demarkimit të kufirit, ai thotë se Kosova nuk duhet kurrsesi që të bazohet vetëm në parimin kadastral.

“Në qoftë se komisioni që do të themelohet, mbështetet vetëm me një faktor, siç e bëri me Malin e Zi do të humbim shumë, sepse kemi një vijë të gjatë të kufirit me Serbinë”, thotë më tej Kelmendi.

“Prandaj, unë mendoj se komisioni i cili do të del duhet të marrë për bazë disa elemente. Fillimisht duhet të merren faktorët tradicional, historik. Elementi i dytë, është që të merret parimi ndërkombëtare i caktimit të kufijve, parimi i tretë të merret vija gjeostrategjike, pastaj parimet e tjera se kush e ka administruar njërën pjesë apo tjetrën, dhe në fund fare të merret parimi i kadastrit”, shtoi Kelmendi.

Kelmendi ka mohuar faktin se me demarkimin e kufirit me këtë shtet, nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovë nga ana e Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat