Darka te Pacolli, temat që u diskutuan dhe “çudia” e madhe!

Politika

Darka te Pacolli, temat që u diskutuan dhe “çudia” e madhe!

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 8 shkurt 2018 Në ora: 13:18
Foto nga darka te Pacolli

“Në të vërtetë çudia më e madhe është se, si duket në këtë darkë nuk ka pasur të shtëna armësh që më së miri do ta përmbyllte krejt atë natë prej të cilës Kosova nuk sheh dritë’’, është shprehur Abdullahu.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ditë më parë mblodhi kabinetin qeveritar dhe liderët tjerë shtetëror në vilën e tij në Hajvali, në një darkë që u tha se ishte jozyrtare. Nga ambientet e brendshme u shkrepën edhe fotografi të cilat u publikuan në rrjetet sociale.

Në sy ra luksi i madh i zyrtarëve qeveritarë të Kosovës, në kohën kur Kosova po kalon në një krizë politike dhe socialo-ekonomike.

Për këtë darkë pati shumë reagime nga opozita, analistët dhe nga shoqëria civile.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi nga Behgjet Pacolli i cili tha se në këtë darkë nuk është diskutuar apo marrë ndonjë vendim për çështjet aktuale që po ndodhin në Kosovë.

Image
Faton Abdullahu

Abdullahu: Çudi është që nuk pati të shtëna armësh

Lidhur me darkën tek Pacolli, Faton Abdullahu, ish-këshilltar politik i kryeministrit, Isa Mustafa, në një prononcim për gazetën ‘’Bota sot’’ thotë se çuditërisht në këtë darkë nuk ka pasur të shtëna amesh. Madje, Abdullahu e vë në dyshim se kjo ‘’mbledhi’’ kishte ndonjë kauzë të mirë.

‘’Asgjë e çuditshme nuk ka ndodh në darkën e qeveritarëve aktual mbajtur në rezidencën e Pacolli. Mund të çuditen vetëm ata që mendojnë se këta pushtetarë i ka bashkuar një kauzë e mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj. Mund të çuditen vetëm ata që nuk i njohin gabimet e tyre që po na kushtojnë gjithnjë e më shumë, pasuritë e tyre, shtimi i të cilave është bërë busollë e veprimeve të tyre politike, arogancën mafioze që është metodikë e punës, për t’i mbrojtur ato pasuri, interesa dhe klanet e tyre. Thënë përmbledhtazi, mund të çuditen dhe u çuditën vetëm ata që ende nuk e kanë kuptuar se, ata po hajnë e qytetarit të Kosovës po i mbetet në fyt”, ka thënë ai.

“Qeveria aktuale ta zëmë, është strukturuar mbi disa sajesa të bëra me djallëzi të kamufluara me patrioizëm dhe të ofruara si premtime për ndryshime të mëdha. Prandaj ata që çuditen me këtë darkë, ata mund t’i kenë besuar këtyre premtimeve. Në të vërtetë çudia më e madhe është se, si duket në këtë darkë nuk ka pasur të shtëna armësh që më së miri do ta përmbyllte krejt atë natë prej të cilës Kosova nuk sheh dritë’’, është shprehur Abdullahu.

Image
Hajrullah Tërnava

Temat që u biseduan

Në anën tjetër, analisti Hajrullah Tërnava nuk e përjashton mundësinë që në këtë darkë u morën vendime për demarkacionin e kufirit mes Malit të Zi dhe Kosovës.

‘’Tubimi dhe darka e majme që u zhvillua në Hajvali tek Behgjet Pacolli, ishte një tubim i qeveritarëve ku përpos darkës u biseduan edhe tema te rëndësishme te detyrave te tyre qe i presin ditëve ne vijim e pse jo edhe demarkacioni i kufirit mes Malit te Zi dhe Kosovës. Presidenti Thaçi propozoj qe institucionet shtetërore Qeveria e Kosovës dhe institucionet përcjellëse të kalojnë në Hajvali sikur që është biseduar edhe për ndërtuesit e mundshëm potencial’’ , ka thënë Tërnava.

Ndër tjerash Tërnava nuk e lë pa e cekur edhe ndërtimin e disa objekteve të tjera në lagjen Hajvalia.

Ai thotë se përmes këtyre ndërtimeve pritet të përfitojnë, sic i quan ai të “mëdhenjtë”. Për më tepër ai vlerëson se mos procedimi i demarkacionit në rend dite në Kuvendin e Kosovës ishte një dështim i mashtrimit ndaj Haradinajt.

“Sikur që tani Pallati i Drejtësisë është ndërtuar në Hajvali dhe po funksionon që disa vite, e sidomos që rëndësi të posaçme po i jepet asaj pjese të Prishtinës ku ekziston edhe rezidenca e famshme e Pacollit, pritet që të investohet në ato pjesë dhe si gjithnjë të përfitohet nga ato ndërtime si deri më tani, që shumë nga të “mëdhenjtë” u pasuruan. Me vetë faktin se nuk u procedua në rend dite të Parlamentit, demarkacioni, po del se mashtrimi ndaj Haradinajt nuk pati sukeses. Mbetet me u pa nëse këto oferta të rindërtimit të institucioneve të Qeverisë në Hajvali për përfitime të  mëdhaja, e bindin Haradinajn që të ndërrojë qëndrim rreth demarkacionit’’, ka përfunduar Tërnava.

Vlen të theksojmë se Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në këtë darkë kishte propozuar që institucionet e vendit të zhvendosen jashtë qendrës së Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat