“Haradinaj tregoi sa i pangopur është për pushtet dhe para”

Politika

“Haradinaj tregoi sa i pangopur është për pushtet dhe para”

Nga: Albulenë Muji Më: 2 shkurt 2018 Në ora: 10:43
Ramush Haradinaj

Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pezulluar vendimin për rritjen e pagës së tij dhe të kabinetit qeveritar. Ky vendim erdhi dy ditë pas vendimit të Agjencisë kundër Korrupsionit, ku ka konstatuar si të kundërligjshëm dhe një ditë pas ministri i Financave Bedri Hamza vendosi të mos e zbatoj vendimin e qeverisë për rritjen e pagave.

Lidhur me këtë, analisti Nexhat Haziri e ka quajtur të drejtë vendimin e Agjencisë kundër Korrupsionit dhe se me rritjen e pagës së vet nga Haradinaj qytetarët  panë se sa i pangopur është ai për para dhe për pushtet.

“Vendimi i AKK-se është i drejtë i cili erdhi pas presionit publik dhe kundërshtimit që qytetarët e vendit e shprehen në mënyra të ndryshme ndaj vendimit të kryeministrit Haradinaj që ia rriti pagën vetes dhe vartësve të tij në shkallë 100 %, në këtë kohë kur vendin e ka kapluar kriza sociale dhe papunësia. Vendimi për ngritjen e pagës së vet, ishte një grykësi e Haradinaj dhe përmes këtij vendimi të tij, qytetarët e panë shumë qartë se sa i pangopur është ky njeri për pushtet dhe para”, ka  thënë ai.

Gjithashtu, Haziri ka shtuar se  vendimi i AKK-së është një vendim që duhet përshëndetur dhe ka vlerësuar vendimin e ministrit Hamza.

“Këtu nuk duhet harruar pa përmendur edhe rezistencën që i bëri vendimit të padrejtë dhe antiligjor për ngritje të pagës së kryeministrit, nga ana ministrit të financave z.Bedri Hamza, i cili me këtë rezistencë ndaj këtij vendimi, tregoj se është një nga të paktë ministra të përgjegjshëm në këtë qeveri”, ka përfunduar Haziri për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat