Gjykata Speciale “prish” partnerët e koalicionit

Politika

Gjykata Speciale “prish” partnerët e koalicionit

Nga: Nesib Hoti Më: 2 shkurt 2018 Në ora: 10:28
Fatmir Limaj

Edhe pse PDK-ja në fillim u duk se do të jetë më e tërhequr nga shfuqizimi i ligjit për Gjykatën Speciale, bazuar nga kolumna e kreut të saj, Kadri Veseli, tani është një tjetër subjekt nga partneri i koalicionit që edhe zyrtarisht ka qëndrim ndryshe.

Sikurse AAK-ja e Ramush Haradinajt edhe PDK-ja e Kadri Veselit është gati që të votojë pro kësaj gjykate, nëse kërkohet vota e deputetëve të tyre për këtë.

Ndërsa, për dallim nga këto dyja që janë pro shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, Nisma Socialdemokrate edhe zyrtarisht ka treguar qëndrimin e saj.

Në mbledhjen e Këshillit të Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se shfuqizimi i Speciales është edhe më i dëmshëm se themelimi i saj. Ai ka theksuar se si parti nuk do të cenojnë interesin e shtetit për fate individuale.

“Qëndrimi ynë ka qenë i qartë. Ne nuk mund t’i themi jo drejtësisë. Ne i kemi thënë po nevojës së pastrimit të atyre dyshimeve. E dini se me çfarë presioni janë ballafaquar deputetët. Ne kemi thanë gjykatë jo etnike. Ne kemi thënë duam drejtësi që vepron në bazë të provave. Askush s’na kanë dëgjuar. Kthimi i kësaj teme ka qenë i çuditshëm nga ata që kanë votuar. Ne e votojmë ndryshimin e kësaj gjykate. Iniciativa duhet të ketë adresë dhe mbështetje. Siç ka qenë më 2015, shumë ma shumë është e dëmshme shfuqizimi i saj. Nisma as nuk mundet me ndal dhe as ta shfuqizojë atë. Ne nuk e cenojmë interesin e shtetit për fate individuale”, ka thënë Fatmir Limaj.

Por, a do të jetë qëndrimi i Nismës Socialdemokrate për Gjykatën Speciale shkëndija që do të lëvizë drejt një faze të re marrëdhëniet mes koalicionit qeverisës?

Ahmet Isufi: Nuk e komentoj qëndrimin e Nismës

Lidhur me këtë, “Bota sot” ka kontaktuar Shefin e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi. Ai shkurt u përgjigj se është në dijeni për qëndrimin e partnerit të koalicionit, por që nuk ishte edhe i gatshëm që të komentojë një gjë të tillë.

“Jemi në dijeni për qëndrimin e Nismës Socialdemokrate, por, nuk dëshiroj të komentoj qëndrimin e tyre për Gjykatën Speciale”, ishte përgjigja e shkurtër e Isufit për gazetën “Bota sot”.

Teuta Haxhiu: Nuk i mendoj deklarimet e askujt

Në lidhje me këtë çështje është kontaktuar edhe deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, e cila në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se personalisht e ka mendimin për Gjykatën Speciale dhe se nuk mendojnë për deklarimet tjera.

“Nuk kam koment dhe as nuk i komentojë deklarimet e askujt, dhe të asnjë subjekti tjetër politik. Personalisht e kam mendimin tim, sikurse mendoj që e ka edhe subjekti që përfaqësoj. Me një fjalë nisma e deputetëve nënshkrues, konsideroj që u është bërë një e padrejtë, për vet faktin që është një kohë e gjatë prej 22 dhjetorit deri më sot dhe nuk është bërë asgjë. Derisa deputetët kanë dhënë nënshkrimet e veta, konsideroj që asnjë deputetë nuk jep nënshkrim pa e ditur se çka po nënshkruajnë, prandaj ajo është dashur të diskutohej edhe në parlament dhe të merr një epilog përfundimtar”, tha Haxhiu.

E pyetur se a do të ndikojë qëndrimi ndryshe i Nisma Socialdemokrate në marrëdhëniet brenda koalicionit. Teuta Haxhiu tha se nuk i mendon deklarimet e askujt.

“Nuk i mendoj deklarimet e askujt, nëse është fjala për grupin tim dhe nëse është për mua personalisht ky është qëndrimi im, dhe ne nuk kemi për çka të bisedojmë më shumë”, ka përfunduar deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, për gazetën “Bota sot”.

Enver Hoti: E kemi tashmë pozicionin

 “Bota sot”, ka kontaktuar edhe deputetin tjetër të Nisma Socialdemokrate, Enver Hoti për të pyetur se a do të ndikojë në marrëdhëniet e koalicionit. Por, ai ka thënë se dihet tashmë qëndrimi i Nismës për Gjykatën Speciale dhe se nuk ka nevojë për të trajtuar më shumë.

“Nuk kemi çka të shtojmë ndaj deklaratave të kryetarit Fatmir Limaj. E kemi tashmë pozicionin dhe nuk kemi nevojë as për t’i hapur si biseda dhe as për t’i trajtuar më shumë”, ishte përgjigja e deputeti të Nisma Socialdemokrate, Enver Hoti.

“Ky koalicion do bie së shpejti”

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti, potencoi se brenda koalicionit qeverisës po zhvillohet një garë, duke u përpjekur që tjetrin të paraqes si pengesë.

“Tanimë po zhvillohet garë brenda koalicionit që cili të del sa më pak i lagur nga kjo gjë, duke u përpjekur që tjetrin të paraqes si pengesë”, është shprehur Mehmeti.

Sipas tij, kryetari i Nismës me mbështetjen ndaj Gjykatës Speciale po mundohet të jetë partner me ndërkombëtarët.

“Fatmir Limaj me mbështetjen ndaj Gjykatës Speciale po mundohet të jetë partner me të, në mënyrë që të përfitoj përkrahjen e tyre. Edhe Limaj e di se ky koalicion është jetëshkurtër, andaj po mundohet që të përfitoj sa më shumë në kurriz të tjerëve. Me përkrahjen ndaj Gjykatës Speciale, Limaj po i hakmerret Thaçit që dikur mes tij dhe Kadri Veselit, zgjodhi këtë të fundit. Janë çështje inatesh, intrigash dhe si e tillë ky koalicion do bie së shpejti”, ka përfunduar Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat