Përfitimet luksoze për presidentët, opozita kundërshton ashpër

Politika

Përfitimet luksoze për presidentët, opozita kundërshton ashpër

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 30 janar 2018 Në ora: 11:48
Presidenti Thaçi

Partitë opozitare e konsiderojnë të panevojshëm propozim ndryshimin e Ligjit për Presidentin që do t’i sigurojë beneficione të parit të shtetit, Hashim Thaçi dhe presidentëve të tjerë që do të vijnë deri sa të jenë gjallë.

Anëtarët e komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa kanë miratuar në parim projektligjin e iniciuar në fjalë, të iniciuar nga Qeveria që i jep të drejtën presidentit edhe pasi të ketë kryer mandatin për të pasur një zyre, pajisje për zyre, personel profesional deri në tre persona në afat të pakufizuar.

Ligji aktual në fuqi, parasheh që këto beneficione i pari shtetit t’i gëzoj për një periudhe pesë vjeçare.

Sipas Ministrit të Financave, Bedri Hamzaj ky projektligj do t’i kushtojë buxhetit të shtetit mbi 66 mijë euro vetëm gjatë periudhës 2018-2020.

Legjislacioni në fuqi përcakton edhe privilegje të tjera për të parin e vendit pasi të ketë përfunduar detyrën e tij.

Me përfundimin e mandatit, atij i takon pensioni prej 70 për qind të rrogës aktuale që është 2873 euro. Ai ka të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë tërë jetës.

I njëjti ligj i siguron atij, bashkëshortes të vazhdojnë ta përdorin pasaportën diplomatike të Republikës së Kosovës gjatë tërë jetës. Fëmijët e tij e kanë këtë të drejtë deri në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare.

Gazeta “Bota sot”, ka dërguar pyetje me shkrim në Zyrën e Presidencës për të marrë një qëndrim lidhur me dyshimet e deputetëve opozitare se prapa kësaj iniciative për privilegje qëndron presidenti Thaçi, por ata nuk janë përgjigjur.

Ky ndryshim e ngarkon buxhetin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli duke folur për çështjen në fjalë ka thënë se ky ndryshim do të mund të bëhej në një vend të zhvilluar, por jo në Kosovë.

“Natyrisht, që kjo ndikon në buxhet. Kjo do të ishte shumë normal sikur të bëhej në një vend që i ka mundësitë materiale për t’i mbuluar këto beneficione shtetërore. Por, ne jemi në një vend i varfër ku rroga mesatare është shumë e ultë dhe në këtë kuptim duhet pasur parasysh të drejtën e zhvillimit ekonomik, varfërinë e madhe, papunësinë e madhe”, ka thënë Topalli për “Bota sot”.

Image
Deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli

Aktualisht paga minimale në Kosovë është 170 euro, kurse mbi 30 për qind të qytetarëve janë të papunë.

Për këtë, deputeti i VV-së thotë se kjo iniciativë do të ishte ngarkesë e madhe për buxhetin e varfër të vendit.

“Çdo shpenzim jashtë normave do të ishte ngarkesë e madhe për buxhetin e Kosovës duke u bazuar prej numrit të madh të zëvendësministrave e deri tek beneficionet që pretendohen t’i jepen të parit të shtetit”, ka deklaruar Topalli.

Ai mendon se prapa kësaj kërkesë qëndron presidenti, Hashim Thaçi.

“Po natyrisht ata të cilët pretendojnë të kenë këto përfitime, janë të interesuar që ta rregullojnë kohën kur ata do t’i marrin këto beneficione”, ka shtuar Topalli.

Luksi po krijohet nga ata që po e udhëheqin Kosovën

Edhe deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli është shprehur kundër ndryshimit të legjislacionit që i mundëson presidentëve beneficione në afat të pakufizuar.

“Kosova ka probleme ekonomike sociale, një numër të madh të njerëzve, të cilët janë në skema sociale dhe krijimi i mundësive të tilla të cilat po e rrisin luksin e pushtetarëve, me të vërtetë janë të pakuptimta dhe të paarsyeshme”, ka thënë Avdyli për “Bota sot”.

Image
Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli

“Në një vend ku varfëria është në nivelin më të lartë në Evropë, ku papunësia është në nivelin më të lartë, çdo gjë që po bëhet në atë mënyrë që të krijohet luksi edhe më i madh i njerëzve të cilët po e udhëheqin Kosovë”, ka deklaruar më tej ai.

Sipas tij, ky ndryshim i legjislacionit është i panevojshëm.

“Mendoj që kjo nuk ka pasur nevojë. Presidenti i ka  të gjitha mundësitë, të gjitha kushtet që ta kryej punën e vet, por krijimi i një mundësie që ai të ketë beneficione në kohë të pakufizuar edhe pasi të ketë kryer mandatin, një lloj luksi të panevojshëm, sepse çdo kush pajtohet që presidenti duhet t’i ketë kushtet e nevojshme, por është e paarsyeshme që një ish-president t’i ketë kushtet sikurse një president që është në detyrë”, ka potencuar ai.

Ai ka thënë se presidenti pasi të ketë kryer mandatin, nuk i ka ato kompetenca për të pasur këto privilegje.

“Pajtohem për disa kushte elementare ta ketë një luks të tillë, kjo është fyerje dhe tallje në gjendjen e rënd ekonomike të cilën e ka vendi. Kosova nuk është as Zvicër, as SHBA, por është një vend që ka varfëri dhe një gjendje të rënd.

Avdyli ka deklaruar edhe me tutje hyn në grupin e atyre ligjeve të kësaj instance politike që po marrin vendime për të rritur luksin për vete, duke mos qarë kokën për problemet reale të cilat po ballafaqohen qytetarët e vendit.

Pushtetarët i bëjnë favore vetit

Mendim të njëjtë me deputetët sa i përket luksit të pushtetarëve ka edhe njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj.

“Parimisht me qellim që Kosova të krijon një imazh të vetin si shtet do të ishte e mirë që secili president të kishte një zyre, sepse kështu themelohet shteti i Kosovës. E them këtë, sepse nuk i  kushton aq shumë buxhetit të Kosovës, por duke u bazuar në praktikat e deritanishme që kanë ndodhur në Kosovë, të gjitha këto pushtetarët i bëjnë për favore dhe për t’i ofruar komoditet vetes në kurriz të qytetarit të varfër të Kosovës dhe duke mos bërë asgjë, sepse kjo elitë politike nuk po punojnë kur po janë në pozitë dhe në detyra që kërkohet të punohet e lëre më kur nuk kanë obligime”, ka thënë Kadriaj për “Bota sot”.

Sipas Kadriajt, Kosova ka nevojë për institucione unifikuese.

Image
Eksperti i ekonomise, Mustafë Kadriaj

“Në fakt zyrat e ish-presidentëve po të mendohej drejt do të luanin rolin e këshilltarit të secilit president pasardhës, sepse detyrat dhe  përvojat e mëhershme u japin mundësi që të luajnë rolin e këshilltarit, sepse Kosova më shumë se kurrë ka nevojë të ketë institucione unifikuese për të gjithë politikën dhe qytetarin e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Nga ana tjetër, analisti Arbër Gashi thotë se ndryshimi i këtij projektligji është më se i nevojshëm dhe nuk ndikon shumë në buxhetin e shtetit.

“Ndryshimi i këtij ligji për mendimin tim është i domosdoshëm dhe nuk besoj se ndikon negativisht në buxhetin e shtetit. Përkundrazi. Ish-presidentët të cilët nuk janë dënuar për krime kundër njerëzimit apo për vepra të rënda të tradhtisë kombëtare, e meritojnë trajtimin e dinjitetshëm edhe pas kryerjes së detyrës, dhe pensionimit të tyre”, ka thënë Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat