Komandant “Leka” ka një thirrje për Kosovën pas alarmit të Gjermanisë

Politika

Komandant “Leka” ka një thirrje për Kosovën pas alarmit të Gjermanisë

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 29 janar 2018 Në ora: 16:51
Nuredin Ibishi, i njohur gjatë luftës si komandant “Leka”

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, i njohur gjatë luftës si komandant “Leka”, e konsideron si alarm për institucionet e sigurisë së Kosovës, thirrjen që ambasada e Gjermanisë u ka bërë thirrje qytetarëve të saj për t’i shmangur frekuentimet në veri të Kosovës për shkaqe të sigurisë.

“Kjo thirrje është një shenjë dhe një sugjerim që institucionet tona të sigurisë duhet të ndërmarrin masa më qëllim që atje të vihet rendi edhe zbatimi i ligjit”, tha Ibishi për “Bota sot”.

Ai thotë se grupet kriminale në veri po e tensionojnë situatën në vend.

“Realisht ata e kanë vlerësuar situatën në veri se është një gjendje e tensionuar për shkak të strukturave kriminale atje dhe kjo veç u dëshmua edhe me rastin e vrasjes së Ivanoviqit”, deklaroi ai për “Bota sot”.

Lideri i iniciativës qytetare "Liria, Demokracia, Drejtësia" (SDP) në Kosovë, Oliver Ivanoviq, është vrarë në mëngjesin e së martës së 16 janarit.

Institucionet e drejtësisë dhe ato të sigurisë, prej ditës së këtij krimi janë duke punuar në zbardhjen e kësaj vrasje, por ende nuk po arrijnë të identifikojnë vrasësit.

Për këtë vrasje, ish-deputetja serbe, Rada Trajkoviq ka thënë se prapa kësaj vrasje qëndron, Milan Radojiçiq është një njeri që e kontrollon krimin në veri, por që ka edhe ndikim të fuqishëm brenda Listës Serbe, që përfaqëson interesat e Beogradit në Kosovë.

Ibishi thotë se prezenca e strukturave kriminale serbe paraqet rrezik edhe për forcat e rendit.

“Normal që duhet të jetë prezencë e shtuar e policisë dhe njësitet të specializuara ku realisht mund të vjen deri të prishja e qetësisë publike. Sidomos në ato lokale që dyshohet se qëndrojnë grupe kriminale të armatosura që mund të kërcënojnë njerëz që mund të paraqesin rrezik edhe për zyrtarët policor”, shtoi Ibishi.

Ndryshe, ambasada e Gjermanisë në Kosovë u ka bërë thirrje qytetarëve të saj për t’i shmangur udhëtimet në veri të Kosovës, siç ka thënë ajo për çështje të sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat