Loja e rrezikshme e Thaçit dhe Veselit, shfuqizimi i Speciales në dorë të Haradinajt

Politika

Loja e rrezikshme e Thaçit dhe Veselit, shfuqizimi i Speciales në dorë të Haradinajt

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 28 janar 2018 Në ora: 14:25
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Javën që shkoi, Kuvendi i Kosovës, ka transferuar nismën ligjore për Gjykatën Speciale në Qeverinë e Kosovës.

Për analistët politik, ky hap po vlerësohet si një skenar i paramenduar i kreut të Kuvendit Kadri Veseli, për t’ia lënë “pataten e nxehtë” në dorë Qeverisë.

Si rrjedhojë, ky hap sipas analistëve mund ta “djegë” Qeverinë aktuale të Kosovës duke e armiqësuar me faktorin ndërkombëtar.

Ata thonë se, i pari i Kuvendit së bashku me partinë e tij, po duan t`a nxjerrin veten nga kjo lojë e rrezikshme për karrierën politike dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës.

Image
Gazmend Islami

Loja me Haradinajn

Gazmend Islami, Kryetar i Ballit Kombëtar Demokrat, ka thënë për gazetën  “Bota sot” , kjo është një lojë e ndytë e cila luhet me Bashkësinë Ndërkombëtare.

Sipas tij, Gjykata Speciale nuk do të ishte mirë që të votohej qysh në herën e parë.

“Këtu shihet qartë se ai definitivisht është njeriu që e ka sjell Kosovën në këtë gjendje të mjerueshme, ku e ka kthyer Kosovën në një shtet mafioz dhe përderisa në kryes të shtetit është Hashim Thaçi dhe në krye të PDK-së është Kadri Veseli, i cili ende menaxhon me strukturat e prokurorisë gjyqësisë dhe policisë së Kosovës, ky shtet nuk do të jetë funksional”, ka thënë Islami.

Kurse, sa i përket Gjykatës Speciale, Islami ka thënë se Gjykata Speciale dëmton e Kosovës në Bashkësinë Ndërkombëtare, për shkak se do të bëhet temë e medieve ndërkombëtare.

“Jam i sigurt se Gjykata Speciale do ti sjell Kosovës pasoja të mëdha për investim kapitale për shkak se asnjë shtet dhe asnjë kompani normale nuk do të vinte të investonte në një shtet, ku pretendohet që kanë kryer krime kundër njerëzimit. Pra, në këtë rast Kosova barazohet me shtetin serb. Mirëpo gjëja e fundit që e bëri Kadri Veseli me hedhjen e turpit tek Qeveria e Kosovës për të vlerësuar se a duhet të shfuqizuar dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, është një lojë e ndytë dhe një lojë politike e cila tregon edhe një herë dhe vërteton atë se vendi i Hashim Thaçit dhe i Kadri Veselit është në Burgun e Sigurisë së lartë në Dyz të Podujevës”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Islami.

Image
Rexhep Shahu

Dobësia e liderëve të shtetit

Nga ana tjetër, analisti Rexhep Shahu ka thënë se kjo është një lojë më shumë se e pistë sepse kjo është pa burrëri.

“Para ca ditësh kur Kadri Veseli bëri një shkrim, e falënderova se morri guxim dhe u bë digë për ta mbrojtë Gjykatën Speciale. Por me këto lojëra "jo nana gjyshe, jo lala kazan..." po tregojnë dobësi dhe po vërtetojnë para opinionit publik se nuk janë të larë, nuk janë të pastër por jetojnë me frikë e ankth. E kam thënë dhe e përsërisë të mos thonë se kemi hallin e Kosovës, kemi hall mos te dënohet Kosova. Edhe ne u dënofshin gjithë politikanet aktive në Kosovë, nuk dënohet Kosova pasi politikanët veç Rugovës, të gjithë janë stinorë, sezonalë dhe asnjëherë nuk kanë marrë shumicën e shumicës por kanë marrë shumicën e pakicës. Duke ia lënë topin apo “pataten e nxehtë në dorë Ramushit” dhe kjo është  një hile e madhe”, ka thënë Shahu.

 Ai ka thënë, se Ramush Haradinaj ka meritat të padiskutueshme lufte, por tani në pushtet është me patericat e huaja dhe jo me fuqinë e tij.

“Ai është kryeministri që mund ta rrëzojnë për 3 minuta, por që ai të rrijë dhe të vazhdon të rrijë në pushtet jam e bindur se është i kërcënuar me fjalinë “ bëj mbrojtjen tonë dhe ne të mbajmë kryeministër”. Por, një gjë unë e besoj shumë më shumë se asnjëherë nëse rrëzojnë Gjykatën Speciale, kjo do ti zërë poshtë vetes politikanët e Kosovës”, ka thënë analisti politik Shahu.

Frika nga marrja e obligimet

Image
Lirim Zorra

Ndërsa Lirim Zorra ligjërues në Kolegjin e ISPE-së ka thënë se sipas ngjarjeve të cilat kanë ndodhur këto ditët e fundit, padyshim tani ideja është se kush do të jetë fajtor për dërgimin ose mos dërgimin e këtij ligji.

Sipas tij, Veseli duke e parë këtë element po synon që ta bëj  ‘kurban’ Haradinajn i cili ndodhet midis 2 zjarreve.

“Me dërgimin e saj në seancë, faktori ndërkombëtar  do ta penalizonte Haradinajn ndërsa me mos dërgim shoqatat e luftës do ta shihnin atë si tip frikacaku. Andaj, hedhja e topit nga një institucion në tjetrin me shumë është frikë e marrjes së obligimeve dhe kalkulimeve politike dhe elektorale”, ka thënë ligjëruesi Zorra..

Image
Ali Hertica

Ndërsa, analisti politik Ali Hertica ka thënë se këto lojëra “perfide” me Specialen, po e luajnë qëllimisht si ping-pong Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, për ta djegur dhe për ta minuar shpejt Qeverinë "Haradinaj" dhe për ta dërguar vendin në zgjedhje të reja në pranverën e hershme të këtij viti.

“Patatja e nxehtë” në dorën e Haradinajt

Ai ka thënë, se kjo është loja më e çoroditur që është luajtur ndonjëherë nga kjo klasë politike, e cila, nëse gabon dhe ndërhyn në këtë ligj, do ta shndërrojë shtetin në ‘geto të izoluar’ ndërkombëtarisht.

“Prandaj rruga më e mirë është shpërbërja e Qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje të reja, sepse këta vetë e kanë kërkuar këtë Gjykatë Speciale. Gjatë kohës kur zhvilloheshin bisedimet në Bruksel u mor edhe vendimi lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale nga institucionet e Kosovës. Diplomatët ndërkombëtarë, përfaqësues të Bashkimit Evropian, ShBA-së, të shteteve të Quint-it, si dhe miqtë e shtetit të Kosovës kishin kërkuar nga ish kryeministri Thaçi dhe të gjitha instancat e shtetit të Kosovës, se e vetmja zgjidhje për të adresuar pretendimet e ngritura nga senatori zviceran në raportin e paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, lidhur me supozimet për krime lufte gjatë viteve 1998-2000, ishte themelimi i një Gjykate Speciale nga Kuvendi i Kosovës. Tani, një pjesë e deputetëve që dhanë bekimin e hyrjes në fuqi të kësaj Gjykata sikur janë kthyer në patriotizëm për të mos lejuar funksionimin e saj, ku tani e kanë dërguar si “patate të nxehtë” sfiduese për kryeministrin Haradinaj”, ka thënë analisti politik Hertica.

Sipas tij, është e pafalshme që në këtë fazë të ndjeshme për Kosovën, në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë, të vihen në pikëpyetje partneritetet serioze dhe marrëdhëniet e rëndësishme që ka Republika e Kosovës me shtetet mike të BE-së dhe sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kjo lojë e tre protagonisteve po del se cili do jetë ma dinak për ta len në dorë “patentën  e nxehtë”ë Haradinajt me këtë iniciativë ku po tregohen jo serioz me qytetarin dhe institucionet vendore. Kjo iniciativë është një lloj përçarje nga liderët politik edhe me faktorin ndërkombëtar nuk e përjashton edhe mundësinë që politika të shkojë deri në fund dhe pa menduar për çmimin ta voton çmontimin e Speciales dhe për pasojë acarimin e raporteve më ndërkombëtarët”, ka thënë Hertica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat