Aktakuzat e para, Gjykata Speciale tregon pse nuk zbulohen detajet

Politika

Aktakuzat e para, Gjykata Speciale tregon pse nuk zbulohen detajet

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 26 janar 2018 Në ora: 13:23
Selia e Gjykates Speciale

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është organ jopolitik dhe kështu është i fokusuar në përmbushjen e mandatit të saj sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Për arsye ligjore, profesionale dhe etike Prokurori i Specializuar nuk mund t'ju japë informacionin për çështje operative të natyrës që ju keni kërkuar”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Gjykatës Speciale, Chris Bennett.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ia ka dërguar Qeverisë së Kosovës, iniciativën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Tashmë nisma për shfuqizimin e Speciales është në duart e qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj, në një deklarim për media, ka bërë të ditur se Qeveria ende nuk ka pranuar dokumentin zyrtar nga Kuvendi dhe se nuk e di se si do të veprojnë. Mirëpo, ai ka thënë se Qeveria nuk mund të ketë rol të madh në këtë çështje, për shkak se sipas tij, kjo është një nismë parlamentare.

“Është praktikë, procedurë, por ne ende nuk e kemi marrë zyrtarisht shkresën dhe nuk e dimë çka përmban shkresa ose materiali i drejtuar. Por, ekzistojnë marrëdhëniet standarde; qeveria është e respektueshme ndaj parlamentit dhe e respekton çdo kërkesë, çdo procedurë. Nuk di si t’ju them, si do të veprojmë për shkak se ende nuk e kemi marrë dhe nuk e dimë çka përmban kërkesa”, ka thënë ai, i pyetur nga gazetarët, gjatë një vizite dy ditë më parë në Obiliq.

Vet Haradinaj ishte shprehur pro shfuqizimit të Gjykatës Speciale, por nuk dihet qëndrimi i tij tani pas reagimeve të ashpra të shteteve mike të Kosovës kundër kësaj nisme.

Por, kur do të ngrihet aktakuzat e para nga Gjykata Speciale, e cila do të merret me krimet e supozuara gjatë luftës së fundit të Kosovës për çlirimin nga okupatori serb.

Gjykata Speciale nuk jep detaje

I kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, zëdhënësi i Gjykatës Speciale Chris Bennett, ka thënë se Prokurori i Specializuar nuk ka pranuar të japë këtë informacion, për shkak të “arsyeve ligjore, profesionale dhe etike”.

Bennet ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar është organ jopolitik dhe kështu është i fokusuar në përmbushjen e mandatit të saj sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është organ jopolitik dhe kështu është i fokusuar në përmbushjen e mandatit të saj sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Për arsye ligjore, profesionale dhe etike Prokurori i Specializuar nuk mund t'ju japë informacionin për çështje operative të natyrës që ju keni kërkuar”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Gjykatës Speciale.

E sipas njohësve të çështjeve ligjore, Gjykata Speciale, nuk mund të ngritë aktakuza, derisa nuk ka bashkëpunim me institucionet e Kosovës.

Image
Adrian Gjoshi

Avokati Gjoshi tregon se kur do ngritën aktakuzat e para

Sipas avokatit Adrian Gjoshi, Specialja është duke i shqyrtuar aplikimet e avokatëve për t’u licencuar pranë kësaj gjykate. Duke folur për gazetën “Bota sot”, Gjoshi ka thënë se me licencimin e avokatëve të parë, do të ngritën aktakuzat dhe do të bëhen arrestimet e para.

“Aktualisht, Gjykata Speciale është duke i shqyrtuar aplikimet e avokatëve për t’u licencuar pranë kësaj gjykate dhe nuk ka asnjë ngecje. Avokatët janë pjesë e domosdoshme për të siguruar mbrojtjen e të pandehurve dhe përfaqësimin e viktimave. Me licencimin e avokatëve të parë, mund të ngritën aktakuzat e para dhe të urdhërohen arrestimet e para”, është shprehur avokati Gjoshi.

Image
Blerim Burjani

“Disa individë në panik”

Ndërsa, Blerim Burjani, njohës i çështjeve juridike, ka thënë se “individë në Kosovë, të kapluar nga paniku, kanë gjetur mënyrën se si të pengojnë funksionimin e kësaj gjykate”.

Ai ka theksuar se tani Gjykata Speciale është në duar të deputetëve, por ka thënë se kjo gjykatë nuk mund të ngritë aktakuzat e para, derisa nuk ka bashkëpunim me institucionet e Kosovës.

“Nuk ka stabilitet për funksionim të kësaj gjykate. Kosova po reziston, apo më mirë të themi, individë të kapluar nga frika dhe paniku, kanë gjet rrugë për të penguar këtë gjykatë. Kjo Gjykatë, sipas kësaj logjike, është në duart e deputetëve dhe liderëve politikë, pra ende nuk dihet se a do të mund të funksionojë apo do të ketë bashkëpunim me këtë Gjykatë nga ana e institucioneve të Kosovës. Pran, nuk mund të ketë aktakuza pa bashkëpunim me institucionet e Kosovës. Kjo gjykatë, është mbet peng një herë prej disa njerëzve në Kosovë që i ka kap paniku e frika”, ka pohuar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat