Skandali i radhës i Ramush Haradinajt, provokim i rëndë për shqiptarët

Politika

Skandali i radhës i Ramush Haradinajt, provokim i rëndë për shqiptarët

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 25 janar 2018 Në ora: 08:17
Qeveria Haradinaj mbajti 1 minutë heshtje për Ivanoviçin.

“Mendoj se është një provokim i rëndë që iu ka bërë qytetarëve të Kosovës, viktimave të Ivanoviçit. Është normale të nderohet një serb i cili nuk ka marrë pjesë në ndonjë krim, por dihet mirëfilli se Oliver Ivanoviç i ka kaluar disa kohë në burg pikërisht për terror, për dhunë, për akuza ndaj shqiptarëve etnikë dhe nuk e di se si mund ta marrë një veprim nëse ky dje ka qenë një çlirimtar dhe sot është krejtësisht në dorën e serbëve, nuk e di se në ç’kuptim ka edhe liria për të edhe funksionimi i ligjit, madje edhe i shtetit”, ka pohuar Kelmendi.

Heshtja një minutëshe e Qeverisë për vdekjen e Oliver Ivanoviç, është dëshmi që ajo i nënshtrohet Listës serbe dhe kësisoj është ofendim ndaj viktimave të luftës, vlerësojnë analistët politikë.

Oliver Ivanoviç ishte arrestuar në vitin 2014 për krime lufte në vitin 1999 dhe 2000 në Mitrovicë si i akuzuar për vrasje, dëmtim prone dhe dëbim të shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës.

Ivanoviç ishte i dënuar me 9 vite burg, por Apeli e kishte lënë të mbrohet në liri.

Përkundër, që për opinionin shqiptar ai njihet si kriminel lufte, Qeveria e Kosovës ka mbajtur një minutë heshtje për vdekjen e tij.

Sipas tyre, arsyeja e minutë heshtjes është sepse ai ka qenë deputet i Parlamentit të Kosovës dhe Kryetar partie.

Të pyetur nga gazeta “Bota sot” se pse ata kanë mbajtur minutë heshtje për Ivanoviçin, përkundër që ka qenë i dënuar si i akuzuar për vrasje, dëmtim prone dhe dëbim të shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës, përgjigjja e Qeverisë ka qenë e shkurtër.

“Ka qenë deputet i Parlamentit të Kosovës dhe Kryetar partie”, është përgjigjja e Qeverisë.

Ata nuk kanë dashur të komentojnë, rreth pyetjes se sa është nënçmim ky gjest i tyre kundrejt viktimave të luftës.

Image
Enver Bytyçi

Veprim i kontestueshëm

Ndërsa, Enver Bytyçi, analist politik ka thënë për “Bota sot” se heshtja një minutëshe është një veprim i kontestueshëm.

Sipas Bytyçit, politikanët shqiptarë për shkak të ngërçit të krijuar me ndërkombëtarët, duan me akte të tilla të krijojnë një përshtypje tjetër.

“Heshtja një minutëshe e qeverisë së Kosovës për vrasjen e Oliver Ivanoviç sigurisht që është një veprim i kontestueshëm. Në aspektin njerëzor, çdo jetë njeriu është e shenjtë. Por kur institucioni i shtetit nderon një person ose personalitet, kjo do të duhet patjetër të mbështetet në kontributet e personit ose personalitetit në fjalë për interesat e vendit, të cilin e përfaqëson një qeveri që mban nderimin përkatës. Në këtë kuptim nderimin që i bënë Qeveria e Kosovës Oliver Ivanoviçit e shoh si një veprim të një standardi foshnjor. Duket qartë se politikanët për shkak të ngërçit që kanë krijuar me ndërkombëtarët duan që me akte të tilla të krijojnë një përshtypje tjetër prej “engjëlli”. Dhe për këtë kanë shfrytëzuar një fatkeqësi që i ndodhi Ivanoviç”, ka pohuar Bytyçi.

Kreu i partisë “Liria, Demokracia, Drejtësia”, SDP, në janar të vitit 2014 ishte arrestuar me akuzën për krime lufte ndaj popullsisë civile në Mitrovicë dhe gjykimi filloi në muajin shkurt. Pasi ka kaluar dy vjet në paraburgim, përkundër dëshmive për vrasjen e 19 shqiptarëve në jug të Mitrovicës, presioni i Beogradit zyrtar dhe Kryeministrit të Serbisë në atë kohë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë që ai të lirohet në Prillin e vitit të kaluar, me vendimin gjyqësor që të mbrohet në liri.

Sipas Bytyçit, edhe nëse ky person nuk do të ishte akuzuar dhe dënuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, përsëri nderimi  nga ana e Qeverisë do të ishte i tepërt

Bytyçi ka shtuar për “Bota sot” se përderisa politika shqiptare do të ndërmarrë veprime të tilla përulësie ndaj ndërkombëtarëve, aq do të dëshmojë se asaj i mungon dinjiteti dhe integriteti.

“Edhe sikur ky person të mos ishte akuzuar dhe dënuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, përsëri nderimi nga ana e qeverisë së Kosovës do të ishte i tepërt. I tepërt, sepse nuk ka asnjë provë se Oliver Ivanoviç të ketë dhënë ndonjë kontribut të vlefshëm për lirinë e shqiptarëve dhe shtetësinë e Kosovës. Përkundrazi, ai ka lyer duart e gjak shqiptarësh. Po edhe sikur të kishte kryer krime kundër serbëve, përsëri një kriminel gjaksor nuk mund të nderohej e respektohej institucionalisht. Sa kohë që politika shqiptare, përfshirë dhe atë të Kosovës do të ndërmarrë veprime të tilla përulësie ndaj ndërkombëtarëve, aq kohë do të dëshmojë se asaj I mungon dinjiteti dhe integriteti. Në sytë e ndërkombëtarëve do të ishte më e respektuar qeveria e Prishtinës, nëse do të mbante një qëndrim indifferent. Por sa kohë do të kei qëndrime të tilla servilizmi me serbët dhe ndërkombëtarët, aq kohë do të ushtrohet kamxhiku I pushtetit tek të bindurit, të cilët në këtë rast janë shqiptarët!”, ka përfunduar Bytyçi.

Image
Jeton Kelmendi

“Haradinaj, në gjendje të japë çdo gjë vetëm të jetë Kryeministër”

Kurse, analisti politik Jeton Kelmendi, duke komentuar veprimin e Qeverisë për Oliver Ivanoviçin është shprehur se ky është provokim i rëndë që i është bërë qytetarëve të Kosovës dhe viktimave të Ivanoviçit.

Sipas Kelmendit, është normale të nderohet një serb që nuk ka marrë pjesë në ndonjë krim, por është Ivanoviçi njihet për dhunë, akuza, e terror ndaj shqiptarëve.

“Mendoj se mjeti e arsyeton qëllimin, njeriu nga maniakistët më të mëdhenj të politikës shqiptare është kryeministri aktual i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili është në gjendje të japë çdo gjë vetëm të jetë Kryeministër. Mendoj se është një provokim i rëndë që iu ka bërë qytetarëve të Kosovës, viktimave të Ivanoviçit. Është normale të nderohet një serb i cili nuk ka marrë pjesë në ndonjë krim, por dihet mirëfilli se Oliver Ivanoviç i ka kaluar disa kohë në burg pikërisht për terror, për dhunë, për akuza ndaj shqiptarëve etnikë dhe nuk e di se si mund ta marrë një veprim nëse ky dje ka qenë një çlirimtar dhe sot është krejtësisht në dorën e serbëve, nuk e di se në ç’kuptim ka edhe liria për të edhe funksionimi i ligjit, madje edhe i shtetit”, ka pohuar Kelmendi.

Para tri viteve, gjatë qeverisjes së Isa Mustafës, ministri serb Jabllanoviç kishte sharë nënat e Gjakovës, duke shkaktuar kështu protesta nga qytetarë e opozita e atëhershme, gjë që ka rezultuar me shkarkimin e Jabllanoviçit nga ana e Mustafës.

Tani gjatë kësaj legjislature, nuk është hera e parë që Qeveria mbanë “anën” e serbëve.

Që në fillim të qeverisjes Haradinaj, Ministri i Bujqësisë Nenad Rikallo, është akuzuar për dhunë kundrejt shqiptarëve, mirëpo kjo nuk ka bërë që të ndërmerret ndonjë gjë kundrejt tij.

Sipas analistit Kelmendi, opozita e atëhershme ishte bashkuar, gjersa është shkarkuar ai, ndërsa tani skandalet nuk kanë të mbaruara.

Klemendi ka shtuar se Qeveria e Haradinajt, është në dorën e serbëve dhe ata janë në gjendje të bëjnë gjithçka për karrierën e tyre, madje edhe Kosovën e fusin në hipotekë për veten e tyre.

“Mendoj se kur ka ndodhur ai provokimi që i bëri ministri i atëhershëm i Qeverisë së Isa Mustafës, Haradinaj dhe segmentët e tij, madje edhe gjithë opozita ishte bashkuar dhe gati sa nuk e dogjën Kosovën, gjersa Kryeministri i atëhershëm Mustafa e shkarkoi atë ministër, ndërkaq skandalet e zotëri Haradinajt nuk kanë të mbaruar. Kishim akuza për ministrin Rikallo, i cili po ashtu ka dhunuar shqiptarët, ndërsa tani në Qeveri qëndron njëri nga njerëzit që është dënuar për krime ndaj shqiptarëve, kjo e ka humbur arsyen dhe dëshmon qartaz se Haradinaj, Qeveria e tij është krejtësisht në dorë të Vuçiqit, të Oliver Ivanoviçëve dhe të tjerëve. Prandaj, unë mendoj që orë e çast kjo duhet të ndryshohet dhe populli duhet t’ia jep dënimin këtyre që janë në gjendje të bëjnë gjithçka për karrierën e tyre, madje edhe Kosovën po e fusin në hipotekë për veten e tyre, për interesat e tyre”, ka theksuar Klemendi.

Image
Hidajet Ahmeti

Skandal i qeverisë

Edhe, analisti Hidajet Ahmeti e konsideron “skandal” veprimin e Qeverisë.

Sipas Ahmetit, me këtë veprim dëshmohet se Lista serbe determinon funksionimin dhe jetëgjatësinë e Qeverisë Haradinaj.

“Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me Ramush Haradinaj  bënë skandale të njëpasnjëshme të cilat në thelb prekin ndjenjat e qytetarëve dhe dëmtojnë substancën e Republikës. Me këtë skandal u dëshmua edhe njëherë se qeveria në ikje nuk  është në dobi të trupit publik, por interesave personale  për ta zgjatur jetën në pushtet. Është në dorën e shtetit që të bëjë të pamundurën, duke përdorur të gjithë mekanizmat e drejtësisë për ta hetuar  rastin e vrasjes së Oliver Ivanovicit, nuk ka të keqe agjë, por  një njeri i cili është dënuar si i akuzuar për dëbim të shqiptarëve nga pronat e tyre t’i kushtohet një minutë heshtje është nënçmim  e fyerje për viktimat e luftës, Republikën e Kosovës dhe njëkohësisht është një “amnistim” i veprave të tij kriminale. Ky veprim i pamatur i Qeverisë së Kosovës është një dëshmi e qartë se Lista  serbe determinon funksionimin dhe jetëgjatësinë e Qeverisë Haradinaj . Një nënshtrim i Qeverisë së Kosovës  deri në servilizëm duhet të kritikohet nga të gjitha mekanizmat e shoqërisë, pasi kemi të bëjmë më një veprim i cili fyen viktimat e luftës, qytetarët e Republikës  dhe njëkohësisht Republikën e brishtë të Kosovës”, ka deklaruar Ahmeti.

Ivanoviç është vrarë në mëngjesin e 16 Janarit, në veri të Mitrovicës. Dyshohet se është qëlluar nga një veturë në lëvizje afër zyrave të partisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat