Agjenturat e huaja, veriu i Kosovës nën ndikimin e klaneve dhe grupeve mafioze

Politika

Agjenturat e huaja, veriu i Kosovës nën ndikimin e klaneve dhe grupeve mafioze

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 25 janar 2018 Në ora: 06:40
Mitrovica

Vetëm disa ditë pas alarmit të Departamentit Amerikan të Shtetit për qytetarët amerikanë që planifikojnë të vijnë në Kosovë, veçanërisht në pjesën veriore, që të jenë të kujdesshëm, për shkak të trazirave dhe sulmeve të mundshme, në Mitrovicë është vrarë lideri i iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP)  dhe i dënuari për krime lufte, Oliver Ivanoviq.

Ivanoviq, është vrarë me armë zjarri mëngjesin e së martës teksa po hynte në ambientet e zyrës së tij në Mitrovicë.

Policia e Kosovës, ka konfirmuar se është duke punuar me intensitet të shtuar për të zbardhur vrasjen e Ivanoviqit, edhe pse zyrtarisht nuk ka ndonjë të akuzuar.

Mirëpo, alarmit të DASH-it, sipas së cilit pjesët që duhen shmangur në Kosovë, janë Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani, Policia i është përgjigjur duke bërë të ditur se situata në veri është e qetë dhe nuk ka ndonjë veprim, që do të rrezikonte sigurinë në këtë pjesë të vendit.

Image
Besim Hoti

Hoti: Situata është e qetë

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës Besim Hoti, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se njësitet kanë identifikuar prova materiale, të cilat mund të kenë vlerë në procesin e mëtutjeshëm të hetimeve dhe zbardhjen e vrasjes së liderit serb.

“Sa i përket rastit të vrasjes së Ivanoviqit, natyrisht se kemi përmend dhe përsërisim se njësitet tona janë duke punuar me intensitet të shtuar në identifikimin e provave materiale, të cilat mund të kenë vlerë në procesin e mëtutjeshëm të hetimeve dhe zbardhjen e këtij rasti. Normalisht se në këtë fazë nuk mund t’i komentojmë të gjitha ato prova material, të cilat hetuesit policor me udhëzime të prokurorëve, janë duke i përpunuar, sepse mbetet çështje e institucionit të hetuesve policorë që të mbajnë ato shënime jashtë publikut me qëllim të ruajtjes së vet ndjesisë së këtij rasti”, është shprehur Hoti.

Ai ka pranuar, se vrasja e Ivanoviqit ka ndikuar në krijimin e një tensioni psikologjik tek qytetarët, mirëpo ka theksuar se nuk ka ndonjë incident apo veprim, që do të cenonte sigurinë në pjesën veriore të Kosovës.

“Duke marrë parasysh që vet rasti është i atij niveli që ka ndihmuar në krijimin e një tensioni psikologjik, normalisht se vlen të theksohet se pavarësisht kësaj ngarkese të qytetarëve se çfarë në të vërtetë po ndodhë dhe çfarë do të ndodhë, asnjë veprim nuk është manifestuar në terren, e kam fjalën në çfarëdo forme, e cila do të rrezikonte ose cenonte sigurinë e përgjithshme në komunat veriore të Kosovës. Nëse flasim për vlerësimin e sigurisë në baza ditore, mund të them se situata është e qetë, nuk ka ndonjë incident dhe nuk ka ndonjë farë veprimi, i cili do të rrezikonte sigurinë, prandaj në këtë fazë nuk ka arsye për brengosje për sigurinë “, ka konfirmuar Hoti për gazetën.

“Pushtetin e kanë dhe e mbajnë klanet dhe grupet mafioze”

Por, ndryshe mendojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend, sipas së cilëve, në veri situata e sigurisë është e brishtë. Madje, ata kanë thënë se alarmi i Departamentit Amerikan, është dëshmi se atje mund të ndodhin trazira ose sulme terroriste, të orkestruara nga qarqe të ndryshme nga Beogradi.

Image
Ramush Tahiri

Duke folur në lidhje me këtë, politologu Ramush Tahiri, ka thënë se institucionet e Kosovës, nuk kanë mundur ta shtrijnë efektivisht pushtetin në veri të vendit.

Sipas tij, në veri janë të fuqishme struktura kriminale në bashkëpunim me ato të jugut, derisa pushtetin e mbajnë klanet dhe grupet mafioze.

“Në veri të Kosovës ka kohë që gjendja është e paqëndrueshme dhe institucionet e Kosovës nuk kanë mundur ta shtrijnë efektivisht pushtetin, ndërsa strukturat paralele ende nuk janë inkorporuar brenda institucioneve funksionale të shtetit të Kosovës. Si edhe është thënë në komunikatë, nuk ka mbulim të plotë të territorit nga institucionet. Një kohë të gjatë kishte mbretëruar krimi i organizuar, kontrabanda dhe korrupsioni dhe këto struktura kriminale ende janë të fuqishme dhe kanë bashkëpunim edhe me strukturat në jug të lumit Ibër. Pushtetin e kanë dhe e mbajnë klanet dhe grupet mafioze”, është shprehur politologu Tahiri për “Bota sot”.

Image
Leon Duhanaj

Puna e agjenturave të huaja

Edhe sipas analistit politik Leon Duhanaj, situata politike në vend, është e brishtë, duke përmendur edhe Gjykatën Speciale dhe vrasjen e Oliver Ivanoviqit, si arsye.

Marrë parasysh këto, siç ka thënë Duhanaj, edhe agjenturat e huaja, nuk ndalojnë së vepruari në dëm të shtetit të Kosovës.

“Situata politike në vend është tejet e brishtë për arsye se politika vendore, është duke u marrë me vetveten dhe pothuajse në të gjitha pikat apo temat kyçe ka kontraversitët dhe amulli, që ndikon në shtimin e pasigurisë për qytetarët dhe vendin. Është çështja e Gjykatës Speciale, e cila e ka ndikuar mjaftë vendimmarrjen në vend. Duke pasur parasysh këto rrethana, edhe agjenturat e huaja, të cilat asnjëherë nuk ndalojnë se vepruari në dëm të shtetit të Kosovës në veçanti dhe shqiptarëve në përgjithësi. Tani lirisht mund të konkludojmë të tilla rryma, janë në veprim e sipër, sidomos pas aktit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, ka thënë Duhanaj për “Bota sot”.

Duhanaj ka theksuar, se vrasja e Ivanoviqit, ka për qëllim destabilizim e Kosovës, ndërkohë që ka kërkuar që shqiptarët të mos bëhen pjesë e lojërave të fëlliqura.

“Kjo vrasje, ka për qëllim destabilizimin e Kosovës. Këndej është e udhës që ta ruajmë qetësinë dhe të mos bëhemi pa dashje pjesë e lojërave të fëlliqura antishqiptare”, ka shtuar Leon Dunahaj.

Image
Faik Krasniqi

Alarmi i DASH-it

Ndërkaq, analisti tjetër politik, Faik Krasniqi, parasheh që në veri mund të ndodhin trazira ose sulme të mundshme terroriste, të orkestruara nga Beogradi.

Ai e ka quajtur të çuditshme vrasjen e Ivanoviqit, vetëm dy ditë pas dhënies së alarmit nga SHBA.

“Një alarm i dhënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, është sinjal që në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, mund të ndodhin trazira ose sulme terroriste, padyshim të orkestruara nga qarqe të ndryshme nga Beogradi. Edhe vrasja e Oliver Ivanoviqit nuk është e rastësishme, dhe çuditërisht vrasja ndodhi vetëm dy ditë para se DASH të jepte alarmin”, ka thënë Krasniqi.

Ai për “Bota sot”, ka vlerësuar se përgjegjësinë për pjesën nga që nuk kontrollohet plotësisht nga Policia e Kosovës, e kanë KFOR dhe EULEX.

“Forcat e sigurisë së KFOR-it dhe EULEX-it, mbajnë përgjegjësinë për atë pjesë që nuk kontrollohet plotësisht nga Policia e Kosovës, respektivisht nga shteti i Kosovës, dhe për trazira ose sulme terroriste të mundshme në atë pjesë, përgjegjësinë për mos parandalimin e mbajnë këto forca të sigurisë”, ka shtuar Krasniqi.

Ndryshe, në paralajmërimin e DASH-it, thuhej se pjesët që duhen shmangur në Kosovë, janë Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani.

“Tensionet brenda dhe mes komuniteteve në veriun e Kosovës vazhdojnë të nxisin dhunë, demonstrata dhe trazira tjera në Mitrovicën Veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe në Zveçan. Ndonëse trazirat e fundit kanë qenë të ndërlidhura politikisht dhe nuk përfshijnë turistët apo pjesëtarët e komunitetit ndërkombëtar, kalimtarët e rastit mund të preken nëse ndodhin incidente të dhunshme”, ka thënë DASH-i.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat