Edhe një muaj dramë – si mbeti Gjykata Speciale në dorë të Qeverisë Haradinaj

Politika

Edhe një muaj dramë – si mbeti Gjykata Speciale në dorë të Qeverisë Haradinaj

Më: 22 janar 2018 Në ora: 23:56
Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Iniciativa e 43 deputetëve të Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ka rënë në dorë të Qeverisë së Ramush Haradinajt, një nga kundërshtarët më të mëdhenj të kësaj gjykate qysh prej fillimit.

Haradinaj shpresonte që procesin e iniciativës së deputetëve ta kryente Kuvendi i Kosovës. Këtë e kishte thënë kryeministri i Kosovës, një ditë pas 22 dhjetorit, kur deputetët tentuan të shfuqizojnë Gjykatën Speciale për Krime Lufte.

“Obligimet e qeverisë i marrim nga Parlamenti. Nëse ai vendos ndryshe ne i zbatojmë, respektojmë vendimin e të zgjedhurve të popullit. Vendimet e parlamentit janë urdhër për neve”, deklaronte Haradinaj, një ditë pas 22 dhjetorit, kur edhe u ndërmor iniciativa.

Në natën 22 dhjetorit, deputetët morën iniciativë për të shfuqizuar Gjykatën Speciale.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës u mblodh me urgjencë, por për shkak të mungesës së disa subjekteve nuk u bë i mundur kuorumi dhe rrjedhimisht nuk u mor vendim për zhvillim seancë.

Në mbledhje ishin të pranishëm PDK, AAK dhe NISMA, deputetët e të cilave kërkuan seancën. Por kjo e fundit u ndal nga ndërhyrja e ambasadorëve, të cilët thirrën në takim deputetët serbë dhe opozitën e përbërë nga Vetëvendosje e LDK, duke mos lejuar formimin e kuorumit.

Kosova me këtë iniciativë alarmoi aleatët e saj më të afërt me kërkesën e bërë në Kuvend të 43 deputetëve për shfuqizuar Gjykatën Speciale.

Diçka që shkaktoi menjëherë reagime të shumta Shteteve të Quint-it të cilët paralajmëruan drejtuesit institucionalë të Kosovës se vendi mund të përballet me pasoja në rast të shfuqizimit të Gjykatës Speciale.

Menjëherë pati reagime të ashpra nga diplomatët e huaj duke e paralajmëruar qartë Kosovën. Ambasadori amerikan Greg Delawie tha se përpjekja për shfuqizimin e gjykatës speciale është një gabim i madh i Kosovës, raporton Insajderi.

“Dua ta bëj të qartë se SHBA kundërshtojnë çdo përpjekje për ta zhbërë ose ndryshuar ligjin për Gjykatën Speciale. Kjo është e turpshme. Nëse kjo nismë do të ketë sukses, atëherë do të ketë edhe implikime jashtëzakonisht negative për të ardhmen e Kosovës”, kishte deklaruar ambasadori Amerikan Delawie.

Ndërsa ambasadori britanik Ruari O’Connell kishte reaguar duke thënë se nata e 22 tetorit ka është nata më e rrezikshme e Kosovës që nga paslufta. Sipas tij politikanët Kosovarë po i vendosin interesat personale para interesit shtetëror.

“Ishim krenarë dhe u duk sikur politikanët i vunë interesat e shtetit para interesave të veta personale, por kësaj here kam përshtypjen se interesat personale po vihen para interesave të shtetit”, kishte reaguar ambasadori i Britanisë në Kosovë O’Connell.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kishte reaguar me një letër, përmes së cilës e paraqiti qëndrimin e tij lidhur me Gjykatën Speciale.

Reagimi i Veselit kishte ardhur gati se dy javë më vonë pas iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale të cilën e kishte ndërmarrë ai bashkë “me dy shokët e tij të luftës” Thaqin e Haradinajn.
Ai vonesën e kishte arsyetuar duke thënë se “opinioni në fakt është shkruar para vitit të ri” – por që u publikua vetëm sot, shkaku që nuk donte t’i rëndonte me ‘tema politike’ qytetarët e vendit”.

Në reagim e tij, Veseli kishte thënë se edhe pse Kosova e ka merituar më së paku në botë, Gjykata Speciale ajo do të ndodhë.

Por, pati thënë se duhet të janë të përgatitur dhe të bëjmë krejt çka është e mundur që dëmtimi i shtetit të jetë sa më i vogël.

Ditën e 22 dhjetorit, kur u tentua të futej në votim shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale, Veseli e ka quajtur “një ditë dramatike”. Dramacitetit të saj, sipas tij, i kontribuuan të gjithë.

Dhe së fundmi Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të ia dërgojë për shqyrtim Qeverisë iniciativën e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se kanë vepruar në bazë të rregullores dhe se është një procedurë normale.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se LDK është kundër kësaj iniciative, e cila vë në pikëpyetje marrëdhëniet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë. Kryesia ka vendosur që vazhdimi i seancës të mbahet më datë 25 janar.

Qeveria tani ka vetëm dhe një muaj ditë kohë për ta kthyer në kuvend projektligjin e Gjykatës Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat