“Komandantët e kanë kuptuar që tentativa për shfuqizimin e Speciales është shumë e rrezikshme”

Politika

“Komandantët e kanë kuptuar që tentativa për shfuqizimin e Speciales është shumë e rrezikshme”

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 21 janar 2018 Në ora: 21:46
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Raportimet lidhur me iniciativën për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që njihet si Gjykata Speciale, po vazhdojnë ende.

Për këtë gjykatë, në media u raportua edhe sot. Aty thuhej se tre drejtuesit e shtetit, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Hardinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli nuk do të tërhiqen deri në shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Image
Faik Krasniqi

E këto raportime analisti politik, Faik Krasniqi, i ka cilësuar si të pavërteta, për shkak se sipas tij tre komandantët janë të vetëdijshëm për rrezikun që i sjellë Kosovës shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Krasniqi thotë se edhe “komandantët” e kanë kuptuar që një tentativë e tillë për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, është shumë e rrezikshme, që Kosovës mund t’i sjellë pasoja të mëdha.

“Nuk besoj që këto lajme janë të vërteta. Edhe ata e kanë kuptuar që një tentativë e tillë për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, është shume e rrezikshme që Kosovës mund t’i sjell pasoja të mëdha. E, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) që e kanë bezdi kundërshtimin”, tha Faik Krasniqi për “Bota sot”.

Kujtojmë se më 22 dhjetor të vitit të kaluar, tentimi që kërkesa e 43 deputetëve të dërgohet në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, kishte dështuar.

Ndërkohë që Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të tentojë të mblidhet sërish këtë të hënë pas 2 dështimeve të mëhershme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat