Zëvendësministri i AAK-së: Haradinaj nuk ka aplikuar për pasaportë të Shqipërisë

Politika

Zëvendësministri i AAK-së: Haradinaj nuk ka aplikuar për pasaportë të Shqipërisë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 11 janar 2018 Në ora: 14:28
Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt

Kryeministrit  të Kosovës, Ramush Haradinajt i është refuzuar viza amerikane ditë më parë.

Ndërsa, duke iu referuar mediave shqiptare, Haradinaj para tri ditëve ka aplikuar për pasaportë të Shqipërisë për shkak se i është refuzuar viza.

Sipas mediave shqiptare, pasi që kreut të ekzekutivit të Kosovës i është refuzuar viza për SHBA, ky i fundit i cili ka nënshtetësi shqiptare që nga 24 prilli i vitit të kaluar tashmë ka aplikuar për këtë dokument udhëtimi.

Ky veprim i Haradinajt vjen pak kohë pasi që presidenti, Hashim Thaçi kërkoi nga institucionet në Shqipëri që të pajisin me pasaporta të gjithë qytetarët e Kosovës, në mungesë liberalizimi nga BE-ja.

Mirëpo, Zëvendësministri i Punëve të Jashme i ka mohuar këto deklarata, duke i quajtur të pavërteta.

Image
Anton Berisha

Anton Berisha, zëvendësministër i Punëve të Jashtme ka thënë për “Bota sot” se kryeministri Haradinaj nuk ka aplikuar për pasaportë të Shqipërisë.

“Jo, nuk është e vërtetë. Kryeministri nuk ka aplikuar për pasaportë të Shqipërisë”, ka deklaruar Berisha.

Ndryshe, Haradinaj sot është duke qëndruar në Shqipëri për vizitë pune, me ç’rast është pritur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj dhe presidenti Meta biseduan për zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri.

Po ashtu, në takim është biseduar për mbështetjen e shtetit shqiptar dhënë Kosovës në proceset e ndryshme me rëndësi për vendin, me theks të veçantë anëtarësimin e Kosovës në të gjithë mekanizmat ndërkombëtar./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat