Loja e rrezikshme për shfuqizimin e Speciales dhe arsyeja e tërheqjes së deputetëve

Politika

Loja e rrezikshme për shfuqizimin e Speciales dhe arsyeja e tërheqjes së deputetëve

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 9 janar 2018 Në ora: 17:54
Kuvendi i Kosovës

Që nga 22 dhjetori i vitit të kaluar, çështja e Gjykatës Speciale ka qenë më aktuale se asnjëherë. Kjo, pasi atë natë u tentua të shfuqizohej ligji për Gjykatën Speciale, i miratuar në gusht të vitit 2015.

Për këtë raportuan edhe mediat ndërkombëtare dhe reaguan vendet e Quintit, duke kërkuar të mos ndërmarrin një iniciativë të tillë, që do të ishte e rrezikshme për Kosovën.

Një tërheqje nga kjo iniciativë e bëri kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe u raportua se edhe deputetët që kishin nënshkruar vendimin, i kanë tërhequr nënshkrimet e tyre.

Lidhur me gjithë këtë, analisti politik, Faik Krasniqi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se përgjegjësinë për formimin e Speciales e mbajnë deputetët dhe presidenti Thaçi, që tashmë ai po tenton ta shfuqizojë atë për interesa personale.

Image
Faik Krasniqi

“Themelimi i Gjykatës Speciale është padrejtësia më e madhe që i është bërë Kosovës. Por themelimi i kësaj Gjykate vjen si pasojë e paaftësisë sonë për krijimin e një Gjykate vendore e cila do të hetonte të gjitha krimet në mënyrë të paanshme, duke filluar nga vrasjet e pasluftës e deri tek krimet e luftës. Sikur Kosova mos të pranonte që në fillim krijimin e kësaj Gjykate që do të hetonte dhe gjykonte vetëm krimet e supozuara të shqiptarëve ndaj serbëve, atëherë nuk do të vinte puna që kjo Gjykatë të votohej në Kuvend. Kështu që përgjegjësinë për themelimin e kësaj Gjykatës Speciale e mbajnë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që e kanë votuar, dhe Presidenti Thaçi që kërcënonte pro votimit të saj dhe i njëjti për interesa personale po tenton ta ''shfuqizojë''”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Sipas tij, po bëhet lojë për tentimin për shfuqizimin e saj që tashmë është e vonuar dhe duke e parë rrezikshmërinë që i kanoset Kosovës, liderët dhe deputetët janë tërhequr nga kjo nismë.

“Shfuqizimi i Gjykatës Speciale në këtë kohë, është tepër e vonuar dhe lojë shumë e rrezikshme. Tentimi do të ishte sikurse të lozet me ''ruletin rus'', dhe njëkohësisht do të ishte një lëvizje e rrezikshme që minon sundimin e ligjit dhe kredibilitetin e Kosovës si partner i BE-së dhe SHBA-së. Pasojat do të mund të ishin të mëdha për shtetin edhe ashtu të brishtë të Kosovës, në aspektin e ngadalësimit të proceseve integruese dhe ekonomike. Prandaj edhe liderët dhe deputetët tanë duke e parë rrezikshmërinë që do t'i kanosej Kosovës, janë tërhequr nga kjo nismë”, është shprehur Faik Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat