Hulumtuesi i KDI: Kështu mund ta formojë OKB gjykatën, nëse Kosova shfuqizon Ligjin për Specialen

Politika

Hulumtuesi i KDI: Kështu mund ta formojë OKB gjykatën, nëse Kosova shfuqizon Ligjin për Specialen

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 6 janar 2018 Në ora: 15:56
Selia e Gjykatës Speciale

Tentimi për shfuqizimin e ligjit për Specialen u bë lajm jo vetëm në mediat shqiptare. Për këtë jehonë u bë edhe në mediat e huaja.

E për këtë reaguan edhe shtetet e Quintit, të cilat bënë thirrje që të hiqet dorë nga një tentativë e tillë, pasi rrezikon suksesin e deritanishëm të Kosovës.

E për një shfuqizim të mundshëm të ligjit për Specialen, mund të krijohet një gjykatë nga OKB.

Për të gjitha këto, për gazetën “Bota sot”, ka folur hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, Artan Murati.

Ai thotë se nuk duhet të shfuqizohet ligji për Specialen, por që edhe po të ndodhë kjo, Gjykata Speciale nuk do të zhbëhet, pasi pamundësohet ndryshimi i Kushtetutës.

Image
Artan Murati

“Mendoj se Ligji për Specialen nuk do të duhej të shfuqizohej, sepse edhe nëse ndodhë një gjë e tillë, kjo nuk do ta zhbëjë Gjykatën Speciale. Tanimë besoj se është fakt i njohur për të gjithë se duhen edhe ndryshime kushtetuese për të bërë një gjë të tillë, e po ashtu është i njohur edhe qëndrimi i pakicës serbe rreth Speciales, që në njëfarë mënyre e pamundëson edhe ndryshimin e Kushtetutës. Kuvendi i Kosovës ka mundur të mos e miratojë fare këtë ligj në 2015, mirëpo atëbotë deputetët u përballën me presion të vazhdueshëm vetëm për ta miratuar këtë ligj”, është shprehur Murati për “Bota sot’.

Sipas tij, mund të formohet gjykata nga OKB, që duhet nisma e një shteti dhe që ka mjaft shtete që duan të ndërmarrin një hap të tillë.

“Formimi i kësaj Gjykate nga OKB është i mundur, dhe kjo mund të procedohet përmes procedurave standarde në OKB. Normalisht, duhet një shtet anëtar për të iniciuar këtë nismë dhe fatkeqësisht ka një numër të konsiderueshëm të shteteve të cilat mezi nuk presin të ndërmarrin këtë hap”, ka deklaruar më tej ai.

Murati thotë se thirrja nga vendet e Quintit duhet të merret seriozisht nga liderët e shtetit dhe të mos vihet në rrezik miqësia me SHBA-në.

“Thirrjen nga Ambasadorët e Kuintit e shoh si shumë serioze, por të sinqertë. Mendoj se liderët tanë politik duhet të reflektojnë mbi këtë çështje, dhe nuk do të duhej që për asnjë moment ta vënë në rrezik miqësinë me SHBA-në dhe shtetet tjera mike”, ka përfunduar hulumtuesi Artan Murati nga KDI për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat