A mund të bëhet shfuqizimi i Speciales brenda janarit? Flet politologu Tahiri

Politika

A mund të bëhet shfuqizimi i Speciales brenda janarit? Flet politologu Tahiri

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 4 janar 2018 Në ora: 21:50
Selia e Gjykatës Speciale

Në dhjetor të vitit të kaluar filloi tentativa për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale, ndërsa që tani, sipas nënkryetarit të OCL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, shfuqizimi i ligjit për Specialen do të përfundojë në muajin janar.

Për këtë ai tha se do të votojnë pro edhe deputetë nga LDK-ja, por që pati reagime nga kjo parti, duke mohuar një gjë të tillë.

E për mundësinë që ligji për Gjykatën Speciale të shfuqizohet, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, politologu Ramush Tahiri.

Ai thotë se thirrja për një seancë të jashtëzakonshme për shfuqizim të ligjit për specialen është legale dhe varet nga vota e deputetëve nëse procedohet ose jo.

“Nisma me nënshkrime e 43 deputetëve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës është legale dhe kushtetuese dhe në harmoni me procedurat e Rregullores së Kuvendit. Kjo do të procedohet dhe nga vota e deputetëve varet a do të votohet apo jo propozim ligji. Nuk e di që kemi pasur më herët rast që procedohet propozim ligji dy nenesh për shfuqizimin e ndonjë ligji. Zakonisht kemi amandamentim të ligjit ose kemi ligj të ri me të cilin rregullohet e gjithë lënda e materia dhe pas miratimit të këtij ligji atëherë hiqet nga përdorimi apo shfuqizohet ligji i vjetër”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, nuk është e qartë nëse këto shqetësime kanë mundur të adresohen duke u munduar ta ndryshojnë amendamentin e ligjit.

“Në rastin e Ligjit për siç thuhet Gjykatën Speciale, nuk kemi amandamentim por shfuqizim të Ligjit. Për këtë nuk kemi arsyetim dhe argumentim konkret. Nuk është e qartë se pse shqetësimet se gjyqi është i padrejtë, se është i njëanshëm, se kundër një etnie ose se penalizon veç UÇK-në...a kanë mundur këto shqetësime të adresohen nëpërmjet ndryshimit përkatësisht amandamentimit të Ligjit. Proceduralisht për shfuqizim të ligjit mjaftojnë vetëm votat e nënshkruesve nëse ka kuorum në mbledhjen plenare”, ka deklaruar më tej politologu Tahiri për “Bota sot”.

Image
Ramush Tahiri

Ai thotë se ka pasoja për vendin edhe të brendshme edhe të jashtme dhe janë dhënë edhe reagimet konkrete.

“Cilat janë efektet e një vendimi të tillë juridike e politike është për studim. Pasojat juridike në kontekstin se ligji hiqet ndërsa lënda e gjykatës mbetet në Kushtetutën e Kosovës, e cila nuk mund të ndryshohet pa dy të tretat e votave të deputeteve dhe të deputetëve pakicë plus pra një votim apo shumicë e dyfishtë. Pra kemi rastin që ligji hiqet me shumicën e thjeshtë ndërsa kushtetuta për të njëjtën materie me dy të tretat. Pasojat politike të brendshme dhe të jashtme. Tashmë janë theksuar dhe janë thënë reagimet konkrete”, vlerëson ai.

Politologu Ramush Tahiri mendon se as Qeveria e as Kuvendi do të mund ta zhbëjë këtë gjykatë.

“Nuk besoj se tash as Qeveria e as Kuvendi mund ta zhbëjnë Gjykatën Speciale: është investuar shumë në përgatitje, në përzgjedhjen e kuadrove, prokurorëve e gjyqtarëve, ne mbrojtjen e dëshmitarëve, në infrastrukturën teknike, në ambiente të punës e mbajtjes...është votuar edhe në Parlamentin e Holandës .. Tash është e drejtë e Kuvendit të marr çfarëdo vendimi, por në këtë duhet të shihet edhe e drejta ndërkombëtare dhe obligimet e Kosovës si shtet që ka hy në marrëdhënie të vullnetshme. Ka raste në drejtësinë ndërkombëtare që këso gjykatash krijohen nga faktori e institucionet ndërkombëtare. Presidenti Thaçi kishte deklaruar më herës se nëse nuk e voton vet Kosova atëherë Gjykata Speciale do të krijohet nga KS i OKB”, ka thënë ai.

Për këtë tentim të shfuqizimit të Speciales, kanë reaguar edhe shtetet e Quintit, të cilat kanë bërë thirrje që të mos votohet një gjë e tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat