Haziri: Ky ishte dështimi më i madh për Kosovën më 2017

Politika

Haziri: Ky ishte dështimi më i madh për Kosovën më 2017

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 30 dhjetor 2017 Në ora: 15:00
Ilustrim

Shumë dështime e pak suksese po cilësohet nga analistët, viti që po e lëmë pas. E për opinionistin Nexhat Haziri, dështimi më i madh i vitit 2017 e sheh rrëzimin e Qeverisë Mustafa dhe më pas formimin e Qeverisë, që sipas tij e thelloi vendin në krizë.

“Dështimi më i madh për Kosovën ishte mocioni që çoi në rrëzimin e qeverisë Mustafa, që e dërgoi vendin në zgjedhje të parakohshme. E them këtë për faktin se këto zgjedhje nuk prodhuan zgjidhje për asnjë nga sfidat që i kishte dhe i ka përballë Kosova. Përveç se Kosova humbi kohë, zgjedhjet prodhuan një qeveri që udhëhiqet nga njerëz të pa kredibilitet politik e moral, një koalicion të brishtë që nuk bëri asgjë pozitive në këto 100 ditë të qeverisjes së tij, përpos që vetëm e thelloi krizën institucionale dhe politike në vend”, ka vlerësuar ai.

Image
Nexhat Haziri

Sipas Hazirit, tërheqja nga anëtarësimi në INTERPOL, UNESCO, mosliberalizimi i vizave, janë dështimet tjera që e përcollën këtë vit.

“Më pas pasuan edhe dështimet e tjera si mos ratifikimi i demarkacionit të kufirit me Malin e zi, pasojat e së cilit është mos liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, dështimi i anëtarësimit në UNESCO dhe në Interpol, si rezultat i zgjedhjeve të parakohshme, dështimi për sigurimin e njohjeve të reja për shtetin, mos formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, apo transformimin e FSK-së në FAK, në sundimin e rendit dhe ligjit, dhe në të gjitha fushat e tjera”, ka vazhduar më tej Haziri.

E në mesin e dështimeve për vitin që po e lëmë pas, sipas Nexhat Haziri, bën pjesë edhe tentimi për shfuqizimi i ligjit për Specialen.

“Një dështim po ashtu i vërejtshëm ishte edhe në rrafshin ndërkombëtar, ku përpos dështimit të anëtarësimit të vendit në organizatat e lartpërmendura, kjo qeverisje dhe këta liderë institucional bënë që imazhi i Kosovës të zbehet si një shtet me perspektivë demokratike dhe euro-atlantike, sidomos me tentativën e fundit të Thaçit, Haradinajt dhe Veselit, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Andaj për mendimin tim, lirisht mund të themi se vitit 2017 për Kosovën është vit i dështimeve të mëdha, dhe jam shumë dyshues se më këtë mendësi të qeverisjes aktuale, Kosova do të mund të llogarisë që vitit 2018, do të jetë vit i progresit”, ka përfunduar ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat