Paralajmërimi i Vuçiqit për pranverë, Serbia njeh shtetin e Kosovës me ultimatum të SHBA-ve?

Politika

Paralajmërimi i Vuçiqit për pranverë, Serbia njeh shtetin e Kosovës me ultimatum të SHBA-ve?

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 28 dhjetor 2017 Në ora: 21:35
Hoyt Yee dhe Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se në fillim të pranverës, mund të fillojë një diskutim serioz sa i përket dialogut të brendshëm për Kosovën.

Vuçiq duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, ka theksuar se  Kosova është çështje e rëndësishme në dialogun e brendshëm dhe njerëzit duhet të flasin të vërtetën.

“Shpresoj dhe besoj se do të arrijmë në të ardhmen të racionalizojmë kërkesat tona dhe të ruajmë atë që popullit i takon. Besoj se me fillim të pranverës do të nisim edhe këtë lloj të procesit serioz”, është shprehur ai.

E duke komentuar këtë deklaratë të Vuçiqit, politologu Mentor Tahiri, ka thënë se Serbia ka dalë tashmë edhe me propozime konkrete, me anë të së cilave, në njëfarë forme do të pranonte shtetin e Kosovës.

Një të tillë, sipas Tahirit, e ka dhënë vet presidenti serb.

Image
Mentor Tahiri

“Funksionalisht, debati i brendshëm politik në Serbi, lidhur me Kosovën, ka filluar që disa muaj. Madje, bota akademike serbe ka dalë edhe me propozime konkrete, me anë të cilave sikurse në rastin e propozimit nga Vladan Kutleshiq, Serbia në njëfarë forme do të pranonte Shtetin e Kosovës. Një propozim i tillë, është trajtuar edhe nga vetë Presidenti serb Vuçiq”, është shprehur Tahiri në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Sipas politologut, paralajmërimi i Vuçiqit, lidhet me afatin kohor që i është dhënë Serbisë në formë ultimatumi, nga ndihmës-sekretari amerikan i shtetit Hoyt Yee.

“Paralajmërimi se do të ketë një debat më serioz në Serbi, ka të bëjë me afatin kohor që i është dhënë Serbisë në formë ultimatumi, nga ndihmës-sekretari amerikan i shtetit Hoyt Yee. Sipas këtij afati kohor, që nga fillimi i vitit 2019, Serbia më nuk guxon të cenojë apo në çfarëdo mënyre të mos njohë Shtetin e Kosovës”, ka thënë më tej Mentor Tahiri.

Ai ka shtuar se përmes debatit të brendshëm, po përgatitet opinion serb që të pajtohet me realitetin e krijuar në Kosovë.

Mirëpo, Tahiri mendon se Qeveria e Kosovës, duhet të jetë vigjilente dhe e përgatitur për një fazë shumë të ndjeshme të një diplomacie dinamike.

“Debati i brendshëm në Serbi, nuk është i dëmshëm për Kosovën, ngase ai po përgatitë opinionin serb, që të pajtohet me realitin e ri të krijuar në Kosovë. Megjithatë nga Qeveria e Kosovës kërkohet të jetë vigjilente dhe e përgatitur për një fazë shumë të ndjeshme të një diplomacie dinamike. Prandaj është shumë me rëndësi, që sa më parë, Qeveria e Kosovës të largojë nga supet e saj disa probleme të panevojshme brenda skenës politike të Kosovës, respektivisht t’i përmbyllë këto çështje. Ajo që na pret në rrafshin ndërkombëtar është shumë më kritike dhe jetike për të ardhmen”, ka përfunduar për “Bota sot”, politologu Mentor Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat