“Alarm” për Kosovën, Gjykata Speciale mund të destabilizojë vendin

Politika

“Alarm” për Kosovën, Gjykata Speciale mund të destabilizojë vendin

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 28 dhjetor 2017 Në ora: 08:01
Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 28 dhjetor 2017 Në ora: 08:01
Foto ilustrim

Ngritja e aktakuzave të para nga Gjykata speciale duket se do të sjellë edhe më shumë mjegull në spektrin politik e sidomos te ata që gjithmonë janë shpreh kundër kësaj gjykate. Me rastin e fundit, ku në Kuvendin e Republikës se Kosovës u mundua që të “zhbëhet” Gjykata speciale përmes një seance të jashtëzakonshme, edhe një herë vërtetua se e njëjta për shumëkënd është e padëshiruar dhe se ngritja e aktakuzave mund të sjellë edhe jo stabilitet politik e të sigurisë në vend.

Nënkryetari i OVL-së, Migjen Shala, në një deklaratë të tij ka thënë se mos-shfuqizimi i Gjykatës Speciale do sjellë destabilizim në vend.

“Me keqardhje më duhet të them se mund të ketë destabilizim. Jemi për mos me pas. Jemi për gjykatë vendore. Por kjo krejt varet nga deputetët e Kosovës. Shpresoj se kanë vetëdije dhe të mos vijmë në atë gjendje”, ka thënë Shala në një emision televiziv.

Image
Sami Kurteshi

“Lojë e rrezikshme”

Kurse, Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje Sami Kurteshi, ka thënë se krerët e institucioneve publike në Republikën e Kosovës, qofshin ata persona nga LDK, PDK e pjesërisht edhe AAK, janë të zhytur në krime kundër popullit të Republikës së Kosovës tani e 18 vjet. Për këtë, sipas tij ata do të duhej të përgjigjeshin para drejtësisë vendore.

“Kjo “Gjykata Speciale”  është një dobiç i lojës së ndyrë të tyre dhe ndërkombëtarëve, të cilin tani nuk po dinë ku ta fshehin, sepse u ka mbetur në derë. Lëvizja Vetëvendosje! me kohë ka bërë publike qëndrimet e veta dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura politike, të mbështetura edhe me aksione qytetare, kundër këtyre veprimeve antikombëtare, kundërshtetërore, kundër kushtetuese të partive politike në pushtet, të cilat e kanë sjell Kosovën dhe popullin e saj në këtë gjendje të mjerueshme politike, ekonomike e shoqërore” ka thënë Kurteshi.

Sipas tij, politikanet më shumë kanë frikë nga populli dhe një gjyqësor i fortë dhe i mirëfilltë vendor sesa nga gjykatat e tilla të huaja, të cilat kanë bërë kërdinë në Kosovë, tani e 18 vite. Prandaj, sipas tij këta e urrejnë drejtësinë vendore, por jo atë ndërkombëtare dhe dëshmia është vetë kjo gjykatë, rrjedhimisht dhe e kanë shkatërruar tërësisht sistemin e drejtësisë vendore.

“Kjo “luftë” e tyre kundër Gjykatës Speciale me pro dhe kundër, është vetëm një lojë e tyre e rrezikshme kundër Kosovës dhe prandaj le të merren me të. Lëvizja Vetëvendosje! nuk është pjesë e kësaj loje” ka përfunduar Kurteshi nga Vetëvendosje.

“Gjykata Speciale do t’i arrestoj individët e jo UÇK-në”

Në kohen kur po flitet se Gjykata Speciale do të ngre edhe aktakuzat e para, pas fillimit zyrtar të punës se saj, gjendja e sigurisë në Kosovë është e qetë, ani pse shpallja e aktakuzave mund edhe të sjell një përkeqësim të situatës apo pakënaqësi të shumta. Ka të dhëna të ndryshme në media se kush do të akuzohet nga Gjykata Speciale dhe se numri i aktakuzave do të jetë rreth 60 prej tyre por nga kjo gjykatë ende nuk kemi asgjë zyrtare.

Por, ekspertë të çështjeve të sigurisë thonë se as OVL-ja e as ndonjë organizatë tjetër nuk mund ta destabilizojnë gjendjen e sigurisë në vend, pasi që Kosova ka institucionet e veta dhe ka bashkësinë ndërkombëtare që për detyrë kanë ruajtjen e stabilitetit në vend.

Image
Avni Islami

Avni Islami, profesor i shkencave të sigurisë thotë se asnjë organizatë nuk mund ta kërcënojë sigurinë e vendit sepse në Kosovë ka organe të drejtësisë që nuk mund ta lejojnë një gjë të tillë.

“Sa i përket destabilizimit, unë mendoj që asnjë organizatë nuk guxon të kërcënon me destabilizim të vendit për shkak se duhet të veprojë drejtësia. Gjykata Speciale do t’i arrestoj individët e jo UÇK-në. Nëse në të vërtetë ka individë të cilët kanë bërë vepra të ndryshme e të cilat janë në kundërshtim me rregullat e luftës, atëherë ata të dalin para gjykatës edhe të dëshmojnë që me të vërtetë UÇK-ja nuk ka kryer krime dhe lufta e saj ka qenë e drejtë. Vendin nuk mundet ta destabilizojë askush sepse ne kemi institucionet tona e kemi bashkësinë ndërkombëtare e kemi popullin e vetëdijshëm dhe nuk do biem pre e askujt”- ka potencuar Islami për “Bota Sot”.

Mes tjerash, ai ka thënë se kundërshtimi i Gjykatës Speciale është vendim i drejtë por i vonuar.

“Kundërshtimi i Gjykatës Speciale nga OVL dhe UÇK, mendoj se është veprim i duhur por i vonuar, për shkak se bashkëluftëtarët e tyre të cilët kanë udhëhequr me procese gjatë formimit të Gjykatës Speciale, përveç asaj kanë bërë trysni te deputetët që patjetër të votohet Gjykata Speciale, tash kjo është duke e luajtur një lojë të rrezikshme për shkak se është një procedurë të cilën ata që po e kërkojnë duket e pamundur por që ka mundësi të shfuqizohet”- ka shtuar tutje Islami.

Image
Hajrullah Ternava

Përpjekjet për destabilizim

Kurse, Eksperti i sigurisë, Hajrullah Ternava ka thënë për gazetën “Bota sot”, se përfituesit e këtij pushteti që nga çlirimi i Kosovës e deri tani janë munduar të bëjnë atë më të keqën që ta çrregullojnë situatën politike deri në destabilizimin e saj.

Prandaj, sipas tij tani kur po e shohin se situata është e rrezikshme dhe Gjykata Speciale do të filloj se shpejti me arrestime të të supozuarve që në periudhat 1998-2000 kanë bërë krime të rënda sikur vrasje, shitje të organeve trupore e shume tjera vepra të renda.

“Ishte për habi periudha e vitit 2015 tani Presidentit shtetit Hashim Thaçi, atëherë si kryetar partie i PDK-së dhe si Ministër i jashtëm në atë qeveri bënte çmos që ti bindë deputetët e tij për miratimin e kësaj gjykate. Tani po i bie se ai kishte premtime se ai do të amnistohet dhe nuk do të përfshihet në këto akuza edhe që Dicke Marty në parlamentin Evropian e pat apostrofuar si kryesorin Hashim Thaçin si kryes i këtyre veprave të rënda. Tani kur e ka kuptuar se edhe vet do të jetë i akuzuar, tani vet e pranoj se bashkësia ndërkombëtare i ka tradhtuar parlamentin e Kosovës me miratimin e Gjykatës Specialë dhe tani po benë çmos që ta ç ‘fuqizoj miratimin e Gjykatës speciale” ka thënë Ternava.

Image
Mentor Tahiri

Stabiliteti varet nga liderët

E politologu, Mentor Tahiri ka thënë se çdo gjë lidhur me këtë, varet nga vullneti politik i krerëve institucional të Kosovës.

“Në këtë drejtim, edhe kundërshtimet e deritanishme, si nga institucionet e Kosovës, ashtu edhe nga organizatat e kategorive të luftës, duhet kuptuar si një trysni e cila synon të paralizojë punën e Gjykatës speciale. Aktualisht në zhvillim e sipër, po krijohet një ambient psikologjik i cili po tenton të paraqet Gjykatën speciale si instrument kundër popullit shqiptarë dhe kundër luftës së UÇK-së”, ka potencuar ai.

 Për Tahirin, vetë tentimet për shfuqizimin e Gjykatës speciale cenojnë rëndë shtetësinë e Kosovës dhe kredibilitetin e institucioneve të saj.

“Kërkohet nga klasa politike që të rezonojë shumë racionalisht dhe të mos kthejnë pas, asnjë element të shtetësisë. Fatkeqësisht, kundërshtimi i Gjykatës speciale, që tani ka nxitur qarqe të caktuara ndërkombëtare, që të hedhin idetë e para rreth themelimit të një tribunali të posaçëm ndërkombëtarë për territorin e Kosovës” ka thënë Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat