Situatë e paqartë për demarkacionin, mungojnë argumentet nga komisioni Bulliqi?

Politika

Situatë e paqartë për demarkacionin, mungojnë argumentet nga komisioni Bulliqi?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 26 dhjetor 2017 Në ora: 22:22
Anëtarët e Komisionit të ri Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror raportuan para Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike

Sot është bërë prezantimi i fakteve të reja nga Komisioni i ri Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror para komisioni për Punë të Jashtme, ku është kërkuar ende kohë për të gjeturat e reja.

Pas, kësaj kërkese është marrë vendimi  që me 15 janar të vendoset për të dërguar apo jo në seancë plenare Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Analisti Mentor Tahiri ka folur rreth prezantimit të këtyre fakteve nga komisioni i ri, ku ka thënë se është krijuar një situatë e paqartë tek kundërshtuesit e demarkacionit me Malin e Zi, të cilët nuk kanë arritur të kenë dëshmi konkrete.

“Mungesa e argumenteve kredibile ka krijuar një situatë të paqartë për vetë ideatorët e kundërshtimit të demarkacionit me Malin e Zi. Kjo u dëshmua edhe në prezantimin e fundit që pati komisioni aktual i emëruar nga kryeministri. Në gjithë atë retorikë dhe prezantime jorelevante hartografike, nuk u arrit të dëshmohet asgjë konkrete”, ka deklaruar Tahiri për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka shtuar se Qeveria Haradinaj nuk e ka të lehtë të pranojë mungesën e argumenteve dhe se aleatët ndërkombëtar kanë dhënë garanci që vendi nuk po humbë territor.

“Kjo çështje tani ka ngecur në një “pat pozicion”. Qeveria nuk e ka të lehtë të pranojë se mungojnë argumentet, ngase kundërshtimi i versionit aktual të demarkacionit, ishte karta kyçe me të cilën erdhi në pushtet. Në anën tjetër, aleatët ndërkombëtarë kanë dhënë disa herë garanci se Kosova nuk humbë territor. Në gjithë këtë konotacion kundërshtimesh në relacionet ndërmjet Kosovës dhe aleatëve perëndimorë, një rrëzim eventual i demarkacionit, do të fundoste çdo perspektivë të Kosovës, sidomos tani kur pashmangshëm ka edhe implikime nga përpjekja për të shfuqizuar Gjykatën speciale”, ka përfunduar Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat